Rritja e yield-eve të bonove të thesarit gjatë muajve të verës nuk ka zgjatur shumë.
Në ankandet e zhvilluara të martën, yield-et e bonove 12 mujore pësuan rënie, duke konfirmuar natyrën e përkohshme dhe korrigjuese të rritjes së regjistruar mes fundit të qershorit dhe mesit të gushtit. Bonot me maturim 12 mujor u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.77%, nga 1.84% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Rënia e yield-eve duket e lidhur direkt me shtimin e numrit dhe vlerës së kërkesave të paraqitura në ankande.
Nga rreth 8.9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, shuma totale e kërkesave në ankand arriti në 11.8 miliardë lekë. Ngushtimi i raportit mes kërkesës dhe ofertës gjatë ankandeve të mëparshme ishte shoqëruar me një rritje të lehtë të yield-eve. Pasi iu afruan niveleve më të ulëta historike në fund të muajit qershor, yield-et shënuan një rritje graduale deri në nivelin 1.84%.
Ndërkohë, yield-i mesatar i ponderuar për bonot me maturim 6-mujor shënoi përsëri një rritje të lehtë në 1.34%, nga 1.22% që kishte qenë në ankandin e fundit, në fillim të gushtit. Për bonot me maturim më të vogël se një vit kërkesa e tregut është më e ulët dhe ato financohen kryesisht nga bankat tregtare, si një alternativë e vendosjeve afatshkurtra të likuiditeteve të lira.
Megjithatë, edhe këtu yield-et ngelen në nivele të ulëta dhe relativisht të qëndrueshme. Pas pandemisë, politika monetare nxitëse e Bankës së Shqipërisë dhe gjendja e shëndetshme e tregut financiar ka ndihmuar në uljen e mëtejshme të yield-eve dhe të kostos së huamarrjes për qeverinë shqiptare. Përdorimi i instrumenteve të huamarrjes në tregjet e huaja gjithashtu ndikoi në rritjen e likuiditetit të lirë në tregun financiar vendas, duke shtuar konkurrencën mes blerësve dhe duke ndikuar në rënien e yield-eve. Paralelisht, depozitat bankare kanë ruajtur norma të larta të rritjes edhe në gjysmën e parë të këtij viti, duke rritur disponueshmërinë e fondeve për bankat tregtare, që janë financuesit kryesorë të borxhit të brendshëm të qeverisë.
Yield-i mesatar i portofolit të brendshëm pësoi sërish një rënie të lehtë në tremujorin e dytë të vitit, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, yield-i mesatar në muajin qershor zbriti në nivelin 3.58%, nga 3.61% që kishte qenë në fund të vitit 2020 dhe 3.75% në mesin e vitit 2020.
Gjendja likuide e tregut financiar, niveli i qëndrueshëm i huamarrjes nga qeveria dhe orientimet e kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë janë të gjithë faktorë që, sipas ekspertëve, do të ndikojnë në ruajtjen e normave të ulëta të interesit në tregun primar të letrave të borxhit të qeverisë edhe për këtë vit. Niveli i yield-eve të bonove dhe obligacioneve të qeverisë ka një domethënie që shkon përtej kostos së huamarrjes së qeverisë. Duke qenë treguesi benchmark i investimit në monedhën vendase, ai përcakton, në mënyrë të përgjithshme, edhe kostot e huave afatgjata në lekë, që zakonisht kuotohen mbi yield-et dhe rivlerësohen periodikisht mbështetur në lëvizjet e tyre./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.