Rrjeti i amortizuar, OSHEE: Në zonat rurale problem 6/10 kilovoltshi

16/07/2019 12:00 PM 0 komente

Mjaftuan dy ditë me mot të keq për të krijuar problematika me furnizimin me energji në disa zona të vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të raportonte se dëmet e shumta mbi rrjetin elektrik sollën ndërprerje të energjisë elektrike në 84 fidera, ku si rezultat i motit të keq me shtrëngata shiu dhe erë të fortë u prekën rajonet Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

Edhe pse kjo është e paevitueshme edhe në kushte më të mira, në rajone ku rrjeti është i amortizuar bëhet edhe më evident. Pavarësisht investimeve që janë bërë vit pas viti në rrjetin e shpërndarjes vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pranon se në zona të thella rurale qëndrueshmëria e rrjetit është e ulët. “Rritja e amortizimit në rrjetin 6/10 kilovolt në zonat rurale dhe rurale të thella ka çuar në uljen e qëndrueshmërisë së rrjetit nga faktorët e jashtëm si reshjet, erërat. Reshjet e shiut çojnë në rritje numrin e fiderave të stakuar nga 10-140 fidra (5-10%) e totalit të fidrave që i përgjigjet një numër konsumatorësh prej 49 mijë deri në 100 mijë abonentë.

Në planin e vet të investimeve, OSHEE raporton se janë përkeqësuar treguesit e furnizimit për janar-dhjetor 2018 në raport me të njëjtën periudhë të 2017-s për rajonet Korçë, Berat Elbasan. “Në këto zona rrjeti i amortizuar 6-10 kv po karakterizohet nga një ulje qëndrueshmërie ndaj kushteve atmosferike të erës, reshjeve që reflektohet në rritjen e numrit të defekteve në periudha kohe të keqe. Një faktor shtesë në përkeqësimin e treguesve janë edhe lidhjet e HEC-ve në rrjetin e shpërndarjes në zonat ku kapacitetet e prodhimit janë në kufijtë e atyre të transmetimit dhe transformimit si Korçë, Elbasan Burrel” vlerëson OSHEE.

Sipas treguesve që disponon kompania në rrjetin që shtrihet në zona rurale dhe ato të thella treguesit vazhdojnë të jenë në vlera mjaft të larta 4-7 herë më të larta se ato në zonat urbane. Madje peshën më të madhe në preferencë e zënë defektet në zonat e thella që së bashku me ato rurale shkojnë në 84 për qind.

Për të përmirësuar këtë OSHEE ka nënvizuar që edhe pse ka pezulluar 69 projekte  për shkak të situatës së saj të vështirë financiare, do të kryejë disa ndërhyrje në rrjetin 6/10 kilovolt si dhe riparime në kabina duke i detajuar specifikisht me rajone dhe aty ku shihet më emergjente ndërhyrja.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of