Një kompani iraniane e inxhinierisë së naftës është zotuar të ofrojë shërbime teknike dhe të mirëmbajtjes për kompaninë rumune Gaz Vest, pasi vendi i Europës Lindore synon të përfitojë nga ekspertiza dhe teknologjia në sektorin masiv të gazit natyror të Iranit.
CEO i Kompanisë Iraniane të Inxhinierisë dhe Zhvillimit të Gazit (IGEDC), Reza Noshadi, tha se firma kishte nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MM) me përfaqësuesit e Gaz Vest në një takim të mbajtur më parë në Teheran.
Ai deklaroi se IGEDC do të ofrojë shërbime të ndryshme teknike për palën rumune, duke përfshirë inxhinierinë dhe ndërtimin e rrjeteve të tubacioneve të gazit, stacioneve të pompimit dhe strukturave të depozitimit të gazit.
Autoritetet nga Kompania Kombëtare Iraniane e Gazit (NIGC) mbikëqyrën nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, sipas raporteve të publikuara në mediat lokale.
Irani ka një nga rrjetet më të mëdha të tubacioneve të gazit në botë, pasi rrjeti është zgjeruar vitet e fundit për të mbuluar zona të vështira për t’u arritur në perëndimin malor të vendit dhe në lindjen e tij të thatë.
Projektet e zgjerimit të gazit natyror u kanë mundësuar kompanive inxhinierike iraniane të modernizojnë pajisjet e tyre dhe të përmirësojnë kapacitetet e tyre teknologjike, për t’u përfshirë në projekte të mëdha jashtë shtetit.
Rritja e pranisë së firmave iraniane në vende të tjera, ka ndodhur pavarësisht nga fakti se Irani është ende nën presion ekonomik për shkak të sanksioneve të mëdha të imponuara nga Shtetet e Bashkuara, që nga viti 2018.
Noshadi tha se kompania synon të zhvillojë më shumë projekte jashtë shtetit tani që ka kontribuar me sukses në zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit iranian.
Noshadi tha se Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar me Gaz Vest, do t’i lejojë të dyja palët të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të angazhohen në projekte të përbashkëta investimi dhe ndërtimi, në Iran dhe Rumani.