“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka premtuar dhënien e mbështetjes së saj në drejtim të përpjekjeve të Rumanisë për të ndjekur reformat që zhbllokojnë investimet në vend”, u shpreh Presidenti i bankës, Suma Chakrabarti.
“Rumania ka nevojë të rrisë investimet publike që nxisin kapitalin njerëzor dhe fizik, shërbimet publike, rrugët, hekurudhat, shëndetësinë dhe arsimin, duke përfituar kështu më shumë nga fondet strukturore të BE-së dhe sektori privat dinamik i vendit”, tha z. Chakrabarti në një deklaratë të ditëve të fundit, dhënë pas takimit me kryeministrin e vendit, Ludovic Orban, dhe anëtarët e qeverisë së tij.
Ai shtoi se BERZH-i është i gatshëm të sigurojë investime, ekspertizë dhe mbështetje të vazhdueshme, në mënyrë që të ndihmojë vendin të arrijë potencialin e tij të plotë. “Diskutimet u përqendruan në klimën e investimeve, investimet e qëndrueshme në infrastrukturë dhe financimin e korporatave, si për zgjerimin e kompanive vendase, ashtu edhe në mbështetje të rritjes së investimeve të huaja”, tha z. Chakrabarti.
Banka është një investitor kryesor institucional në Rumani dhe deri më tani ka investuar në këtë vend më shumë se 8.6 miliardë euro. Vetëm gjatë vitit 2019, ajo investoi rreth 372 milionë euro në 22 projekte investimi në sektorë të ndryshëm të ekonomisë rumune.