Modeli i Rrugës së Kombit ku mirëmbajtja dhe operimi i kaloi një kompanie private u vëzhgua nga afër nga Korporata Financiare Ndërkombëtare si një shembull që qeveria do të ndiqte me disa akse të tjera.
Por gjatë këtyre viteve vëmendja kaloi nga mirëmbajtja e asetit ekzistues rrugor tek hapja e fronteve të reja të punës në rrugë përmes partneriteteve publike private që lindën nga disa oferta të pakërkuara. Banka Botërore në një raport të sajin të ndikimit të projekteve që mbështet financiarisht në vendin tonë pohon se modeli i një transaksioni të vetëm si ajo e rrugës Milot-Morinë ende nuk i ka ndikuar politikat e përgjithshme në mirëmbajtje.
“Mbështetja e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) rezultoi në një transaksion të PPP, megjithëse ende i duhet të ndikojë politikat. Shërbimet këshilluese të Korporatës Financiare Ndërkombëtare ndihmuan në përmbylljen e një kontrate koncesioni për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morine 114 kilometra në shtator 2017, autostrada e parë PPP dhe rrugë me pagesë në Shqipëri. Kjo pritej që të hapte rrugën për autostrada të tjera me pagesë në vend. Megjithatë, nuk ekziston asnjë tregues i një angazhimi afatgjatë për përdorimin e zgjeruar të ofertave konkurruese PPP në sektorin e rrugëve. Përkundrazi, kohët e fundit ka pasur përdorim të gjerë të PPP jokonkurruese, apo oferta të pakërkuara për rrugë” thuhet në raport.
I njëjti vlerëson se puna analitike e Bankës Botërore për të përmirësuar performancën logjistike ka pasur ndikim të kufizuar deri më tani.
“Studimi zhvilloi idenë e përmirësimit të performancës logjistike në korridorin Durrës-Tiranë përmes një platforme bashkëpunimi për subjektet përdoruese. Megjithatë, vëllimi i transaksioneve përmes platformës ka qenë i ulët deri më tani për shkak të interesit të kufizuar nga përdoruesit” nënvizon dokumenti.
Duke analizuar të dhënat ndër vite Banka Botërore vlerëson se bazuar në rezultatet e deritanishme, arritja e objektivave në sektorin e rrugëve vlerësohet mesatarisht i kënaqshëm.
“Projektet e sektorit rrugor janë vlerësuar, duke adresuar fillimisht nevojën relativisht më të madhe për rrugë sekondare dhe lokale duke theksuar gjithnjë e më shumë menaxhimin e qëndrueshëm financiar të asetit rrugore dhe duke hedhur bazën për përfshirjen e privatit në operimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Mbështetja e Bankës Botërore gjithashtu kontribuoi në përmirësimin e cilësisë së programit të investimeve publike në sektorin rrugor dhe për rritjen e kapacitetit për institucionet e sektorit rrugor, sigurinë rrugore dhe çështjet e qëndrueshmërisë, megjithëse rezultate të rëndësishme ende nuk janë materializuar në disa zona” thuhet në raport./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.