Komisioni Europian (KE) po mbështet eliminimin e Mekanizmit të Bashkëpunimit dhe Verifikimit (CVM) për Rumaninë në fund të këtij viti, tha kryeministri i vendit, Florin Citu.
“Sot pata një takim me zonjën Vera Jourova, nënkryetare e Komisionit Europian për Vlerat dhe Transparencën. Diskutuam në detaje rreth mekanizmit për sundimin e ligjit dhe mbi raportin për Rumaninë”, shkroi Citu në një postim në mediat sociale.
Citu gjithashtu tha se ashtu si Jourova, edhe ai dëshiron që Rumania të përmbushë në gjysmën e parë të vitit, angazhimet në lidhje me sundimin e ligjit që duhet të plotësojë një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Qëllimet kryesore, tha Citu, janë eliminimi i efekteve të pafavorshme të ndryshimeve në ligjet e drejtësisë gjatë viteve 2017-2019 dhe krijimi i legjislacionit që do të sigurojë pavarësinë afatgjatë të sistemit gjyqësor nga presioni politik.
Muajin e kaluar, Citu tha se pranimi i Rumanisë në zonën Schengen pa kufij të BE-së, varet nga një raport pozitiv i CVM-së nga Komisioni Europian, që pritet në verë.
“Shpresoj që këtë vit, Rumania të bashkohet me Schengen. Rumania ka qenë e gatshme të hyjë në zonën Schengen që nga viti 2011”, tha Citu, duke shtuar se fillimisht vetëm aeroportet ndoshta do të bëheshin pjesë e zonës Schengen. “Megjithatë, nëse i përmbahemi asaj që premtuam dhe vëzhgojmë rekomandimet nga CVM, ne duhet të jemi në gjendje të arrijmë pranimin e plotë”, vuri në dukje kryeministri në atë kohë.
Në raportin e fundit të CVM për Rumaninë të publikuar në tetor 2019, Komisioni Europian tha se vendi duhej të përparonte në rekomandimet e bëra në dy raportet e mëparshme. CVM u krijua në momentin e pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në BE në vitin 2007, si një masë kalimtare për të lehtësuar përpjekjet e vazhdueshme për të reformuar sistemin gjyqësor dhe për të forcuar luftën kundër korrupsionit.
Parlamenti Europian i dha dritën jeshile Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bashkuar me zonën Schengen në qershor 2011 dhe e ka ritheksuar pozicionin e tij disa herë që nga ajo kohë.
Aktualisht, Bullgaria dhe Rumania e zbatojnë pjesërisht Schengen dhe kontrollet kryhen në kufijtë e tyre. Vendimi përfundimtar nëse të dy vendet mund të bëhen anëtare të plota të zonës Schengen duhet të merret me një votim unanim në Këshillin Europian nga ministrat e BE-së. Zona Schengen përfshin 26 shtete europiane që kanë hequr zyrtarisht pasaportat dhe të gjitha llojet e tjera të kontrollit në kufijtë e tyre të ndërsjellë.