Rrumbullaku: Kursi po ndikohet nga efektet e Vetting-ut

21/05/2018 4:23 PM 0 komente

Oltion Rrumbullaku, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, tha se mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit po ndikohet nga lëvizjet e fundit në kuadrin e Reformës në Drejtësi, të cilat kanë nxjerrë në pah të gjithë këto problematika dhe individët që dyshojnë se pasuritë e tyre nuk mbështeten në forma të sigurta, po bëjnë lëvizje korrigjuese. Ai tha se, Shqipëria nuk ka nevojë të rëndësishme për një monedhë të re, madje duhet të thellojë përpjekjet për de-euroizimin e ekonomisë

 

Cilat vlerësoni se janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e fortë të euros në tregun vendas dy vitet e fundit, sidomos në 5 muajt e parë të 2018-s?

Mendoj se po ndikojnë faktorët formalë dhe faktorë informalë. Tek faktorët formalë janë të gjitha ndryshimet kryesore pozitive në ekonomi. Vërehen tendenca të rritjes së punësimit, e shoqëruar me rritje të punësimit të shërbimeve që janë të lidhura dhe me shtetet fqinjë. Për pasojë ka një ofertë më të madhe në monedhën euro. Po ashtu ka një rritje të konsiderueshme të turizmit që tashmë është më i shpërndarë gjatë gjithë vitit dhe jep ndikim në një ofertë më të madhe në kursin e këmbimit.

Në të njëjtën kohë, muajt e parë të vitit 2018 janë karakterizuar nga një rritje e konsiderueshme e raportit eksport/import, që tashmë qëndron në nivelet mbi 50%, duke u distancuar nga nivelet rreth 40% që ka pasur më parë. Të gjithë këta faktorë kanë qëndruar në të njëjtin krah të rritjes së ofertës së euros, duke sjellë prirje të vlerësimit të lekut në fillimin e vitit 2018.

Nga ana tjetër, kemi ndryshime të rëndësishme dhe tek faktorët informalë. Shumë biznese dhe individë me pasuri të konsiderueshme kanë mospërputhje të mëdha midis burimit të të ardhurave dhe pronave apo aseteve që zotërojnë. Lëvizjet e fundit në kuadrin e Reformës në Drejtësi kanë nxjerrë në pah të gjithë këto problematika dhe individët që dyshojnë se pasuritë e tyre nuk mbështeten në forma të sigurta, po bëjnë lëvizje korrigjuese. Për pasojë, këta muajt e fundit kemi një rikonceptim dhe rikarakterizim të konsiderueshëm të shpërndarjes së parave, pronave dhe investimeve të individëve të përfshirë në sistemin e drejtësisë, dhe në sistemet e tjera të pushtetit. Po ashtu, një fenomen i ngjashëm mund të ndodhë dhe me pasuritë e fshehura jashtë vendit, të cilat mund të mos konsiderohen më përsëri shumë të sigurta, për shkak të një prirje më të madhe të shteteve të përfshira për të qenë më transparente në këtë drejtim.

Çfarë masash duhen ndërmarrë, në mënyrë që të reduktohet ekspozimi?

Nuk besoj se ka vend apo nevojë për masa specifike. Kursi i këmbimit reflekton të gjithë faktorët ekonomikë dhe nëse të gjithë faktorët e përmendur më lart do të vazhdojnë të ndikojnë në të njëjtin kah si këta muajt e fundit, atëherë mund të ketë përsëri hapësirë për një rënie të mëtejshme të kursit të këmbimit, deri në momentin që monedha euro mund të gjejë një ekuilibër të ri.

Si do ta vlerësonit idenë për të përshtatur euron si monedhë kombëtare?

Shqipëria nuk ka nevojë të rëndësishme për një monedhë të re, madje duhet të thellojë përpjekjet për de-euroizimin e ekonomisë. Përpjekjet e para në këtë drejtim po japin një balancim më të mirë të sistemit bankar dhe një orientim më të shëndetshëm të kreditimit drejt monedhës kombëtare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of