Komisioni Europian rishikoi pritshmërinë për rritjen ekonomike të Rumanisë në vitin 2021, në 7.4%, sipas Parashikimit të Verës.
Bëhet fjalë për një korrigjim prej 2.3%, nga 5.1% i parashikuar në raundin e mëparshëm në maj.
Kjo është një shifër më e lartë se ajo e parashikuar në pranverë, falë ecurisë më të fortë të ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti, thotë Komisioni në një deklaratë.
Shifra i tejkalon edhe pritshmëritë e kryeministrit tepër optimist Florin Citu. Sidoqoftë, kohët e fundit, analistët po paralajmërojnë për një rrezik ndaj rritjes ekonomike të vendit që mund t’u afrohet niveleve dyshifrore këtë vit.
Komisioni mbajti parashikimin për rritjen ekonomike të vitit të ardhshëm në Rumani në 4.9%.
Parashikimi bazohet kryesisht në optimizmin e fortë të bizneseve dhe konsumatorëve. Konsumi privat pritet të mbetet shumë i fortë, i mbështetur nga heqja e kufizimeve. Rritja e vazhdueshme e porosive tregon se aktiviteti industrial do të zgjerohet në muajt e ardhshëm. Eksportet pritet të përmirësohen në përputhje me rimëkëmbjen e vazhdueshme mes partnerëve kryesorë tregtarë të Rumanisë.
Dobësitë vijnë nga bilanci i jashtëm negativ dhe rritja e çmimeve. Kontributi i eksporteve neto në rritje pritet të mbetet një shenjë negative.
Inflacioni vjetor i IHÇK u rrit nga 1.8% në dhjetor 2020, në rreth 2.7% në prill 2021 dhe parashikohet të mbesë mesatarisht 3.2% gjatë gjithë vitit, përpara se të ulet disi në 2.9% në vitin 2022, pasi ndikimi i rritjes së çmimit të energjisë fillon të zbehet dhe rimëkëmbja e kërkesës nis të stabilizohet.