Si i kanë përjetuar institucionet e mikrokredisë pasojat e krizës ekonomike gjatë vitit 2009
Ashtu si sistemi bankar, edhe institucionet e mikrofinancës kanë ndjerë peshën e përkeqësimit të treguesve ekonomikë gjatë vitit të krizës, duke ngadalësuar rritjen e ritmeve të kreditimit. Në vitin 2009, institucionet e mikrokredisë dhe kursim-kreditit e kanë rritur stokun e kredisë me bazë vjetore me vetëm 2.4%, sipas të dhënave paraprake nga Shoqata e Institucioneve të Mikrokredisë (MISH). Stoku i kredisë në fund të vitit 2009, për këto shoqëri (Fondi Besa; Unioni kursim kredi; Unioni jehona; Opportunity; Fondi Zhvillimit Zonave Malore) ishte 147 milionë euro.
Rritje më të lartë ka shënuar në vitin 2009 totali i aktiveve në zotërim të shoqërive të mikrokredisë, duke shkuar në kuotën totale prej 179.4 milionë dollarësh, rreth 10% më shumë nga sa zotëronin një vit më parë. Është rritur gjatë kësaj periudhe edhe numri i klientëve të cilëve u kanë shërbyer këto kompani: për vitin 2009, numri total i tyre ishte 55,727, rreth 10% më shumë se një vit më parë, kur numri ishte 50,681.
“Sigurisht që përjetuam një fazë të vështirë, por që gjithsesi shënoi vlerë pozitive sa i përket rritjes së aktivitetit. ‘Jehona ShKK´ shënoi zgjerim të aktivitetit prej afërsisht 7%”, thotë Elvana Shakaj, drejtoreshë e unionit të kursim-kreditit “Jehona”. Rritje që gjithsesi mbetet e ulët po të krahasohet me vitet e kaluara mesataren e zgjerimit të aktivitetit për këtë institucion ka qenë 23-24%. “Më parë kemi përjetuar rritje edhe me 30-32%”, vëren Shakaj, e cila është aktualisht edhe kryetare e Shoqatës së Institucioneve të Mikrofinancës, ku bëjnë pjesë të gjitha institucionet shqiptare të mikrokredisë. Për rritje të moderuar flet edhe dr. Altin Muça, drejtor i departamentit të marketingut në Fondin “Besa”. “Me gjithë efektet e krizës globale, pasojë kryesore e së cilës ishte pakësimi i reminitancave, ngadalësimi i ekonomisë dhe pakësimi i konsumit në përgjithësi, bilanci ynë pati vlera pozitive vitin e kaluar”.
Mikrokredia, treg në zgjerim
Aktualisht, në Shqipëri, operojnë pesë institucione mikrofinanciare, me shtrirje si në zonat urbane edhe në ato rurale. Fondi “Besa”, Fondi i Financimit të Zonave Malore dhe “Opportunity Albania” janë licencuar nga Banka e Shqipërisë vetëm për operacionet e dhënies së kredive, ndërsa dy shoqëritë e tjera, “Union ShKK” dhe unioni “Jehona” paralelisht me kreditimin kanë të drejtë të grumbullojnë edhe depozita.
Ndryshimi mes dy shoqërive të kursim-kreditit qëndron te format e grumbullimit të fondeve. Ndërsa “Union ShKK” mbështetet te kapitale të ndryshme, siç mund të jenë kreditë bankare, unioni “Jehona” krediton vetëm falë fondeve të grumbulluara nga depozitat e anëtarëve.
“Unioni ‘Jehona´ përbëhet nga 26 shoqëri kursim-krediti të licencuara individualisht nga Banka e Shqipërisë. Ne jemi përfaqësuesit e saj, një lloj organizate ombrellë, që ka kontribuar në hapjen, licencimin dhe operimin e tyre”, thotë Elvana Shakaj, drejtoreshë e shoqërisë. Ajo shpjegon se grumbullimin e depozitave dhe kreditimin e bën secila në mënyrë të pavarur, duke i përcaktuar kushtet dhe normat e interesave të kredive e depozitave, në bazë të specifikës së secilës prej zonave ku operojnë, por natyrisht duke marrë asistencën e duhur teknike nga shoqëria mëmë. “Secila prej ShKK-ve vlerëson kushtet e profilit të banorëve të zonës që mbulojnë dhe veprojnë në bazë të këtyre vlerësimeve. Ne grumbullojmë depozita, të cilat i përdorim për të dhënë kredi. Përdorim për kreditim vetëm fondet e mbledhura nga depozitat”.
Vështirësitë gjatë vitit të krizës
Behar Gjoni, drejtor i departamentit të zhvillimit të “Union ShKK” shpjegon se stresi psikologjik që u krijua ndaj sistemit bankar përfshiu edhe institucionet e mikrokredisë. Megjithëse, në të kundërt të sistemit bankar, sektori i mikrofinancës nuk u bë dëshmitar i tërheqjes masive të depozitave, megjithëse pati pakësim të prurjeve. “Morëm masat për të bindur njerëzit që të kishin besim e të vazhdonin bashkëpunimin me ne, pasi te ne nuk kishte asnjë risk, gjë që rezultoi e vërtetë. Depozitat u rritën me 15% vitin e kaluar, ndërkohë që nuk patëm tërheqjen në masë që përjetoi sistemi bankar”. Sipas Behar Gjonit, nga pikëpamja e rritjes së portofolit të “Union ShKK”, ritme më të larta mesatare rritjeje kanë shënuar depozitat, ndërkohë që kreditimi nuk ka ruajtur të njëjtin hap. “Depozitat na janë rritur me rreth 15%, ndërsa kredia me rreth 9%”, shprehet ai.
Për Elvana Shakaj, situata e përjetuar gjatë periudhës janar-shkurt 2009 ishte unike në 13 vite aktivitet. Ajo thotë se nuk u tërhoqën depozitat, por u ndalën prurjet e reja, në masë relativisht të ndjeshme. Kjo dukuri, sipas saj, zgjati vetëm për ato dy muaj, për t´u kthyer pak nga pak në realitet në fazën në vazhdim.
Më pak kredi me probleme
“Ne e kemi pasur kredinë me probleme në nivele shumë të ulëta, por gjithsesi u shfaq si fenomen gjatë 2009-s. Për kredi të humbura, as që bëhet fjalë, kemi shumë pak dhe ato janë të shpërndara në vite”, vëren Elvana Shakaj. Sipas kryetares së Shoqatës së Institucioneve të Mikrofinancës, nga pakësimi i të ardhurave u prekën të gjitha shtresat e popullsisë, që përbëjnë shënjestrat e institucioneve të mikrofinancës. “Kryesisht u prek biznesi dhe bujqësia, e më pak rrogëtarët. Për këtë shtresë situata është vështirësuar më shumë prej rritjes së çmimeve”. “Jemi në nivele të kënaqshme. Problemi që na ka sjellë kriza është shtimi i kujdesit sa i përket dhënies së kredive të reja. Në njëfarë mënyre, e kemi frenuar disi rritjen intensive për shkak të frikës nga kredia e keqe. Por e rëndësishme është që tendencën e rritjes e ruajtëm edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë”, thotë dr. Altin Muça, drejtor i marketingut i fondit “Besa”. E njëjta gjë ndodh edhe me “Unioni ShKK”, ku sipas drejtorit të departamentit të zhvillimit, “portofoli në risk është shumë i vogël, rreth 2%”. Për Behar Gjonin është një mesatare më se normale, sidomos po ta krahasojmë me mesataren e sistemit bankar, e cila është rreth pesë herë më e lartë. Ai sqaron gjithashtu se në rastin e institucionit të tij, kreditë e këqija nuk klasifikohen si kredi të humbura, bëhet fjalë vetëm për kredi të vonuara, të cilat shlyhen më vonë. “Praktikisht nuk kemi kredi të humbura, kemi vetëm kredi të vonuara”, thotë Gjonaj.
Fondi “Besa” e pa rritjen e rrezikut nga kredia e keqe si një motiv për të shtuar masat mbrojtëse, por duke cenuar sa më pak ritmin e kredidhënies. Për fondin “Besa”, terreni që u është lënë i lirë institucioneve të mikrokreditit nga ana e bankave, është pikërisht ai që paraqet edhe rrezikshmërinë më të lartë, pasi bëhet fjalë për klientë që nga bankat janë refuzuar, pasi janë konsideruar si me rrezik dhe që në këtë çast i hedhin sytë nga institucionet mikrofinanciare. Sipas Altin Muçës, problemi që ka sjellë kriza është shtimi i kujdesit sa i përket dhënies së kredive të reja. “Në njëfarë mënyre e kemi frenuar disi rritjen intensive për shkak të frikës nga kredia e keqe”, shton drejtori i marketingut të fondit “Besa”.
Për Elvana Shakaj, gjërat do të ndryshojnë rrënjësisht në çastin kur shoqëritë e mikrofinancës të bëhen pjesë e regjistrit të kredive, ku çdo institucion financiar është i detyruar të raportojë ecurinë e shlyerjes së çdo kredie që jep. Sipas saj, diçka e tillë është e domosdoshme në çastin kur thuajse të gjitha huatë me probleme që ka hasur institucioni i saj janë shfaqur nga klientë që më parë kishin qenë kreditorë me probleme nëpër banka. “Presim që të bëhemi pjesë e regjistrit të kredive shumë shpejt, ndoshta edhe brenda një muaji. Kështu klientët me probleme do ta kenë të vështirë të largohen nga bankat për të ardhur te ne, apo anasjelltas”.
Shënjestra, shtresat me të ardhura të pakta
Sipas dr. Bajram Muçës, drejtor i fondit “Besa”, 95% e gjithë sipërmarrjes shqiptare përbëhet nga sipërmarrja e vogël dhe e mesme. “Po aq i rëndësishëm është edhe fakti që sipërmarrjet e vogla dhe të mesme janë ‘motori´ i çdo ekonomie, gjë që e ka bërë fondin ‘Besa´ ta përqendrojë tërë interesin te mbështetja e këtij sektori, i cili luan rol të dorës së parë edhe porsa i përket vendeve të punës. Pikërisht ky segment përbën edhe shënjestrën tonë”, thotë Bajram Muça.
“Shoqëritë tona të kursim-kreditit janë të vendosura kryesisht në zona margjinale, Përrenjas, Librazhd, Orikum etj. Në zona rurale, gjysmë urbane dhe urbane, por me shtresa të popullsisë me të ardhura të ulëta, si infermierë, mësues, punonjës të administratës publike”, shpjegon Elvana Shakaj. Unioni “Jehona” madje ka krijuar një produkt të posaçëm për një prej shtresave më të margjinalizuara të popullsisë: arsimtarët. “Deri në rritjen e fondit të pagave në arsim, kjo shtresë vërtet kishte të ardhura shumë të ulëta. I trajtojmë me një produkt të veçantë. Bëhet fjalë për një kredi të ideuar posaçërisht për arsimtarët, norma e interesit e së cilës është 11%”.
Sipas Behar Gjonit, “Unioni ShKK”, shtrihet në 1 mijë fshatra, ndërkohë që Shqipëria ka 3 mijë fshatra. Dhe bëhet fjalë pikërisht për ato me dendësi më të madhe të banorëve. “Financojmë çdo aktivitet që gjeneron të ardhura. Nuk financojmë ndërtimin e shtëpive dhe makinat e luksit. Marrim përsipër financimin e gjithçkaje tjetër”, sqaron Behar Gjoni.
Treg me pak interes për bankat
Sipas ekzekutivëve, është një treg pak interesant për bankat, pasi bëhet fjalë për zona relativisht të largëta, për shtresa popullsie me të ardhura të pakta, si dhe mungesë pasurish të paluajtshme për t´u vënë në dispozicion si kolateral. Për një dosje kredie, pavarësisht shumës që kërkohet, një bankë aktivizon të njëjtat burime njerëzore. Kjo do të thotë shpenzime të njëjta me kreditë e mëdha, ndërkohë që risku për mikrokreditë, sipas parametrave bankarë, është shumë më i madh, ndërsa fitimi shumë më i vogël.
“Normat e interesave variojnë nga një ShKK në tjetrën, por normalisht depozitat grumbullohen me normë interesi 6%, ndonjëherë edhe me 7%. Norma mesatare e kredive është 15% në fshat dhe mesatarisht 17% në qytet”. Pak a shumë me të njëjtat norma interesi operon edhe shoqëria tjetër e kursim-kreditit ‘Unioni ShKK'”, shpjegon Elvana Shakaj e unionit “Jehona”. “Normat e depozitave i kemi rreth 7%, ndërsa ato të kredive 15%”, thotë Behar Gjoni.
Alban Velo, drejtor marketingu i “Opportunity Albania”, tregon se çmimet e kredive në shoqërinë e tij luhaten nga 14 në 28 për qind në vit, në varësi të shumës së dhënë hua, afatit të shlyerjes e veçorive të klientëve. Velo shpjegon se dy kriteret kryesore që shoqëria merr në konsideratë janë situata aktuale e klientëve dhe potenciali për rritje e zhvillim që ata përfaqësojnë: “Sigurisht të dy këto kritere përfshijnë vlerësimin e profileve të riskut, historikun, stabilitetin e familjes (njësisë socio-ekonomike)”.
Ky boshllëk duket se mund të përmbushet vetëm prej shoqërive të mikrokredisë, të cilat jo vetëm operojnë me shifra të vogla kredish e depozitash, nuk kërkojnë kolateral për garanci, por bëjnë të mundur që çdo klient të kryejë të gjitha veprimet, si për depozitat ashtu edhe për kreditimin, në zonën e vet. “Në fakt, më shumë se shtrirjen, kemi prioritet dendësinë e rrjetit që krijojmë, p.sh., rrethet ku kemi hyrë fillimisht, Tirana, Elbasani etj., kemi anëtarësuar gati 50 për qind të familjeve. Aktualisht ‘Unioni ShKK’ numëron rreth 30 mijë anëtarë. Kanë të drejtën të marrin kredi e të depozitojnë te degët tona. Japim kredi deri në 800 mijë lekë të reja”, thotë Behar Gjoni. Ai sqaron më tej se shërbimi kryhet direkt në zonën ku jetojnë banorët.
Një tjetër element që i bën shoqëritë e mikrofinancës më eficiente nga bankat është kohëzgjatja e procedurave për miratimin e një kredie. Në rast se në një bankë këto procedura mund të zgjasin për javë e ndonjëherë edhe muaj, në shoqëritë e mikrokreditit kryhen brenda disa ditësh. Një klient i fondit “Besa” mund ta marrë shumën e kërkuar vetëm pak ditë pas aplikimit. Kohëzgjatja është veçanërisht e shkurtër për klientët të cilët aplikojnë për të disatën herë për kredi.
Tregu, ende i pambuluar
Interesi për të marrë kredi nga institucionet e mikrofinancës është gjithnjë në rritje, por arsyet pse fermerët apo individët e kërkojnë atë për të zhvilluar aktivitetin kanë një ndryshim në varësi të zonës ku jetojnë. Disa syresh e kërkojnë kredinë për të zhvilluar më tej aktivitetin bujqësor, të tjerë për të zgjeruar tregtinë, disa për shërbime të llojeve të ndryshme.
Në 10 vitet e aktivitetit të vet, “Opportunity Albania” ka ndihmuar mbi 80.000 sipërmarrës të vegjël të përmirësojnë biznesin e tyre duke pasur akses në financim, thotë Alban Velo. Oficerët tanë të kredisë dhe specialistët e tjerë kanë ofruar me qindra sesione trajnimi për aftësitë manaxhuese që nevojiten për të ushtruar një aktivitet të suksesshëm biznesi.
Por, sipas një studimi ndërkombëtar që e kanë në dorë të gjithë ekzekutivët e institucioneve të mikrokredisë rezulton se gjithsesi mbulohet një pjesë shumë e vogël e nevojave për kredi të vogla. “Rreth 70 për qind e kërkesës totale për mikrokredi mbetet e pambuluar”, thotë Zana Konini, drejtoreshë e “Unioni ShKK”.
Nga Lorenc Rabeta
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.