Banka Europiane e Investimeve (BEI) ra dakord të ofrojë 25 milionë euro për të rritur cilësinë, efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të mësimdhënies, të të mësuarit dhe të kërkimit në Universitetin Politeknik të Bukureshtit (UPB), një prej universiteteve më të mirë në Rumani.
Huaja e BEI-it do të financojë planin e rizhvillimit të kampusit UPB-së, që përfshin ndërtimin e një godine të re në të cilën do të akomodohen studentët e tre fakulteteve që ndodhen aktualisht në kampusin historik Polizu. Qëllimi është që të riorganizohen fakultetet e vendosura nga Polizu në Kampusin Lokal Noul.
Kjo marrëveshje mbështetet nga Fondi Europian për Investimet Strategjike, i njohur edhe si “Plani Juncker”.
Rektori i UPB-së, Mihnea Costoiu tha: “Është një nder i madh për ne që të jemi universiteti i parë rumun, i cili mbështetet nga Banka Europiane e Investimeve. Duke qenë universiteti më i madh teknik në Rumani dhe me një pjesë të rëndësishme të specializimit të të diplomuarve në drejtim të sektorit teknologjik, ky projekt nuk do të mbështesë vetëm arsimimin kombëtar, por edhe ekonominë kombëtare”.
Ne shpresojmë që ky të shndërrohet në një model të mirë praktik për universitetet e tjera që do të zbatojnë projekte të ngjashme. Përveç kësaj, falë garancisë së ofruar nga Plani i Investimeve për Europën, universiteti ynë do të jetë në gjendje të zgjerojë aftësitë kërkimore në mënyrë që të ketë ndikim pozitiv në shoqëri. Universiteti ynë hyn sivjet në vitin e tij të 200-të që nga hapja, dhe nuk mund të kishte mënyrë më të mirë për të festuar këtë ngjarje sesa nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.
Komisioneri Europian për Kërkime, Shkencë dhe Inovacion, Carlos Moedas, tha se: “Shkenca e vërtetë dhe kërkimi fillojnë me edukimin e duhur. Ky investim do të shkojë për kërkuesit e ardhshëm të Rumanisë dhe mbi të gjitha, do të ndikojë në nxitjen e inovacionit dhe hapjen e më shumë vendeve të reja të punës.