Në fillim të kësaj jave, u organizua takimi i 11-të (njëmbëdhjetë) i Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE), nën kujdesin dhe drejtimin e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare dhe me praninë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Pjesëmarrësit në këtë takim virtual u ndalën dhe diskutuan mbi tema me interes për tregun financiar dhe kontributin e anëtarëve të Rrjetit në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit për edukimin financiar dhe përmirësimin e nivelit të tij në të gjitha shtresat e popullatës.
Një vend të rëndësishëm në diskutime zuri inisiativa e Bankës së Shqipërisë për të hartuar një Strategji Mbarëkombëtare për Edukimin Financiar, inisiativë e cila është mirëpritur nga ANFE dhe anëtarët e saj janë angazhuar të kontribuojnë maksimalisht për ta bërë këtë strategji sa më gjithëpërfshirëse dhe me ndikim sa më të gjerë në shtresat e popullatës. Në këtë drejtim pati edhe disa prezantime dhe ndërhyrje nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilët sollën eksperiencën e tyre në këtë drejtim, të aplikuar në vende të tjera.
Në takim, u prezantuan edhe informacione në lidhje me veprimtaritë e planifikuara gjatë këtij viti, si “Java Globale e Investitorit 2021”, “Dita Botërore e Kursimeve 2021”, “Fushata Huamarrje e Zgjuar 2021”, si edhe veprimtari të tjera të cilat janë duke u organizuar në vijimësi.
Për informacionin e Rrjetit dhe të anëtarëve të tij, u ofruan gjithashtu edhe prezantime ne lidhje me statusin aktual të operimit të Regjistrit të Titujve ALREG, si edhe ne lidhje me Ligjin e ri Nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë dhe risitë që ai sjell si një hap i rëndësishëm drejt përafrimit legjislativ me standardet europiane.
Pjesëmarrësit diskutuan rreth hartimit të plan veprimit në lidhje me rolin e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar në vijimësi, qoftë në drejtim të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Edukimin Financiar, si edhe në drejtim të aktiviteteve të planifikuara përgjatë vitit.
Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE), është një organizëm i krijuar në vitin 2018, i cili mbështetet nga dhjetë institucione financiare dhe organizata përfaqësuese të operatorëve të tregut: Shoqata Shqiptare e Bankave, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, Shoqata e Tregtimit të Titujve, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Junior Achievement of Albania, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Shërbimi Kombëtar Rinor dhe German Sparkassestiftung in Albania. Misioni kryesor i këtij rrjeti organizatash është të kontribuojnë në përmirësimin e nivelit të edukimit financiar në vend, duke ndërgjegjësuar, advokuar dhe promovuar aktivitete të organizuara nga organizatat pjesëmarrëse për këtë qëllim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.