Kryeministri rumun Viktor Ponta thotë se shfrytëzimi i gazit natyror nga formacionet argjilore do të reduktojë varësinë e Rumanisë për importet e gazit natyror nga Rusia.
“Unë jam në favor të eksplorimit të gazit nga formacionet argjilore në Rumani, pasi kjo do të rrisë burimet e brendshme të energjisë dhe do të zvogëlojë varësinë tonë për importet e karburantit nga Rusia”, tha kryeministri Viktor Ponta në një intervistë për stacionin televiziv “Antena3”.
Ponta tha se mund të duhen deri në pesë vjet për të vlerësuar volumin e mundshëm të gazit në këto formacione. “Çdo eksplorim i ardhshëm do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet mjedisore europiane”, shtoi kryeministri.
Ponta ndryshoi qëndrim mbi nxjerrjen e gazit nga këto formacione, teksa dikur ishte shprehur kundër atij, pasi vendosi se Rumania rrezikonte të mbetej prapa në aspektin e energjisë në qoftë se gazi i saj argjilor nuk eksplorohej.
Në mars të vitit 2011, kur ishte në opozitë, Partia Social Demokratike e Ponta, PSD, paraqiti një projektligj në Parlament duke kërkuar ndalimin e shfrytëzimit të gazit argjilor.
Por pasi Ponta mori detyrën në maj, qeveria e udhëhequr nga PSD e tij refuzoi një muaj më vonë ligjin e propozuar më parë nga vetë ajo.
Çështja e shfrytëzimit të gazit argjilor mbetet e diskutueshme në Rumani, për shkak të frikës se mënyra e shfrytëzimit, e cila përfshin injektimin e ujit të përzier me rërë dhe kimikate në formacionet argjilore me presione të larta, mund të ndotë nëntokën dhe dëmtojnë mjedisin.
Gjatë muajve të fundit, mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër planeve të kompanisë amerikane të naftës “Chevron” që të fillonte shpimet për gazin argjilor, duke shprehur shqetësime në lidhje me ndikimin në mjedis.
“Chevron” këtë vit do të fillojë eksplorimin paraprak në zonën Vaslui të Rumanisë Lindore, dhe mund t’i shtrijë më vonë operacionet e saj në qarkun juglindor të Konstancës. “Chevron” është përpjekur të qetësojë frikën për mjedisin, duke thënë se teknologjia e tij është e sigurt.
Bullgaria fqinje si dhe Franca kanë ndaluar të gjitha eksplorimet e depozitave argjilore për shkak të shqetësimeve mjedisore, ndërsa Britania ndaloi shpimet në vitin 2010, pasi eksplorimi shkaktoi një tronditje të vogël në veriperëndim të Anglisë.