Tregu i pensioneve private vullnetare ka vijuar rritjen e tij gjatë 9-mujorit të këtij viti, duke regjistruar një vlerë rreth 21% më të lartë sesa fundi i vitit 2016.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se totali i asateve neto shënoi 11.91 milionë euro. Vetëm për këtë vit rritja ishte me 2 milionë euro. Edhe pse tendenca mbetet pozitive dhe zgjerimi ka qenë dyshifror, tregu i pensioneve private vullnetare mbetet i vogël.
Pozitive në 9-mujorin e 2017 është edhe rritja e numrit të anëtarëve në fondet e pensioneve, të cilët arritën në 20 223, duke u rritur me 16.78% krahasuar me fundin e vitit 2016.
Në treg, aktualisht janë tre fonde pensionesh. Kryesisht investimi i aseteve të këtij tregu bëhet në obligacione të qeverisë shqiptare. Portofoli i investimeve në këtë zë ka shënuar rritje me 18% në raport me fundin e vitit 2016.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, vlera e aseteve të këtij tregu mbetet e papërfillshme por ritmet e rritjes janë vlerësuar si pozitive për një zgjerim të mëtejshëm. Nga ana e kompanive të sigurimit është lobuar për një ndryshim në skemën totale të pensioneve, duke shtuar edhe një kolonë të tretë e cila do të jetë e detyrueshme private.
Ky variant është lakuar në disa raste edhe nga qeveria, por që ende nuk ka një vendimmarrje. Gjithsesi ministri Arben Ahmetaj pranoi pak ditë më parë se skema e pensioneve do të amendohet shumë shpejt, por nuk bëri të qartë nëse do të kemi edhe shtimin e kolonës së tretë.
Kompanitë që aktualisht kanë fonde të pensioneve, nga ana tjetër kanë kërkuar që të shikohen mundësitë për disa lehtësi fiskale, që do të nxisnin më shumë pjesën e pensioneve private vullnetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.