Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka pranuar t’i sigurojë një kredi prej 7.5 milionë eurosh kompanisë rumune të menaxhimit të mbeturinave ushqimore, Winnow, e cila është dhënë duke pasur ndihmën dhe mbështetjen e Planit Juncker. Kompania rumune Winnow do ta përdorë këtë fond për të zhvilluar dhe për të prezantuar zgjidhje softuerësh dhe harduerësh, për t’i ardhur në ndihmë stafit në kuzhinat profesionale, që të shikojnë se cilat lloje ushqimesh shpërdorohen më shumë dhe për pasojë, të krijojnë mbetje ushqimore. Qëllimi përfundimtar është që t’u sigurojë përdoruesve të dhëna për të menaxhuar dhe për të parandaluar mbetjet ushqimore.
Marrëveshja mbështetet nga Fondi Europian për Investime Strategjike (FEIS), “zemra” e Planit të Investimeve për Europën, i njohur gjithashtu si Plani Juncker. Pa mbështetjen e FEIS, BEI-ja nuk do të ishte në gjendje që ta mbështeste këtë plan në po të njëjtën shkallë, si nga vlera e kredisë së dhënë, ashtu edhe nga perspektiva e rrezikut.
Zëvendëspresidenti i BEI-së, Andrew McDowell e komentoi kështu situatën: “Ky projekt inovativ, i pari në Rumani, nën mbështetjen e Planit të Investimeve për Europën, do të ketë ndikim të rëndësishëm në drejtim të reduktimit të mbeturinave të ushqimit në kuzhinat tregtare. Ai nxit kërkimin dhe zhvillimin në Rumani, duke forcuar nivelin e konkurrencës së këtij vendi dhe gjenerimin e vendeve të punës të një niveli të lartë”.
Komisioneri Europian për Mjedisin, Çështjet Detare dhe Peshkimin, Karmenu Vella, tha: “Objektivi i Winnow për të ndihmuar kuzhinat profesionale të reduktojnë sasitë e mbetjeve ushqimore është shumë pozitiv, si në drejtim të burimeve tona natyrore, ashtu edhe në drejtim të ekonomisë së vendit. Duke ndihmuar bizneset që të monitorojnë dhe analizojnë të gjitha mbetjet ushqimore që hedhin përditë, nëpërmjet përdorimit të teknologjive inovative, Winnow, po ndikon që këto biznese të ndryshojnë veprimet e tyre. Unë jam shumë krenar që ky projekt po mbështetet nga Banka e Bashkimit Europian dhe Plani Juncker”.
Bashkëthemeluesi i Winnow, Kevin Duffy, shtoi se duke krijuar mundësi punësimi në komunitet, ne po vazhdojmë të ndërtojmë një ekip të klasit botëror në Cluj, në mënyrë që të ofrojmë në mënyrë sa më efikase të gjithë profesionalizmin tonë. Ne jemi të entuziazmuar për të ardhmen e komunitetit të teknologjisë në Cluj, sidomos sa i takon faktit se ne jemi një nga pionierët e parë të Inteligjencës Artificiale që ka pasur mbështetjen e Bankës Europiane të Investimeve, gjë që tregon një vlerësim të madh për punën e palodhur të ekipit tonë këtu në Cluj.
Winnow, e themeluar në Angli në vitin 2013, është një kompani teknologjike që ndërton pajisje të Inteligjencës Artificiale për t’u ardhur në ndihmë kuzhinierëve, që të kenë fitim më të lartë dhe të qëndrueshëm nëpërmjet reduktimit të mbetjeve ushqimore, me pothuajse gjysmën e sasisë së tyre.
Sipas kësaj kompanie, ushqimi është shumë i rëndësishëm për t’u shpërdoruar dhe për të krijuar të gjithë ato sasi mbetjesh ushqimore që krijohen sot, dhe se teknologjia mund të arrijë që të transformojë mënyrën e përdorimit të ushqimit.