Profesori i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Oltion Rrumbullaku, thotë se reforma në taksa pati një nisje të vështirë në vitet e para të qeverisjes, por me përmirësime graduale që u përkthyen në suksese të konsiderueshme gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016 dhe fillimin e vitit 2017.
Aksioni kundër informalitet nuk u përgatit siç duhet dhe solli një situatë të pazakontë në administrimin tatimor. Suksesi fillestar i këtij aksioni ishte regjistrimi i mikrobizneseve dhe bizneseve të vogla, i shoqëruar me një rritje domethënëse të numrit të të vetëpunësuarve punëmarrës që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Rrumbullaku thotë se, aspektet rregullatore për klimën e biznesit mbeten ende të pakta në raport me shtetet e tjera, por nga ana tjetër mbetet gjithmonë problematike situata kur bizneset kërkojnë të sfidojnë rregullat aktuale. Procedurat e mbylljes së bizneseve, si në lidhje me procedurat e likuidimit dhe falimentimit, ashtu edhe me çregjistrimet nga sistemi tatimor, vazhdojnë të kenë një problematikë të rëndësishme. Rrumbullaku vlerësoi reformën e energjisë dhe atë territoriale dhe shtoi se reforma për arsimin e lartë ka mbetur vetëm në letër.
Reforma e taksave. Sa efekt pati sistemi progresiv dhe aksioni antiinformalitet në zhvillimin e përgjithshëm dhe veçanërisht në rendimentin fiskal?
Sistemi tatimor pati një nisje të vështirë në vitet e para të qeverisjes, por me përmirësime graduale që u përkthyen në suksese të konsiderueshme gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016 dhe fillimit të vitit 2017.
Aksioni kundër informalitetit nuk u përgatit siç duhet dhe solli një situatë të pazakontë në administrimin tatimor. Suksesi fillestar i këtij aksioni ishte regjistrimi i mikrobizneseve dhe bizneseve të vogla, i shoqëruar me një rritje domethënëse të numrit të të vetëpunësuarve punëmarrës që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Më pas, aksioni u përqendrua në përshtatjen më të rregullt të bizneseve me regjimin tatimor, që u takon në bazë të aktivitetit, duke shtuar numrin e bizneseve në TVSH.
Në fakt, suksesi më i mirëfilltë i kësaj fushate ishte përgjatë vitit 2016, ku i gjithë informacioni tatimor i gjeneruar në muajt më intensivë të fundit të 2015, u përdorën si bazë e mirë krahasimi për analiza risku dhe kontrolle tatimore shumë më të përqendrua në bizneset që fshehin më shumë në raport me të tjerët. Ky ndryshim i qasjes së administratës tatimore, po sjell më në fund rezultate shumë të mira, që janë së paku rreth 10 miliardë lekë për tre muajt e parë të vitit 2017.
Reforma e energjisë. Sa e efektshme rezultoi sipas jush?
Situata e menaxhimit të energjisë elektrike ka ndryshuar në mënyrë radikale në tre vitet e fundit. Buxheti i shtetit është çliruar tërësisht nga barra e financimit të situatave të vështira të sektorit të energjisë. Pajtueshmëria e qytetarëve me pagimin e faturave të energjisë elektrike është në nivele mjaftueshmërisht të mira në raport me 20 vitet e fundit.
Reforma territoriale. Sa e dobishme ka rezultuar në zhvillimin e rajoneve?
Konsolidimi i pushtetit vendor në vetëm 61 bashki ka filluar të sjellë rezultatet e para. Disa nga bashkisë kryesore në vend (Tiranë, Korçë) kanë përfituar në mënyrë thelbësore nga një tentativë e shtuar e një decentralizimi fiskal të pushtetit vendor, duke transferuar disa taksa vendore në tarifa vendore që u japin më shumë mundësi bashkive të vendosin nivelet që ato mendojnë. Po ashtu, heqja e taksës së biznesit të vogël për bizneset me xhiro nën 5 milionë lekë, u zëvendësua në forma alternative. Nga ana tjetër, qeverisja qendrore ka vazhduar të transferojë funksione të tjera drejt pushtetit vendor, duke i dhënë më shumë mundësi për të qenë më afër qytetarëve në më shumë aspekte.
Reforma territoriale krijon më shumë mundësi që bashkitë të kenë Plane të Përgjithshme Vendore (PPV) më të konsoliduara, të cilat përcaktojnë strategjitë kryesore të zhvillimit të tyre dhe një pjesë e mirë e bashkive po miratojnë këto plane, duke ofruar një orientim më strategjik për zhvillimin në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, mbështetja e qeverisë për zhvillimin rajonal ka qenë e shtuar për gjatë viteve, duke zhvendosur investimet nga niveli kombëtar në orientimin e zhvillimit rajonal.
Reforma në klimën e biznesit (ambienti i taksave, reformat rregullatore, procedurat). A kanë krijuar një ambient komod për bizneset?
Klima e biznesit mund të analizohet në disa drejtime. Në lidhje me korrupsionin, treguesit e fundit të raporteve ndërkombëtare tregojnë që ka pasur përmirësime të lehta, por pritet të ketë rezultate më të mira në vazhdim. Informatizimi i më shumë procedurave burokratike do të sjellë më shumë përmirësime në këtë drejtim.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i lidhur edhe me klimën e biznesit është kurimi i informalitetit, i cili është trajtuar më së shumti si fenomen tatimor, por ka edhe aspekte të rëndësishme të lidhura me konkurrencën e pandershme dhe sigurimin e kushteve të barabarta në mjedisin ekonomik.
Aspektet rregullatore mbeten ende të pakta në raport me shtetet e tjera, por nga ana tjetër, mbetet gjithmonë problematike situata kur bizneset kërkojnë të sfidojnë rregullat aktuale. Procedurat e mbylljes së bizneseve si në lidhje me procedurat e likuidimit dhe falimentimit, ashtu edhe me çregjistrimet nga sistemi tatimor, vazhdojnë të kenë një problematikë të rëndësishme.
Reforma në arsim. Çfarë efektesh dha, çfarë pritet?
Reforma në arsimin nëntëvjeçar dhe arsimin e mesëm ka pasur rezultate të mira sidomos në përmirësimin e teksteve dhe përdorimin më të gjerë të programit “Mësues për Shqipërinë”.
Janë shtuar fëmijët që e nisin ciklin parashkollor dhe krijojnë një përgatitje më të mirë për arsimin fillor.
Këto përmirësime ishin disa nga shtytësit kryesorë që përmirësuan në mënyrë thelbësore renditjen e Shqipërisë në vlerësimin e nxënësve 15-vjeçarë në testimin ndërkombëtar të PISA nga OECD. Nga ana tjetër, reforma në arsimin e lartë është ende në letër dhe pritet të shihet në vazhdim.
Reformat për tregun e punës, a kanë qenë të efektshme?
Kjo qeveri ka pasur një qasje krejt tjetër në lidhje me arsimin profesional dhe shërbimin e punësimit. Për herë të parë, një qeveri shqiptare ka fokusuar një pjesë të mirë të energjive të veta dhe të donatorëve ndërkombëtarë në shkollat e arsimit profesional dhe në qendrat e formimit profesional. Numri i të rinjve të trajnuar në këto forma të aftësimit profesional është rritur në mënyrë thelbësore, duke i dhënë shenjat e para pozitive në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka përdorur në mënyrë shumë më efektive programet e veta për nxitjen e punësimit, duke shtuar dy programe të reja dhe duke sjellë punësimin e disa mijëra punonjësve në vit. Kjo është arritur duke zhvilluar programe të nxitjes së punësimit që janë më të hapura për bizneset.
Oltion Rrumbullaku
Procedurat e mbylljes së bizneseve si në lidhje me procedurat e likuidimit dhe falimentimit, ashtu edhe me çregjistrimet nga sistemi tatimor, vazhdojnë të kenë një problematikë të rëndësishme
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.