Ajo çfarë paralajmëronte shtimi i nxituar i sipërmarrjeve, ka dhënë tashmë efektet e saj në tregun e ujit të ambalazhuar. Drejtues të disa prej stabilimenteve më të mëdha të prodhimit e ambalazhit të ujit pranojnë tkurrjen e aktivitetit, ndërsa të tjerë pohojnë se kanë humbur ritmet e dikurshme të rritjes.
Luciano Cirillo, administrator i “Uji Tepelena”, shprehet për “Monitor” se, “Ecuria e këtyre dy viteve të fundit ka qenë negative për fat të keq. Por, vlerësojmë se nuk kemi humbur peshë në treg”. Drejtuesi i kësaj kompanie beson se nuk ka pasur rritje të konsumit të ujit. Efektet e krizës ekonomike, që kanë prekur veçanërisht Greqinë e Italinë, kanë ndikuar negativisht në konsumin e këtij produkti.
Sipërmarrjet e futura më vonë në treg vazhdojnë të rriten, ndonëse më ngadalë. Drejtoresha Ekzekutive e “Uji Qafshtama” Eda Leka pohon se, “shitjet e këtij viti në raport me 2010-ën paraqesin një ritëm të pëlqyeshëm rritje prej 20%”. Por, ajo pranon se ritmi i rritjes ka ardhur duke u reduktuar lehtësisht, si pasojë e shtimit të detyrimeve ndaj shtetit dhe zgjerimit të konkurrencës”.
Kompanitë e shtuara (60 stabilimente të licencuara, sipas të dhënave të ministrisë së bujqësisë) ndiejnë peshën e konkurrencës së prodhimit vendas dhe rrjeteve të konsoliduara të importit. Kapaciteti i instaluar i ambalazhimit llogaritet të jetë 40-50% mbi nevojat aktualet të tregut, pa llogaritur aktivitetet e shtuara vitin e fundit.
Për më tepër, prej një viti, në tregun e këtij produkti që ka vlerë të ulët të shtuar peshon edhe “dora e shtetit”. Z. Cirillo pranon se, “padyshim, futja e akcizës për ambalazhin nuk mund të favorizojë zhvillimin. Duhet marrë parasysh fakti, se është e vërtetë që akciza zëvendëson taksën e paketimit, por akciza është dy tre herë më e lartë dhe jemi të detyruar të kalojmë koston e saj në çmimin e shitjes së prodhimit”.
Disa prej kompanive, rritën çmimin e ujit diçka më tepër se 10% një vit më parë, çka ua vështirësoi shitjet. Por, çmimi i shtrenjtuar e dha dëmin më të madh tek konsumatori, i cili u orientua drejt produkteve më të lira. Drejtuesja e “Uji Qafshtama”, tregon se pas rritjes së çmimit, pati një tendencë spostimi të kërkesës konsumatore drejt formateve të mëdha më ekonomike (formate mbi 5 Litra)”. Ndërsa ka stabilimente të licencuara për ambalazhimin e ujit të këtyre formateve, shumë marka të ambalazhimit të këtyre formateve shihen me skepticizëm sa i përket respektimit të standardeve për paketimin e ujit. Vetëm vitin e kaluar, vlerësohet të jenë mbyllur 3 stabilimente në rrethinat e kryeqytetit, për shkak të kushteve jashtë standardit të prodhimit.
çfarë pritet të ndodhë…
Diversifikimi i produktit shihet si “shpëtimi” i stabilimenteve të ujit. Sipas, drejtuesve të ujit “Qafshtama”, “në treg do të ketë tentativa të vazhdueshme për të diversifikuar gamën e produkteve dhe formateve, duke diferencuar në këtë mënyrë ofertën”. Ata tregojnë se ishte e suksesshme hedhja në treg e formatit 2 litra dhe shtojnë se, “po planifikojmë të pasurojmë së shpejti ofertën me një gamë formatesh në ambalazhe cilësore qelqi drejtuar kryesisht klientelës së hoteleve dhe restoranteve”.
Në një periudhë më afatgjatë, pritet që nga tregu të dalin disa operatorë. Bëhet fjalë për ata prodhues që nuk do të mund të përballojnë konkurrencën intensive dhe nuk arrijnë t´i përgjigjen kërkesës me produkte cilësore apo me një gamë të diversifikuar mirë produktesh. Në këtë drejtim, më të favorizuar pritet të jenë kompanitë brenda grupit, të cilat mund të mbështeten me financa në periudhat e tyre të vështira.
Sipas studiuesve të këtij tregu, në këtë rast do të kemi si pasojë një koncentrim të tregut nga njëra anë dhe një siguri më të madhe mbi cilësinë e produktit që i ofrohet konsumatorit nga ana tjetër.
2010- Tregu vazhdon të rritet
Qarkulluan 5.3 miliardë lekë
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, gjatë vitit 2010 u prodhuan rreth 765 mijë hektolitra ujë në fabrikat shqiptare me një vlerë të përafërt tregu prej rreth 2.5 miliardë lekësh. Në total sasia e prodhimit u rrit 7.6% krahasuar me një vit më parë, shumë më pak se ç´pretendonin stabilimentet kryesore në vend. Ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë një performancë të mirë të sektorit, pavarësisht pohimeve të sipërmarrësve, shumë më mirë paraqiten kompanitë që e importojnë ujin. Të dhënat zyrtare tregojnë se sasia e ujit të importuar është rritur 18% në sasi dhe 24% në vlerë. Sipas importuesve, rritja e fortë e tyre në treg erdhi për shkak të shpenzimeve të rritura në marketingun e produktit.
Mes prodhimit dhe importit, shqiptarët konsumuan 1.3 miliardë hektolitra ujë, ose rreth 5.3 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, tregu i ujit u rrit mbi 12 %.
Pavarësisht se tregu shqiptar duket shumë i vogël për prodhuesit e shumtë, mundësitë e rritjes nuk janë shteruar. Konsumi i ujit mineral llogaritet në rreth 22.5 litra ujë në vit për frymë, nivel shumë më i ulët se në tregjet e Europës Perëndimore, (mbi 100 litra ujë për frymë në vit).
Siç vërehet edhe nga grafiku, rritja më e madhe e prodhimit vendas përkon me periudhën kur u bënë investimet më të mëdha të sektorit. Dy vite më parë, “Harri Lena Group” hodhi në treg ujin “Trebeshina” duke bërë investimin e fundit më të madh në këtë sektor prej 5 milionë eurosh. Ndërkohë, një nismë e fortë marketingu u zhvillua nga Agna Group për të pozicionuar mirë në treg ujin “Spring”.
Nga të dhënat e tregut, rezulton se importi pësoi rritje të peshës në treg, pas një qëndrueshmërie të shënuar tre vitet e kaluara. Sipas të dhënave të tregtisë, pesha e ujit të importuar u rrit me dy pikë përqindje, duke zënë 43% të tregut. Pjesa më e madhe e tij (gati 60% të importit) vjen nga tregu italian. Me këtë treg, rrugët e importit janë shumë të forta, vlerësojnë ekspertët e tregtisë, veçanërisht pas futjes së rrjetit të tregtisë me pakicë “Conad”. Prodhuesit vendas mendojnë se uji i importuar, pavarësisht se zë pjesën më cilësore të tregut (hotele-restorante), është shumë më pak se ai i prodhuar në vend.
Uji i gazuar rritet 40%
Shumë më i mbarë ishte viti që shkoi për prodhimin e ujit të gazuar. Sipas të dhënave të agroindustrisë, sasia e ujit të gazuar arriti në 196 mijë hektolitra, sa një e treta e ujit mineral të prodhuar në vend. Drejtuesit e stabilimenteve tregojnë se, ky segment i tregut u rrit edhe për shkak të shtimit të llojit të ofertës. Disa prej tyre kanë guxuar të nxjerrin ambalazhe uji me shije si ajo e limonit, nismë që rezultoi e suksesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.