Komisioni Europian ka miratuar sipas rregullave të ndihmës shtetërore të BE-së, një garanci kredie rumune rreth 62 milionë euro (afërsisht 301 milionë RON) për linjën ajrore rumune Blue Air.
Masa synon të kompensojë kompaninë ajrore për dëmet e pësuara nga koronavirusi, si dhe t’i sigurojë asaj një mbështetje urgjente likuiditeti. Masa u miratua bazuar në nenin 107 (2) (b) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian (TFEU) dhe në bazë të Udhëzimeve të Komisionit për Ndihmën Shtetërore për shpëtim dhe ristrukturim.
Nënkryetarja ekzekutive Margrethe Vestager, përgjegjëse për politikën e konkurrencës, tha: “Sektori i aviacionit është goditur rëndë nga koronavirusi. Kjo kredi prej 62 milionë eurosh do t’i lejojë Rumanisë të kompensojë pjesërisht Blue Air për dëmin e pësuar si rezultat i shpërthimit të koronavirusit. Në të njëjtën kohë, ajo do t’i sigurojë kompanisë ajrore burimet e nevojshme për të adresuar një pjesë të nevojave të saj urgjente dhe të menjëhershme të likuiditetit.
Kjo do të shmangë ndërprerjet për pasagjerët dhe do të sigurojë lidhjen rajonale, sidomos për numrin e konsiderueshëm të qytetarëve rumunë që punojnë jashtë vendit dhe për shumë biznese të vogla lokale që varen nga biletat e përballueshme të ofruara nga Blue Air në një rrjet rrugësh që synojnë zgjidhjen e nevojave të tyre specifike.
Ne vazhdojmë të punojmë me shtetet anëtare për të diskutuar mundësitë dhe për të gjetur zgjidhje të realizueshme për të ruajtur këtë pjesë të rëndësishme të ekonomisë në përputhje me rregullat e BE-së”.
Blue Air është një kompani ajrore private rumune me seli në Rumani, Itali dhe Qipro. Me një flotë prej 18 aeroplanësh, Blue Air ka kryer 92 rrugë ajrore në 15 vende, duke transportuar mbi 4 milionë pasagjerë në vitin 2019.
Blue Air u kualifikua si një kompani në vështirësi para shpërthimit të koronavirusit, d.m.th. më 31 dhjetor 2019. Më konkretisht, kompania ishte duke humbur për shkak të investimeve të gjera që ndërmori që nga viti 2016, për të përmirësuar rrjetin e saj të rrugëve.
Linja ajrore ishte rimëkëmbur në vitin 2019 dhe në fillim të vitit 2020, por ashtu si kompanitë e tjera aktive në sektorin e aviacionit, ajo pësoi humbje të konsiderueshme për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe kufizimeve të udhëtimit që Rumania dhe qeveritë e tjera duhej të impononin për të kufizuar përhapjen e virusit. Kompania aktualisht po përballet me nevoja urgjente të likuiditetit.