Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë prokurimi lidhur me rrugët dytësore në nyjën Milot. Referuar dokumenteve të këtij institucioni bëhet e ditur se fondi limit i vënë në dispozicion është rreth 10 milionë euro i ndarë në tre vite.
Në objekt të kontratës parashikohen dy komponentë, së pari përfundimi i punimeve për vënien në shfrytëzim të Nyjes së Milotit dhe së dyti, kryeja e volumeve të punës sipas projekt-preventivit të zbatimit të Rrugëve Dytësore, punimet e të cilit janë të lidhura domosdoshmërisht me vënien në shfrytëzim të Nyjes së Milotit.
ARRSH ka ndarë në specifikimet e saj teknike edhe punimet që do të kryhen për secilin nga komponentët. Kështu “Ndërtim nyja lidhëse e rrugës Milot – Lezhë – Rrëshen – Thumanë” është pjesë e rrjetit rrugor kombëtar dhe i përket njëkohësisht si korridorit Veri – Jug ashtu dhe aksit Durrës – Kukës – Morinë. Projekt-preventivi i kontratës parashikon ndërtimin e një interchange, në kryqëzimin e autostradës Milot – Rrëshen – Kukës – Morinë dhe asaj Fushë Krujë – Milot – Lezhë. Nyja përbëhet nga dy akse dhe katër rampa: Aksi Milot – F.Krujë me gjatësi 752 m, aksi F.Krujë – Lezhë me gjatësi 1463 m.
Po kështu është parashikuar vendosja e Sinjalistikës horizontale për vijëzimin e rrugës, realizimin e zebrinave e simboleve të ndryshme sipas vizatimeve përkatëse si dhe vendosja e reflektorëve të asfaltit sy-maceve për rritjen e sigurisë rrugore
Rrugët Dytësore te Nyja Milot Rrugët pozicionohen në Bashkinë e Kurbinit. Këto rrugë konsiderohen shumë të rëndësishme për banorët e zonës, pasi me përfundimin e zbatimit të projektit të “Ndërtim nyja lidhëse e rrugës Milot – Lezhë – Rrëshen – Thumanë”, do të bllokohen lidhjet e tyre të drejtpërdrejta me rrugën nacionale.
Rrugët Dytësore të Nyjës Milot janë të ndara në rrugë dytësore dhe rrugë të brendshme për në banesa, parcela bujqësore e biznese. Rrugët e brendshme sigurojnë daljen në rrugët dytësore për banorët, parcelat bujqësore dhe bizneset. Ndërsa lidhja me akset nacionale realizohet nëpërmjet rrugëve dytësore duke shfrytëzuar nënkalimin ekzistues Gurëz-Milot në njërën anë si dhe mbikalimin ekzistues të Patokut në anën tjetër të nyjes së re Milot. Janë gjithsej 7 rrugë dytësore dhe 13 rrugë të brendshme të përfshira në projekt, me gjatësi totale 11 910 ml.
Punimet në këtë projekt pritet që të zgjasin 15 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.