Rreth 75% e kompanive rumune që janë anëtare të grupeve shumëkombëshe, vlerësojnë se të ardhurat e tyre do të bien deri në 25% këtë vit, në krahasim me 2019, si rezultat i krizës së koronavirusit, tha PwC Rumania, duke përmendur rezultatet e një studimi të ri.
Rreth 15.5% e kompanive vlerësojnë se rënia e të ardhurave është midis 25 dhe 50% këtë vit, sipas sondazhit “Sfidat e çmimeve gjatë dhe pas Covid-19” të kryer nga PwC Rumania gjatë periudhës prill-maj 2020.
Në të njëjtën kohë, pothuajse gjysma e subjekteve rumune të grupeve shumëkombëshe parashikuan një ulje të marzhit të fitimit nga transaksionet me palët e lidhura, dhe 36% e të anketuarve u shprehën se shpenzimet e krijuara nga kriza e Covid-19 nuk do të rimbursohen nga grupi.
“Politikat e çmimeve të transferimit u konceptuan dhe u zbatuan nga kompanitë në një periudhë të rritjes ekonomike dhe prandaj tani janë duke u rishqyrtuar. Grupet vlerësojnë ndikimin afatmesëm dhe afatgjatë të pandemisë, duke marrë parasysh masat për të thjeshtësuar dhe për të zvogëluar kostot,” tha partneri administrues i PwC Rumania, Ionut Simion.
“Kështu, evolucioni i marrëdhënieve me palët e lidhura ka një dozë të lartë pasigurie, duke mos qenë e qartë se deri në çfarë mase grupet mëmë do të vendosin të mbështesin njësitë vendore për të mbuluar humbjet e tyre të pësuara gjatë ndërprerjes së aktivitetit”.
Për sa i përket likuiditetit, shumica e të anketuarve treguan se kishin mjaft para për të mbështetur biznesin e tyre, dhe në rast të problemeve madhore, 60% thanë se do të kërkojnë të rinegociojnë kushtet e pagesës, pa kontraktuar fonde të reja. Vetëm 20% e të anketuarve thanë se do të përpiqen të marrin fonde shtesë nga palët e treta.
Sipas 28% të të anketuarve, shpenzimet kryesore të krijuara nga kriza e Covid-19, kanë të bëjnë me fuqinë punëtore, pasi punëdhënësi duhet të sigurojë një mjedis të sigurt për punë dhe të blejë pajisje dhe furnizime të mjaftueshme.
Pothuajse një e treta e të anketuarve thonë se tashmë i kanë bërë këto shpenzime, 32% thonë se do t’i bëjnë ato në 3 muajt e ardhshëm, dhe 28% deri në fund të vitit 2020.
Studimi i PwC Rumania u krye në prill – maj 2020, bazuar në informacionin e dhënë nga mbi 30 kompani në fusha si: shitja me pakicë / FMCG, IT & C dhe teknologjia, shërbimet, industria farmaceutike dhe pasuritë e paluajtshme. Për sa u përket modeleve të biznesit të operuara në vend, 72% e të anketuarve kanë një profil funksional të kufizuar, ku vendimet në grup zbatohen në nivel vendor.