Rumania do të eliminojë qymyrin deri në vitin 2032 dhe do të miratojë një ligj nga mesi i vitit 2022, për të adresuar mbylljen e minierave dhe për të miratuar masa socio-ekonomike për të mbështetur komunitetet e qymyrit dhe riaftësimin e punëtorëve, sipas planit zyrtar të rimëkëmbjes së vendit.
Dokumenti i miratuar së fundmi, planifikon një rritje në pjesën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, nëpërmjet investimeve në prodhimin e energjisë së erës në tokë dhe në det të hapur.
Plani është që të ngrihet një Komision i Qymyrit, ashtu siç ka bërë Republika Çeke dhe Gjermania, për të vendosur se si mund të eliminohet qymyri, kështu që detajet e tranzicionit duhet të përpunohen plotësisht.
Sidoqoftë, kjo do të thotë se Rumania bashkohet me shumicën e vendeve të BE-së që kanë caktuar tashmë një datë për heqjen e qymyrit si ndotës i klimës. 14 shtete anëtare të BE-së kanë ndaluar përdorimin e qymyrit ose janë zotuar ta bëjnë këtë para vitit 2030.
Duke caktuar si afat vitin 2032, Rumania nuk është vendi më ambicioz i BE-së kur bëhet fjalë për heqjen e qymyrit, megjithëse është disa vjet më përpara se disa prej përdoruesve më të rëndë të qymyrit në Europë – Polonia, Republika Çeke dhe Gjermania.
Ministri i Energjisë, Virgil Popescu, nuk ka komentuar ende mbi heqjen e qymyrit që nga publikimi i planit, por javën e kaluar, ai tha: “Ne filluam ristrukturimin e sistemit të energjisë, jemi duke punuar mbi të dhe për herë të parë, arritëm një marrëveshje për një eliminim të qymyrit”.
Përdorimi i qymyrit në Rumani ka rënë që nga viti 1990, paralelisht me një rritje të energjisë bërthamore dhe gazit natyror, i cili sot është burimi kryesor i energjisë në vend.
Tregu i karbonit në BE ka rritur gjithashtu kostot për kompanitë e energjisë ende të varura nga qymyri. CE Oltenia, ndërmarrja shtetërore e energjisë që aktualisht siguron 90% të energjisë elektrike me qymyr të Rumanisë, ka kërkuar ndihmë financiare për të mbuluar kostot e karbonit në lidhje me skemën e tregtimit të emetimeve të BE-së.
“Rritja e çmimeve të lejes së karbonit dhe bumi i burimeve të ripërtëritshme, na ka sjellë në këtë pikë. Këto prirje do të intensifikohen gjithnjë e më tepër, kështu që industria e qymyrit në Rumani nuk do të mbijetojë dot deri në vitin 2032″, tha Mahi Sideridou, drejtori menaxhues në Europe Beyond Coal, grup mjedisor.
“Ne e mirëpresim vendimin e qeverisë për të planifikuar eliminimin e qymyrit, por ajo duhet të përputhet me Marrëveshjen e Klimës së Parisit dhe Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, dhe kjo do të thotë heqjen e qymyrit deri më 2030″, tha Vlad Cătună, një aktivist i energjisë në Greenpeace.
“Qeveria duhet ta harrojë idenë e varësisë nga gazi fosil. Rumania ka një mundësi të vlefshme për të arritur një sistem më të lirë dhe më të pastër të energjisë, i mbështetur në burime të ripërtëritshme. Planet e gazit fosil të qeverisë kërcënojnë ta rrënojnë këtë perspektivë”, shtoi ai.
Plani i rimëkëmbjes së Rumanisë, i paraqitur te Komisioni Europian me synimin për të përfituar pjesën e saj të fondit të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh të BE-së, thekson nevojën për të rritur pjesën e energjisë së rinovueshme në vend, përfshirë këtu eliminimin e qymyrit.
Plani gjithashtu përmban masa për të parandaluar ndikimet negative të tranzicionit nga qymyri, duke përfshirë përdorimin e fondit të BE-së dhe rishikimin e strategjisë kombëtare të energjisë.
Ai propozon gjashtë reforma dhe gjashtë investime kryesore, me një buxhet prej 1.62 miliardë euro. Këto përfshijnë reformën e tregut të energjisë elektrike, zhvillimin e legjislacionit për teknologjitë e ardhshme si hidrogjeni, zvogëlimin e intensitetit të energjisë dhe dekarbonizimin e sektorit të ngrohjes.