Kryeministri Avdullah Hoti ka premtuar këtë javë do të votohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Edhe kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se beteja për miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbjen duhet ta ketë një epilog vendimtar këtë javë. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike duhet të kalojë këtë javë, përndryshe sipas tij e humb kuptimin.
Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se të gjitha idetë që e pasurojnë këtë projektligj duhet të përfshihen në të.
“Kemi dëgjuar mjaft ekspertize, argumente dhe propozime të cilat mund ta pasurojnë Ligjin për Rimëkëmbjen, përfshirë propozimet shumë përmbajtjesore nga përfaqësuesit e bizneseve, partitë politike në pozitë dhe opozitë, ekspertet dhe institutet e ndryshme”, ka thënë ai.
Sipas Rukiqit, projektligji nuk krijon mrekulli ekonomike, por krijon bazë për ta rikthyer besimin e humbur tek bizneset dhe konsumatorët.
“Kthimi i konferencës është parakusht që qytetarët të rrisin konsumin, e në anën tjetër bizneset të rrisin investimet dhe të ruajnë vendet e punës”.
Ndryshe, kryeministri Avdullah Hoti javën që lamë pas premtoi se këtë javë do të kalojë ky Projektligj.
“Unë sot po jap edhe premtim publik që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do ta kaloj javën tjetër dhe do të mbyllet kjo çështje, ku do të definohen të gjitha çështjet, edhe mjetet që do të marrin qytetarët nga kursimet e tyre, edhe një listë e ndryshimeve ligjore, përfshi mundësinë për t’i shtyrë obligimet tatimore, për t’i heqë ndëshkimet e nevojshme, për të rishikuar TVSh-në në lëndë të parë të prodhimit vendor e cila duhet të adresohet”, ka thënë Hoti gjatë një deklarimi publik.
Hoti ka thënë se po punohet edhe për përgatitjen e pakos së re fiskale gjatë muajit dhjetor dhe se në mbledhjen e parë të janarit do të miratohet kjo pako.
“Po punojmë tash në përgatitjen e pakos së re fiskale gjatë muajit dhjetor, bashkë me gjithë Odat Ekonomike, dhe besoj që në mbledhjen e parë ose të dytë, në janar si të miratohet kjo pako e re fiskale ku adresohen të gjitha burokracitë e nevojshme, dhe gjitha çështjet që e lehtësojnë të bërit biznes”.
Projektligji është votuar në Kuvendin e Kosovë në lexim të parë pas tentativës së shtatë, ndërsa tashmë ka dështuar dy herë të miratohet në lexim të dytë.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.