Operatorët rumunë i kanë kërkuar Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve që të ndryshojë më tej ligjin 5G të vendit, pavarësisht nga fakti se ministria publikoi një version të ri të projektligjit mbi teknologjinë 5G në fillim të shtatorit, sipas gazetës lokale Economica.net.
Një nga shqetësimet kryesore të operatorëve në dy javët e fundit, kishte të bënte me efektin e mundshëm retroaktiv të legjislacionit 5G, i cili po diskutohet aktualisht. Ligji i ndryshuar u botua pas një debati dyjavor.
Shoqata Rumune e Operatorëve të Lëvizshëm u dërgoi një letër të re autoriteteve gjatë periudhës 7-13 shtator, duke kërkuar ndryshime të reja në legjislacionin e propozuar, që duhet të kryhen përveç atyre që sapo u njoftuan. Një tjetër pikë interesi nën diskutim lidhet me ndikimin e mundshëm negativ të këtyre masave në legjislacion, një ndikim që mund të reflektohet në një partneritet afatgjatë me kompanitë kineze në Rumani.
Shumica e kritikëve vënë në dukje mungesën e kritereve specifike në një nivel teknik, kritere që duhet të përcaktojnë shumë më qartë se çfarë do të thotë pajisje e pasigurt.
Kjo pasiguri transferohet nëpërmjet legjislacionit ekzistues tek operatorët e telekomunikacionit, që do të kenë një lidhje të drejtpërdrejtë me fatin e investimeve në infrastrukturë. Shumica dërrmuese e atyre që morën pjesë në debatin publik të organizuar nga ministria, thanë se është i nevojshëm një vlerësim i kujdesshëm i ndikimit të projektit.