Rumani, kryeministri i mbijeton votëbesimit të Parlamentit

30/11/2019 10:05 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Kryeministri Ludovic Orban

Qeveria qendrore e Rumanisë, e udhëhequr nga Kryeministri Ludovic Orban, fitoi votëbesimin e Parlamentit, vetëm disa ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale. Kjo fitore do të thotë se qeveria e re mund të fillojë procesin e propozimit të Komisionerit të ri të këtij shteti në Komisionin Europian. Z. Orban tha se ai do ta bëjë publik emrin e kandidatit të ri vetëm pasi të jetë konsultuar edhe me Presidentin e vendit.

Megjithatë, pasiguria politike që ndoqi rrëzimin e qeverisë socialdemokrate muajin e kaluar, nuk ka gjasa të përfundojë brenda një kohe të shkurtër. Pranverën e ardhshme, rumunët do t’u kthehen qendrave të votimit për zgjedhjet lokale, dhe përsëri në fund të vitit 2020 për të zgjedhur Parlamentin e ri.

Qeveria socialdemokrate e Viorica Dancila u rrëzua muajin e kaluar pasi humbi votëbesimin e Parlamentit. Kjo parti është përballur edhe me një sërë pengesash të tjera gjatë këtij viti. Ish-lideri i kësaj partie, Liviu Dragnea është dënuar me burg për shpërdorim detyre. “Edhe votimi i besimit të Parlamentit i javës së kaluar është pikërisht rezultat i problemeve të ndryshme (përfshirë edhe këtë që sapo përmendëm) me të cilat është përballuar Partia Socialdemokrate”, shprehet për Euronews, Drejtori i Institutit të Politikave Shtetërore në Bukuresht, Adrian Moraru.

Votuesit e ndëshkuan këtë parti në zgjedhjet europiane të majit, si pasojë e ndryshimeve të bëra në sistemin gjyqësor që u konsideruan si kërcënim ndaj sundimit të shtetit ligjor dhe që u shoqëruan me protesta masive në rrugët e Rumanisë.

Më pas, Parlamenti Europian kundërshtoi Komisionerin Europian të propozuar për herë të parë për shkak të konflikteve të interesit. “Partitë e tjera në Parlament e shfrytëzuan shumë mirë këtë rast dhe paraqitën një mocion mosbesimi”, vazhdoi më tej z. Moraru. Pas rënies së qeverisë, Presidenti qendror i Rumanisë, Klaus Iohannis, emëroi z. Orban si Kryeministrin e ri për të formuar një qeveri.

Z. Orban, 56 vjeç, ka shërbyer më parë në postin e ministrit të Transportit. Sipas Euractiv, ky politikan është vëllai i Komisionerit të parë të Rumanisë në BE. Ai nuk ka lidhje me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, edhe pse babai i tij është me kombësi hungareze, thuhet në uebsaitin e Euronews.

Z. Orban tha se objektivat kryesorë të qeverisë së tij përfshijnë zvogëlimin e strukturave qeveritare, investimet në projektet kryesore të infrastrukturës dhe ndërmarrjen e masave të duhura ekonomike për të forcuar sektorin e biznesit. Ai theksoi se një prej objektivave më të rëndësishme të qeverisë së tij të re do të ishte “sigurimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of