Rruga e Kombit, këtë verë me pagesë

17/01/2013 11:53 AM 0 komente

autostrada durres pris_optNë fillim të verës, parashikohet që qarkullimi në Rrugën e Kombit të bëhet me pagesë. Shumë shpejt pritet të shpallet emri i kompanisë fituese që do ta marrë me koncesion. Procesi është vonuar, për shkak të disa detajeve që duhet të rishikohen në lidhje me marrëveshjen që do të lidhet.

Në verën e këtij viti, për herë të parë edhe në Shqipëri, do të nisë të paguhet për qarkullimin në rrugë. Bëhet fjalë për segmentin rrugor Milot-Rrëshen-Kalimash-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit, e cila do të mirëmbahet nga sektori privat. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve bëjnë të ditur se ishte parashikuar që të mbylleshin detajet për marrëveshjen koncesionare, më saktësisht për garancitë që do të duhet të ofrojë kompania që do të fitojë të drejtën për të mirëmbajtur rrugën, por edhe për operimin e saj. Nga ana tjetër, janë duke përfunduar së rishikuari dhe problemet e erozionit dhe peizazhimit të së gjithë rrugës. Problematikat që kanë dalë gjatë gjithë këtyre viteve janë vlerësuar me një kosto totale prej 12 milionë eurosh. Ky projekt asistohet nga IFC-ja (Korporata Financiare Ndërkombëtare) e cila është në rolin e këshilltares ligjore të Ministrisë së Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit. Ende nuk dihet me saktësi, por mendohet se tarifa e qarkullimit për automjetet e vogla do të jetë në kufirin e 5 eurove, ndërsa për ato me tonazh më të madh në rreth 10 euro. Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve do të duhen të paktën gjashtë muaj kohë që kjo tarifë të vendoset që nga koha kur do të shpallet kompania fituese e koncesionit të mirëmbajtjes. Kjo kohë është e mjaftueshme për të realizuar të gjitha detajet teknike, por edhe vendosjen e kabinave të posaçme për mbledhjen e të ardhurave. Segmenti Milot-Morinë ka një distancë prej 114 kilometrash dhe që nga ndërtimi, ai ka filluar të vuajë dëmtime të njëpasnjëshme, që kanë ardhur edhe si pasojë e terrenit të fortë malor që përshkon.

Jo pa qëllim në marrëveshjen që do të nënshkruhet me kompaninë fituese koncesionare do të jenë të parashikuara edhe segmentet problematike, si ndarja në mënyrë të balancuar e rreziqeve mes shtetit dhe koncesionarit. Mësohet se kompania e cila do të shpallet fituese, nuk do të ketë si detyrë vetëm vjeljen e të ardhurave nga taksa, por edhe realizimin e investimeve të nevojshme, të cilat në vlerë përllogariten diku te 80-100 milionë euro. Në garë janë pesë kompani, të njohura në fushën e ndërtimit dhe koncesioneve, ku spikat kompania gjermane që menaxhon nga viti 2005, aeroportin e vetëm ndërkombëtar, “Nënë Tereza”. Nga një përllogaritje e thjeshtë (duke pasur parasysh tarifën prej 5 eurosh për makinat dhe rreth 10 euro për ato me tonazh më të madh) dhe me mesataren e mjeteve që kalojnë në ditë, qeveria mund të mbledhë vetëm nga tuneli rreth 13 milionë euro në vit. Sa i takon qarkullimit në këtë aks, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mësohet se në ditë, mesatarisht llogariten 6,500-7,000 automjete. Në verë kjo shifër shkon në rreth 12,000 automjete, ndërsa në dimër në rreth 3,500. Ekspertët thonë se kemi të bëjmë me një rrugë që përdoret më shumë sesa është parashikuar nga projektuesit.

Rritja e këtij fluksi ka ardhur si pasojë edhe e lehtësimit të procedurave doganore mes dy vendeve, si dhe faciliteteve që janë krijuar në Portin e Durrësit. Sipas ekspertëve, qëllimi është që kjo rrugë të ruajë vlerat dhe të bëhet atraktive për të thithur sa më shumë qarkullim, por edhe për t’i hequr shtetit barrën financiare. Kjo është edhe një ndër arsyet se përse shteti vendosi të “heqë dorë” nga mirëmbajtja e kësaj autostrade.

Ekspertët llogarisin se vetëm për mirëmbajtjen e tunelit që është ndër më të gjatët në Ballkan, nevojiten rreth 2 milionë euro në muaj.

Për tre vjet ndërtim, rruga 60 kilometra e gjatë, Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën, u kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 800 milionë euro. Vetëm për tunelin, rreth 6 kilometra i gjatë, janë shpenzuar nga buxheti i shqiptarëve afro 280 milionë euro. Shpenzimet e larta për rrugën goditën buxhetin në 2009-n, kur borxhi kapërceu pranë 59%, ndërsa deficiti buxhetor u rrit në atë vit me rreth 7%.

 

Edhe Thumanë-Rrogozhinë

Pagesa për rrugët kombëtare duket se tashmë nuk do të jetë më vetëm një projekt. Sipas ekspertëve të rrugëve, dhënia me koncesion e mirëmbajtjes së rrugëve do të shërbejë jo vetëm për uljen e kostos së këtij shërbimi në buxhetin e shtetit, por edhe për një cilësi më të mirë. Rruga e parë që do të jepet shumë shpejt me koncesion do të jetë segmenti Rrëshen-Kalimash, ndërsa parashikohet që nëse gjithçka do të shkojë mirë, një tjetër aks (që pritet të ndërtohet) ai Thumanë–Rrogozhinë gjithashtu do t’i jepet kompanive private, ka shumë gjasa të huaja për t’u menaxhuar. Në bazë të Kodit Rrugor Shqiptar, entet pronare të rrugëve, për garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit, kanë për detyrë: administrimin, mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve, pjesëve që i përkasin rrugës, si dhe të pajisjeve, impianteve dhe mjediseve të shërbimeve; kontrollin teknik të gjendjes së rrugëve dhe të pjesëve që i përkasin rrugës; si dhe vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalizimit të përcaktuar.

Sipas burimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, aktualisht është aprovuar bonusi për kompaninë kroate “Konstruktor-Inzenjering d.d-Split”, që ka bërë propozimin “e pakërkuar” për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtij segmenti. Mësohet se ende nuk janë plotësuar hapat më të domosdoshëm për shpalljen e tenderit për këtë aks të rëndësishëm, për të cilin thuhej se do të ishin gati në janar të këtij viti. Kostoja e ndërtimit llogaritet në rreth 500 milionë euro. Mësohet se për realizimin e investimit, kroatët janë të gatshëm të ofrojnë dhe të gjejnë burime financimi për të paktën 300 milionë euro, por përfitimet do të jenë të shumta, për shkak se aksi do të jetë i disponueshëm për transportin vetëm në rast pagese, duke nisur nga 3 euro (0.06 cent euro për kilometër). Aksi rrugor

Thumanë-Rrogozhinë do të ketë gjatësi 65 kilometra. Studimet tregojnë se ky segment (vertikal) zgjidh problemet e mbingopjes së trafikut të automjeteve në zonën e Shqipërisë Qendrore dhe shkurton distancat e transportit nga Jugu në Veri të Shqipërisë, dhe anasjelltas, si dhe realizon lidhjen e Veriut dhe Jugut me kryeqytetin dhe aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Ekspertët thonë se paraqitet si e vetmja mundësi për të shkarkuar trafikun e madh të segmentit Tiranë-Durrës dhe Durrës-Rrogozhinë, në të cilët, sipas studimit të Masterplanit të Transportit, rreth vitit 2023, trafiku në seksione të veçanta mund të arrijë deri në 60,000 automjete. Zbatimi i projektit do të lehtësojë trafikun e së gjithë Shqipërisë Qendrore, ku praktikisht zhvillohet 80 deri në 85% e të gjithë volumit të trafikut të vendit dhe ku jeton 4/5 e popullsisë dhe ekonomisë së vendit.

Qeveria shqiptare parashikon që pas përfundimit( gjatë këtij viti) të ndërtimit edhe autostrada Tiranë-Elbasan, mund të jepet me koncesion për mirëmbajtje. Brenda qershorit 2013 parashikohet të përfundojë ndërtimi i tunelit. Ky aks bashkon Elbasanin me Tiranën dhe krijon një nga tregjet më të mëdha në mbarë rajonin. Ai shkurton me një orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.

Ekspertët thonë se kompani të ndryshme të huaja e shohin me interes marrjen e rrugëve me koncesion, duke qenë se ato kanë kthim të shpejtë të investimeve, por edhe shpesh trafiku i qarkullimit të mjeteve rezulton se është më i madh nga ai që parashikon projektuesi.

 

7,000 mjete në ditë, qarkullimi mesatar në segmentin Milot-Morinë

E.B

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of