Shtatë projekte të rëndësishme infrastrukturore ku 6 prej tyre përfshijnë ndërtime të reja, zgjerime apo vijim punimesh dhe një mbrojtje lumore do të ndërtohen me një kosto rreth 60 milionë euro.
Autoriteti Rrugor Shqiptar publikoi këto ditë fituesit e projekteve infrastrukturore, tenderët e të cilave u hapën në fund të marsit ku rezulton se në total nga gara janë kursyer vetëm 5.5 milionë euro.
Të mara së bashku duket se procedurat kanë dhënë një kursim me 8.5 për qind nga fondi limit por në disa prej tyre raporti i fondit limit dhe ofertës mbetet thuajse i papërfillshëm. Por cilat janë në fakt projektet për të cilat ARRSH ka njoftuar fituesin dhe ofertat me të cilat kompanitë në fjalë kanë fituar këtë garë.
Kështu e para është kontrata që ka në objekt “Rrugën Ura e Cerenecit – Peshkopi (Peshkopi – Maqellarë), Loti 3” që kishte një fond limit 1.24 miliardë lekë. Fituesi në këtë rast kompania Gjoka Konstuksion e ka fituar procedurën me një ofertë sa gati 96 për qind e fondit limit.
Kontrata e dytë është ajo për “Mbrojtje lumore nga km 9+040 deri në km 9+240 në aksin Milot Morinë”. Kjo kontratë është fituar nga kompania Salillari me një ofertë 1.43 milionë euro apo sa 87.9 për qind e fondit limit.
Kontrata e tretë është ajo e “Zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafe – Thanë (Faza II)”. Fondi limit për këtë projekt ishte 2.49 miliardë lekë teksa ëhstë fituar për 2.42 miliardë lekë. Procedura e tenderimit që fituar nga 4A-M ka një ofertë sa 97 për qind e fondit limit.
Kontrata e katërt ka të bëjë me “Plotësimin, rakordimin, rehabilitimin e segmentit mbikalimi pallati me shigjeta – rreth rrotullimi i sheshit Shqiponja Loti 3”. Kjo procedurë është fituar nga kompania PE-VLA-KU me një ofertë 449 milionë lekë apo sa 96 për qind e fondit limit të prokuruar.
Kontrata “Ndërtimi i rrugës Berat-Ballaban” e cila gjithashtu u shpall në mars është fituar nga kompania ALBAVIA për një ofertë 1.83 miliardë lekë duke qenë kështu ndoshta një nga procedurat që ka kursyer më shumë buxhetin e shtetit. Fondi limit për këtë procedurë ishte 2.25 miliardë lekë. Raporti i ofertës me fondin ishte 81.5 për qind.
Kontrata tjetër për “Plotësimin e punimeve të mbetura në aksin Porto Romano – Durrës Loti 3” ka tashmë si fituese kompaninë Geci me një ofertë 487 milionë lekë apo sa 97.5 për qind e fondit limit.
Ndërkohë “Ndërtim i nyjes Bërzhitë dhe rrugët lidhëse të autostradës Tiranë – Elbasan” është fituar nga Shkëlqimi 07 me një ofertë sa 84 për qind e fondit limit. Në vlerë kjo ofertë ishte 166 milionë lekë./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.