Agjencia Kombëtare e të Ardhurave dhe Agjencia Kombëtare e Doganave janë autoritetet kryesore të angazhuara në mbledhjen e të ardhurave.
Ato grumbullojnë taksa dhe akciza që shkojnë në buxhetin e shtetit. Të dyja institucionet kanë raportuar të ardhura në nivel rekord. Agjencia Kombëtare e të Ardhurave ka grumbulluar 13,14 miliardë euro deri në nëntor, që është 1,89 miliardë euro më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat nga TVSH-ja, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi korporatat, arritën në shumën prej 7.52 miliardë eurosh, tha drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave, Rumen Spetsov.
Agjencia Kombëtare e Doganave gjithashtu kontribuon në mbledhjen e të ardhurave. Në tetor të këtij viti, të ardhurat totale mujore nga akciza dhe TVSH-ja arritën në nivele rekord – 499 milionë euro, 14,4% më shumë (63 milionë euro) në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Mes janarit dhe tetorit 2021, të ardhurat nga akciza, TVSH-ja e importeve dhe gjobat, ishin rreth 4.5 miliardë euro.
Çfarë e shkaktoi këtë rritje mbresëlënëse të të ardhurave nga financat publike?
Nga njëra anë, kjo dëshmon se ekonomia e Bullgarisë është në një gjendje relativisht të mirë dhe po gjeneron fitime të mira nga taksat. Për më tepër, tatimi mbi të ardhurat personale zë vendin e dytë për sa u përket burimeve të të ardhurave, gjë që është në përputhje me rritjen e qëndrueshme të të ardhurave – pra, sa më të larta të jenë të ardhurat, aq më të larta janë taksat e vendosura mbi to dhe rrjedhimisht edhe të ardhurat e grumbulluara nga shteti. Fatkeqësisht, inflacioni vjetor në vend ka kaluar nivelin 6%, gjë që ndikon negativisht në fuqinë blerëse. Megjithatë, inflacioni më i lartë kontribuon në rritjen e të ardhurave shtetërore, për shkak të çmimeve më të larta të shitjes së mallrave dhe shërbimeve. Dy agjencitë e angazhuara në mbledhjen e të ardhurave kanë meritën e tyre, sepse përdorin mjete efikase për ta bërë mbledhjen e të ardhurave më efektive.