Korporata shumëkombëshe prodhuese e çelikut ArcelorMittal deklaroi se ka ndaluar përkohësisht prodhimin në fabrikën e saj të çelikut në Hunedoara të Rumanisë për shkak të çmimeve të larta të gazit dhe energjisë dhe për shkak të kushteve të pafavorshme të tregut. Prodhimi në fabrikën Hunedoara, e cila është pjesë e njësisë Long Products të ArcelorMittal, është pezulluar që nga 1 dhjetori i këtij viti, citoi ArcelorMittal në një njoftim për shtyp.
Çmimet e energjisë elektrike dhe gazit natyror janë rritur ndjeshëm për përdoruesit industrialë në Rumani gjatë viteve të fundit, dhe janë dukshëm më të larta në krahasim me ato të vendeve të tjera europiane si Franca dhe Gjermania, të cilat kanë operatorë të rëndësishëm në prodhimin e çelikut.
Ndërsa prodhuesit e çelikut europian po përpiqen të konkurrojnë për shkak të niveleve të larta të çelikut të importuar dhe kërkesës së dobët të brendshme, fabrika Hunedoara – e cila funksionon nëpërmjet një furrnalte me energji elektrike, (e cila ka gjithashtu një kosto shumë të lartë), nuk është më në gjendje që të konkurrojë ashtu siç duhet brenda këtij tregu, tha ArcelorMittal. Kjo fabrikë ka punësuar rreth 640 punëtorë, ndërkohë që ka edhe rreth 200 kontraktorë.
Punëtorëve u është kërkuar që të marrin lejen e tyre vjetore. Pas përfundimit të saj, kompania do t’i vendosë ata në pushim teknik.
Kompania tha se shpreson të gjejë një zgjidhje që do të rregullojë problemin e çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe gazit natyror dhe do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për këtë fabrikë çeliku. ArcelorMittal e bleu fabrikën e çelikut në Hunedoara të Rumanisë në vitin 2003 dhe që prej asaj periudhe ka investuar në të rreth 550 milionë lei rumune (128 milionë dollarë amerikanë/ 115 milionë euro) në përmirësime teknike dhe mjedisore.