Në raportin e tyre vjetor për vitin 2011, agjencia e vlerësimit “Moody’s” pohon se pret që Rumania të shënojë rritje prej 2.2% këtë vit,
duke qenë se pritet që disbursimi i fondeve nga BE-ja të përshpejtohet dhe inflacioni parashikohet të mbahet brenda objektivave.
“Moody’s” thekson se pasiguritë ekonomike në Europë, në një situatë kur mbizotëron kriza e borxheve, nuk e prekin perspektivën ekonomike të Rumanisë.
Agjencia thekson se pothuajse 70% e eksporteve rumune shkon drejt shteteve të Bashkimit Europian dhe si rrjedhojë një ngadalësim në rritjen europiane mund të ngadalësojë ritmet e ekonomisë rumune.
Analiza tregon se një tërheqje më e shpejtë e fondeve europiane dhe rritja e investimeve private mund të kompensojë rënien e eksporteve, duke mbajtur ritmet e rritjes ekonomike në mbi 2% në 2012-n.
Inflacioni, i cili në shtator dhe nëntor arriti një nivel rekord të ulët të pas viteve 1990, ra në 3% në dhjetor, sipas vlerësimeve të “Moody’s”, pritet që të qëndrojë në këto nivele deri në fund të këtij viti.
“Moody’s” e ka vlerësuar Rumaninë me renditjen Baa3, me një panoramë të qëndrueshme, të justifikuar nga niveli relativisht i ulët i borxhit qeveritar,
aksesi në financimin e huaj dhe perspektiva premtuese për rritjen ekonomike në afatin e mesëm. Kjo situatë kompenson nivelin e ulët të të ardhurave të familjeve në krahasim me shtete të tjera të rajonit,
diferencën e madhe midis kursimeve dhe investimeve, presionin fiskal të vazhdueshëm dhe ecurinë e dobët të kompanive shtetërore dhe investimeve të shtetit.
Për fqinjin Hungari, agjencitë vlerësuese nuk kanë dhënë vlerësime shumë nxitëse. Vitin e kaluar, “Moody’s”, së bashku me “Standard & Poor’s”,
e paralajmëruan Hungarinë se do ta vlerësonin në kategoritë e padëshirueshme, më pas “Fitch” tha të njëjtën gjë. Sipas “Fitch”,
zhvlerësimi i Hungarisë është një reflektim i vazhdimit të përkeqësimit të politikës së saj fiskale, mjedisit të huaj të financimit dhe perspektivës së rritjes,
pjesërisht i shkaktuar nga politikat ekonomike që kanë humbur besimin e investitorëve, duke komplikuar një marrëveshje të mundshme me FMN-në dhe BE-në.