Sektori mikrofinanciar po i orienton huamarrësit drejt investimeve më të përgjegjshme. Kredia për pajisje që konsumojnë më pak energji, apo për një shtëpi me termoizolim, kushton më lirë. Fondi Europian EFSE parashikon të investojnë 30 milionë euro në Shqipëri
Alban Lika, prodhues i një punishteje të vogël në qytetin bregdetar të Durrësit, synon të furnizojë të gjithë tregun e brendshëm me biskota (amareta) dhe të shtojë gamën e prodhimeve me marrjen e kredisë eko. Klient i “ProCredit” prej disa vitesh, ai ka vendosur të blejë makineri që konsumojnë pak energji, për të cilat mund të marrë një kredi rreth 1 pikë përqindjeje më të lirë. Investimet që ulin konsumin e energjisë, janë bërë një “ofertë” e veçantë në sektorin e mikrofinancës. Pas vështirësive që solli kriza financiare, orientimi miqësor ndaj ambientit shihet si një rrugë e mirë për të nxitur investimet dhe hapjen e vendeve të punës, nga Fondi Europian për Europën Juglindore (EFSE).
E ngritur që prej vitit 2009, fondi “Green for Growth” i EFSE ka siguruar një portofol investimi prej 50 milionë eurosh dhe sipas drejtuesve të këtij fondi, plani i investimeve për pesë vitet e ardhshme është 400 milionë euro.
Interesi për të rritur financimet në tregun shqiptar bëri që rreth 300 përfaqësues të bankave qendrore dhe sektorit financiar, investitorë publikë e privatë nga Europa Juglindore, Europa Lindore dhe Kaukazi, të mblidhen në takimin vjetor të EFSE-s në Tiranë javën e kaluar. Efekti krizë bëri që sistemi financiar të përballet me një realitet të ri dhe drejtuesit e EFSE-s po studiojnë me interes mënyrën e rritjes në këto kushte. Sigurisht që kriza financiare nuk ka ndryshuar objektivin thelbësor të këtij fondi, financimi i mikro-ndërmarrjeve, atyre të vogla dhe të mesme, por, kreditimi po orientohet drejt një prodhimi më efecient, vlerësojnë drejtuesit e bordit të EFSE-s.
Dr. Klaus Glaubitt, drejtor i Bordit të EFSE-s, u shpreh se “që prej dhjetorit 2005, fondi ka dhënë rreth 975 milionë euro për institucionet financiare vendase për hua përmes të tretëve, për ndërmarrjet e vogla e të mesme (NMV), duke lehtësuar afërsisht 270,000 hua për biznesin dhe përmirësim të kushteve të banimit, me një vlerë prej 1.5 miliardë eurosh gjithsej”. Kur plani i investimeve është ambicioz për vitet e ardhshme, drejtuesit e EFSE vënë theksin tek investimet e përgjegjshme. Sipas z. Glaubitt, “kjo dhe fakti që G20 e rendit EFSE-n ndër zgjidhjet financiare më novatore për mikrondërmarrjet, ato të vogla dhe të mesme, dëshmon vlerat që mbart modeli i EFSE-s për partneritetin publik-privat si katalizator për financimin për zhvillim”. Në vendin tonë, EFSE ka financuar mbi 8,700 hua deri më tani. Pavarësisht se qeveria shqiptare është partnere e këtij fondi, institucionet shqiptare të kreditimit janë angazhuar pak në këto fonde. Sipas të dhënave, duke llogaritur vlerën e investimit, Shqipëria ka marrë vetëm 5% të kreditimit që EFSE ka dhënë në 14 vendet e Europës Juglindore. Gjithsesi, Ardian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë, ka vlerësuar ndihmesën që fondi ka dhënë në Shqipëri, “nëpërmjet financimit me kushte konkurruese të projekteve të biznesit, në një kohë kur kredia e sektorit bankar regjistroi ritme të ngadalta gjallërimi”.
Fondi bashkëpunon me 64 institucione partnere huadhënëse dhe ka dhënë afro 1 miliard euro hua gjatë gjithë kohës. Përmes saj, partnerët kanë arritur të japin pothuaj gati 270 mijë hua me një vlerë totale prej 1.5 miliardë eurosh për ndërmarrje mikro dhe të vogla, si dhe për individë për përmirësim të kushteve të banimit. Nga katër vende, ku financonte pesë vite më parë, ajo sot ka arritur të “injektojë” financime në 14 vende. “Në çdo vend, dhe në bashkëpunim me partnerët tanë, përbërja e fondit, që përfshin qeverisje të shëndoshë, është çelësi për shërbime të shpejta dhe të shënjestruara. Shpejtësia dhe efektshmëria kanë qenë në fokus të fondit, po aq sa cilësia”, u shpreh drejtori i Bordit të EFSE-s. Sipas tij, kjo ka bërë që portofoli të ketë një cilësi shumë të mirë. Deri tani, fondit i është dashur të ndërtojë më pak se 1% për provigjone.
Katër kontrata financimi në rajon
Javën e kaluar, drejtuesit e EFSE nënshkruan katër marrëveshje të reja huaje me institucione financiare, të cilat do të financojnë me fondet e marra nga EFSE ndërmarrje mikro dhe të vogla (NMV) të vendeve të tyre. Banka “ProCredit” në Maqedoni nënshkroi kontratën e kombinuar prej 2.5 milionë (euro) dhe 2.5 milionë (dinarë maqedonas) për hua përmes të tretëve për MSE-të, “Raiffeisen Bank”, Serbi, nënshkroi një kontratë prej 25 milionë eurosh për hua për përmirësimin e kushteve të banimit, MCC Mikrofin në Bosnjë-Hercegovinë (4 milionë euro për hua për NMV-të) dhe Banka ARARAT në Armeni (10 milionë dollarë amerikanë për hua përmes të tretëve për NMV-të). Pavarësisht se Komisioni Europian bëri të ditur se do të investojë 5 milionë euro për të mbështetur zgjerimin e operacioneve të investimit të EFSE-s në Kroaci dhe Turqi, kjo nuk arriti ta bënte “interesante” ofertën për institucionet financiare shqiptare.
E ardhmja, optimiste
Vitet e ardhshme shihen me besim në sektorin e mikrokredisë dhe drejtuesit e Fondit Europian u shprehën të gatshëm për të kontribuar, me partnerët e tyre për të nxitur hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e kushteve për financa të përgjegjshme. Deri në vitin 2015, fondi pritet të investojë 900 milionë euro në institucione kreditimi partnere në Europën Juglindore dhe Kaukaz. Kjo vlerë do të shërbejë për 280 mijë hua të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe përmirësim e kushteve të banimit.
Për Shqipërinë, drejtori i Bordit të EFSE u shpreh se “fakti që Tirana është vendi i mbledhjes vjetore të EFSE-s rikonfirmon partneritetin e konsoliduar me Shqipërinë. EFSE do të rrisë financimin e institucioneve vendase me 30 milionë euro gjatë tri viteve të ardhshme. Kjo do të lehtësojë afërsisht 9,400 hua. Përveç forcimit të ekonomisë shqiptare, kjo do të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj me ekonominë europiane”. Financimet e dhëna deri më tani kanë krijuar gati 9 mijë vende pune të reja në Shqipëri. Duke vlerësuar këtë fakt, Kryeministri shqiptar Sali Berisha, tha se “Republika e Shqipërisë u bë aksioneri i parë qeveritar rajonal që iu bashkua EFSE-s”. Shtimi i financimeve të këtij fondi shihet paralel me shtimin e garancive në treg dhe për këtë, kryetarja e Komitetit të EFSE-s – “Lehtësimi për Zhvillim”- Monika Beck, tha se, “EFSE do të rrisë programet e asistencës teknike dhe të trajnimit për institucionet partnere huadhënëse, me qëllim rregullimin e praktikave të huadhënies, në përputhje me panoramën e re ekonomike pas krizës së fundit financiare. Përveç huadhënies për segmentin e NMV-ve, kjo do të sigurojë që financimi i EFSE-s të mbështetë ekonominë reale”.
Plani i investimeve në Shqipëri:
30 milionë euro në tre vitet e ardhshme për të përmirësuar kushtet e banimit
Cili është Fondit Europian për Europën Juglindore (EFSE)
Mundësia e financimit vlerësohet si çelësi i suksesit të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Pikërisht ndërmarrjet e këtyre përmasave janë në fokusin e EFSE-s, e cila përmes shpërndarjes së fondeve te kompani (të interesuara) të sektorit financiari të vendeve Europës Juglindore, rrit mundësinë e kreditimit të kësaj pjese të biznesit, pak të “preferuar” nga bankat e mëdha. Financimet e fondit janë shtrirë në rajonin e Europës Lindore, (Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Serbi, Rumani, Turqi, Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Fondi jep financim afatgjatë, kryesisht për ndërmarrjet mikro dhe të vogla (NMV-të) dhe individë e familje për përmirësimin e kushteve të banimit, nëpërmjet institucioneve partnere huadhënëse vendase. ESFE u krijua më 15 dhjetor 2005 nga KfW Entwicklungsbank (Banka Gjermane e Zhvillimit) nga katër programe shumëpalëshe donatore të administruara prej saj. Fondi është partneriteti i parë publik-privat i këtij lloji dhe administrohet në mënyrë private për financimin e zhvillimit, i cili ka për qëllim të rrisë kapitalin privat për financimin e NMV-ve në rajonin e përzgjedhur. Kapitali jepet nga agjenci donatore, institucione financiare ndërkombëtare dhe investitorë institucionalë privatë. EFSE numëron 16 vende partnere gjithsej.
Financa të përgjegjshme
Flet Dr. Klaus Glaubitt, drejtor i Bordit të EFSE
Cilat janë sfidat e ardhshme financiare? Nga këndvështrimi ynë, kriza në rajonin tonë i ka dhënë njohuri të reja dhe ka hapur perspektiva të reja që mund të kenë ndikim të përhershëm në politikën ekonomike.
Siç e dimë, me përkeqësimin e krizës globale, Komiteti i Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare propozoi reforma të gjera në lidhje me dispozitat për kapital dhe likuiditet. Në nëntor 2010, këto rregulla, njohur si Bazel III, u miratuan në Samitin e G 20 në Seul. Tani, ato duhet të transponohen në politikat kombëtare në vendet e zhvilluara për t’i bërë bankat individuale më të qëndrueshme dhe për të parandaluar mosfunksionimin. Të gjithë e dimë se kapitali me cilësi të lartë ofron stimuj dhe kufizime në marrjen rrezikut bankar. Gjithashtu, e dimë se një bazë e fortë kapitale dhe mbulim gjithëpërfshirës i rrezikut nuk mund të jenë zëvendësues për mangësi në administrimin e rrezikut. Ka shumë masa të tjera për promovimin e bankave më të sigurta. Pas zbatimit në vendet e zhvilluara, Bazel III ndoshta do të vendoset edhe në axhendën e vendeve në zhvillim në Europën Lindore me një vonesë të caktuar kohe. Ky është realiteti i ri që ka zbritur mbi të gjithë ne. Duhet ta formësojmë. Duhet ta përdorim për rritje.
Qëllimi është t’i bëjmë bankat më të sigurta me kërkesa më të larta kapitali, rregulla më të forta dhe kufizime në marrjen përsipër të rrezikut. Kjo do të thotë, në fakt, përgatitje e bankave dhe sektorit bankar për krizën e ardhshme. Modeli bankar do të përshtatet me kontekstin e ri. Është e vështirë të thuhet se si do të duket saktësisht procesi i përshtatjes. Por me të gjitha gjasat, strategjia e kreditimit në bankat europiane lindore do të bëhet më i diversifikuar. Ai mund të fokusohet më shumë në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe më pak në kredi konsumatore. Ka vende partnere ku mbrojtja nga rreziku aktual i kapitalit aksioner është më i madh se kërkesat për kapital e masave mikro-të kujdesshme të Bazel III.
Nga ana tjetër, ka vende ku jemi përballur me mangësi të kapitalit aksioner. Ne duhet të mbështesim më fortë kursimet dhe marrjen e huave në valutë në disa vende ku tregjet, financimi dhe kreditimi në monedhën vendase duhet ende të zhvillohet. EFSE po e sheh me shumë kujdes situatën. Në këtë drejtim kemi një nismë me Bankën Qendrore të Armenisë. EFSE po përdor një qasje vend pas vendi sa i takon monedhave kombëtare, pasi arsyet për “dollarizimin” mund të jenë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Përpara sfidave që na presin, duhet të marrin në konsideratë larminë e sektorit financiar dhe bankar në çdo vend të rajonit tonë të përzgjedhur. Në këtë kontekst, duhet të mbajmë parasysh se, brenda rajonit të përzgjedhur, kriza ka ushtruar ndikimin mbi institucionet e mikrofinancës, apo IMF-të, në veçanti, gjë që i bëri ato të kalojnë probleme më të mëdha në vigjilje të krizës financiare botërore. Të kuptuarit e këtyre mangësive është çelësi për formimin dhe shfrytëzimin për rritje të realitetit të ri.
çështja e parë që duhet të trajtojmë është se IMF-të kanë nevojë për një bazë rregullatore solide mbi të cilën të funksionojnë. Për shembull, pronësia apo aksionet kapitale nuk ishte e përcaktuar qartë atëherë dhe mbetet ende e paqartë tani. Aty ku nuk ka pronësi të qartë, nuk ka ndjenjë zotërimi, përgjegjësie apo llogaridhënie dhe rekurs të kufizuar për pronarët.
çështja e dytë është rrjedhojë e së parës: parime që nuk janë të përsosura apo nuk merren parasysh lidhur me financat e përgjegjshme. Po të kishin ekzistuar dhe të ishin funksionale, do të kishin ndihmuar për shmangien e disa teprimeve në fushën e financës konsumatore dhe më tej – borxhin e huamarrësve të mikrokredive. Me një nivel minimal qeverisjeje, do të kishim pasur kontrollet e nevojshme (checks and balances), si dhe mësimet dhe inovacionet e nevojshme që duhet të drejtojnë një institucion. Mangësitë në qeverisjen e sipërmarrjeve rrezikojnë stabilitetin e institucioneve, duke shkaktuar përpjekje të paligjshme në ndërhyrje nga palë të dyshimta. Një qeverisje e mirë e sipërmarrjes është parakusht për qëndrueshmëri institucionale dhe rezistencë në kohë krize.
Sfida numër tre ka të bëjë me likuiditetin. Një urë financimi, për shembull, është thelbësore në kontekstin e një krize (EFSE e bëri pjesën e saj). Mund të biem dakord të gjithë se sigurimi i dritareve për financim në monedhë vendase, gjithashtu duke lidhur edhe tregjet vendase të kapitalit, është çelës për forcimin e bizneseve në zhvillim, duke zbutur rreziqet nga kursi i këmbimit.
Fusha e katërt që kërkon vëmendje është administrimi i rrezikut. Pasja e instrumenteve, proceseve dhe procedurave të përshtatshme për administrimin e rrezikut do të kishte kursyer shumë institucione financiare nga kreditë me probleme në periudhën pas krizës. Gjithashtu, do ta kishte ndarë shapin nga sheqeri, në një fazë shumë më të hershme, në vitet e para krizës, kur kredia vihej shumë lehtë në dispozicion.
Problemi numër pesë na vë në dukje mungesën e një procesi të efektshëm për përzgjedhjen e këshilltarëve për të udhëhequr procese riorganizimi dhe ristrukturimi, dhe në veçanti për fuqizimin e tyre në misionin që kanë. Ndonëse atyre iu kërkua në fund llogari, ata nuk patën autoritetin për të bërë ndryshimet e nevojshme. Kjo mangësi duhet të shihet në kontekstin e mungesës së një kuadri të mjaftueshëm rregullator, për ruajtjen e interesave të kreditorëve. Ristrukturimi i një IMF-je duhet të kryhet në një proces mbikëqyrjeje e transparent, që përfshin pronarët dhe kreditorët. Ky është një parakusht për të siguruar rimëkëmbjen e IMF-së ose në atë që duhet të jetë një rast tejet i rrallë përgatitjen e mbylljes së institucionit për likuidim.
Të gjitha këto çështje që mund të zgjidhen, përmblidhen në: njerëz dhe procese. Po t´i keni këto në vendin e duhur, mund të them se keni bërë gjysmën e punës. Realiteti i ri, që e kemi tonin, për ta formuar dhe shfrytëzuar, na vendos qartë para sfidave të reja. Po këto janë sfida për të cilat jemi përgatitur. Financat e përgjegjshme janë guri i qoshes i përpjekjeve tona. Financa të Përgjegjshme dhe, rrjedhimisht, qeverisje e mirë e kompanisë si dhe transparenca, kanë të bëjnë me njerëzit dhe proceset.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.