Kreu i Partisë Social Demokratike të Rumanisë ka kritikuar Bankën Qendrore për rritjen e normës së interesit për të dytën herë gjatë këtij viti dhe se politikat fiskale po ndikojnë në nxitjen e rritjes së inflacionit, citohej në një letër të publikuar nga zyra e shtypit e kësaj partie.
Nuk është hera e parë që kreu i Social Demokratëve (PSD) dhe kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit, Liviu Dragnea, kanë kritikuar Bankën Qendrore, e cila është një organ i pavarur nga qeveria, anëtarët e bordit të së cilës emërohen nga kjo e fundit.
Çmimet më të larta të energjisë dhe të naftës, si dhe rritjet e pagave në favor të konsumit e çuan inflacionin në një nivel prej 5% gjatë muajit mars, duke e tejkaluar objektivin e Bankës Qendrore prej 1.5-3.5%.
Bordi i bankës rriti në mënyrë unanime normën e interesit për të dytën herë radhazi, me një bazë të përgjithshme prej 50 pikësh dhe prej 2.25%. Sipas analistëve edhe në takimin e radhës që Banka Qendrore do të mbajë gjatë muajit maj, pritet të deklarohet një rritje tjetër tremujore.
“Rritja e njëpasnjëshme e normave të interesit në fillim të këtij viti, në një moment kur sektori privat ishte duke vendosur mbi bizneset dhe mbi investimet që ai do të ndërmerrte gjatë 2018-s, padyshim që do të kishte ndikim negativ në mjedisin ekonomik të biznesit rumun”, iu drejtua z. Dragnea, Bankës së Shqipërisë në një intervistë për një media lokale.
Anëtarët e Bordit të Bankës po shkaktojnë krijimin e një gjendje mosbesimi në sektorin e biznesit dhe një vendim i politikës monetare, d.m.th. rritja e normës së interesit, bazuar në dyshimet lidhur me veprimtarinë e qeverisë nuk është politika e duhur monetare. Sipas bankës, rritja e inflacionit është nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të energjisë dhe të naftës karburantit. Ajo gjithashtu tha se vendimi i fundit i qeverisë për të zhvendosur të gjithë barrën e taksave të sigurimeve shoqërore mbi të punësuarit shkaktoi pasiguri dhe pakënaqësi të mëdha të njerëzit, po aq sa shkaktoi edhe tejkalimi i objektivave të deficitit buxhetor.
Ndërkohë kabineti qeveritar postoi një deficit buxhetor prej 0.5% të PBB-së për tremujorin e parë, krahasuar me një tepricë prej 0.2% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas bankës, një aspekt i rëndësishëm të cilin ne nuk mund të mos ta theksojmë është efekti zinxhir ndërmjet kërkesës së tepërt, deficitit të buxhetit dhe llogarisë rrjedhëse, një dobësimi të kursit të këmbimit dhe inflacionit.
Në takimin e zhvilluar javën e kaluar me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Rumanisë, z. Mugur Isarescu dhe zëvendësguvernatorin, Florin Georgescu, z. Dragnea tha se banka kishte të gjithë mbështetjen, duke mohuar zhvillimin e një konflikti. Ndërsa deklaratat e mëparshme të z. Dragnea mund të shihen thjesht si një përpjekje për të kufizuar pavarësinë e marrjes së vendimeve nga Banka Qendrore.