Fondi i pagave në sektorin privat të ekonomisë nisi të rikuperohet në vitin 2016, kur totali i vlerave monetare të dhëna për paga në fund të 9-mujorit 2016 shënoi një rritje vjetore me 6%.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja më e madhe ka ndodhur në agjencitë e udhëtimit. Rritja e fondit të pagave nuk është pasqyrë e pagës individuale të punonjësve në sektorin përkatës, por është tregues se sektori është zgjeruar me operatorë të rinj. Sektori i turizmit është në maturim dhe çdo vit shtohet numri i operatorëve të rinj, sidomos agjencive të udhëtimit.
Siç shihet nga të dhënat, pas agjencive të udhëtimit, fondi i pagave ka shënuar rritjen më të lartë për sektorët e tregtisë dhe shërbimeve përkatësisht me 15.9% dhe 10.6%. Duke qenë se në terma të volumit këta dy sektorë kanë pasur një rritje jo më shumë se 3-4%, fondi më i lartë i pagave i dedikohet rritjes së rrogave për punonjësit aktualë në këta sektorë.
Në 13 sektorët kryesorë të ekonomisë shihet se Industria nxjerrëse dhe ajo e energjisë dhe ujit kanë pësuar rënie të fondit të pagave për 2016. Sipas të dhënave të INSTAT pagat në sektorin e industrisë nxjerrëse pësuan një rënie me 12%. Sektori prej dy vitesh është duke vuajtur pasojat e çmimeve të ulëta në tregjet ndërkombëtarë. Kjo situatë ka krijuar rënie të të ardhurave për kompanitë të cilat e kanë reflektuar situatën në uljen e pagave dhe reduktimin e numrit të punonjësve.
Teksa shihet se në sektorë të tjerë si ndërtimi, hoteleria, TIK, pagat kanë shënuar një rritje më të moderuar.
Fondi i pagave në ekonominë shqiptare, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe Europës kanë pasur një raport të zhdrejtë me produktivitetin. Në vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare, teksa fondi i pagave në ekonominë shqiptare është dyfishuar në dekadën e fundit, produktiviteti nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.