Rruga Milot – Balldren, kosto sa dyfishi nëse qeveria do ta ndërtonte vetë, si u rinegociuan interesat pa garë

30/05/2019 2:02 PM 0 komente

Kostot e projektit të rrugës Milot – Balldren, me një gjatësi totale prej 17.2 km, një koncesion i pakërkuar i dhënë kompanisë A.N.K është 213.6 milionë euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP.

Nga kjo shumë, financimi i kompanisë është 140 milionë euro, sipas specifikimeve në kontratë, nga të cilat një hua  bankare prej  70 milionë eurosh, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare, financimi  nga furnitorët  prej 19.5 milionë euro dhe 52 milionë euro kompania premton se i ka nga kapitali i vet.

Pjesa e mbetur prej 72 milionë eurosh do të shkojë për pagim interesash dhe fitimin e kompanisë, teksa kjo shumë përbën rreth 34% të totalit (pa TVSH), ose rreth një të tretën e kostos totale të rrugës, çka e çon koston totale për kilometër në 15 milionë euro për kilometër (përfshirë TVSH).

 

Shteti do ta ndërtonte vetë me 6 milionë euro/km, rruga do te kushtonte gjysmën

Qeveria në strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016 -2020, e cila u hartua me asistencën e Bankës Botërore, planifikoi të ndërtonte By Passin e Lezhës (aksin Milot-Balldren) me gjatësi vetëm 4 kilometër kundrejt 24 milionë euro, ose 6 milionë euro për kilometër. Më pas projekti u zgjerua ne gjatësi nga 4 në 17 kilometër dhe sipas kostove fillestare, nëse rruga do të ndërtohej me fonde buxhetore, nuk do të kushtonte me shumë se, 102 milionë euro, ose më pak se gjysma e asaj që do të duhet të paguajmë të gjithë me taksat tona.

 

Si u rinegociua kontrata pa garë

Ne 9 tetor 2018, kompania A.N.K fitoi procedurën konkurruese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldre, me vlerë ndërtimi dhe mirëmbajtje gjithsej 161.5 milionë euro, sipas buletinit zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Në këtë shumë, sipas parimit të përgjithshëm në bazë të të cilit funksionojnë  presupozohet që kompania duhet të kishte llogaritur të gjitha kostot, interesat për huatë e mundshmë dhe fitimin e saj, që qeveria nga ana e saj duhet t’ia kthente me këste për një afat 13 vjeçar.

Por, kontrata është rinegocuar më pas pa garë, një praktikë që nuk mbështetet në asnjë ligj, teksa një pjesë e kontratës është kontraktuar përmes tenderit konkurrues dhe më pas pjesa tjetër është rinegociuar për interesat . “Sipas  propozimit  të  rishikuar  financiar,  sipas  deklaratës  të  datës  19.3.2019, norma  e  interesit  e  llogaritur  për  gjitha  burimet  e  financimit  të  përcaktuara  më  sipër është 5%”, thuhet në kontratë (bëhet fjalë për tre burimet e financimit të kompanisë nga kredia, kapitali i vet dhe furnitorët prej 140 milionë eurove). Ky rinegocim i paprecedentë dhe pa garë e çoi vlerën e kontratës në 213 milionë ero, duke e rritur atë me 32%.

Kompania llogarit në tabelat e publikuara në kontratë se do të paguajë interesa prej rreth 31 milionë eurosh për kredinë 70 milionë euro dhe financimet e furnitorëve prej 19.5 milionë euro, duke mbetur një fitim për kompaninë rreth 40 milionë euro, ose rreth 20% e totalit.

Ndërsa normat e fitimit, me të cilat operohet në tenderet e rrugëve përgjithësisht, sipas operatorëve në treg llogariten në 6-8% të totalit të shumës së shpenzuar.

Nga ana tjetër, norma e interesit prej 5% për të cilën kompania ka negociuar pa garë është më e lartë sesa interesi i eurobondit prej 3.55% që qeveria emetoi eurobondin e ri pak muaj më parë.

 

Kompania nuk i justifikon kapacitetet financiare

Ndërsa kompania premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrar nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj është vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro.

 

Skeda teknike e projektit

Gjatësia e autostradës është 17.26375 km duke përfshirë rrugën automobilistike kryesore dhe tunelin përkatësisht me këto gjatësi. Projekti do të përfshijë projektimin e rrugës nga Nyja e Milotit (kryqëzimi me Rrugën e Kombit) dhe deri në Balldren afër kryqëzimit me rrugën e Tororvicës, përfshirë dhe projektimin e tunelit sipas këtij standardi (kategoria “A”) me dy gryka

  1. a) Rrugë automobilistike kryesore 15 km+570.35 m
  2. b) Tuneli , me gjatësi 850 m
  3. c) Ura e Matit, me gjatësi 620 m

ç) Ura e Drinit, me gjatësi 223.4 m

Gjithashtu, propozohet ndërtimi në total i 9,5 kilometër rrugë dytësore dhe rrugë lidhëse të nyejve për të mundësuar dhe lehtësuar qarkullimin e banorëve të kësaj zone.

Objekti është segmentizuar në 8 segmente të tjera të mëdha, si më poshtë vijon:

  1. Zgjerim i segmentit Nyja Fushë Milot-Ura e Matit (L = 1375 m)
  2. Zgjerim i segmentit  Ura e Matit-Nyja Shën Kollë – Zejmen (L = 1250 m)
  3. Zgjerim i segmentit  Nyja Shën Kollë-Nyja Ishull Lezhë-Rrile (L = 6250 m)
  4. Zgjerim i segmentit  Nyja Ishull Lezhë_Rrile-Ura Lumi Drin (L = 2025 m)
  5. Zgjerim i segmentit  Ura Lumi Drin-Nyja e Lezhës dhe ndërtimi i rrugëve sekondare (L = 1300 m)
  6. Ndërtimi i segmentit  Nyja e Lezhës-Hyrja e Tunelit (L = 2325 m)
  7. Ndërtimi i segmentit  Ndërtimi i tunelit (L = 1025 m)
  8. Ndërtimi i segmentit  Dalja e tunelit-Lidhja me rrugën ekzistuese Balldren (L = 788.75 m)

Kurora e rrugës:

  • 2 x 3.75m (korsi kalimi) +2 x 3.75m (korsi kalimi) +2 x 3 m (korsi emergjence) + 2 x 1+ 2×1.25 (bankinë e asfaltuar) + 2×0.7 (hapësira nga trafikndarësi)
  • Gjerësia e asfaltuar e kurorës së rrugës 26.9 m.

Referuar standardeve të projektimit rrugët sekondare dhe lidhëse janë të kategorisë F2, me parametrat, si më poshtë vijon:

  • 2 x 3.25m (korsi kalimi) + 2 x 1m (bankinë)
  • Gjerësia e asfaltuar 6.5 m
  • Gjerësia e kurorës e rrugës 8.5 m.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of