Presidenti rumun i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis, i ka bërë thirrje publikisht Kryeministres socialdemokrate, Viorica Dancila, të japë dorëheqjen, duke thënë se ajo është “e papërshtatshme për këtë post”.
Arsyeja se përse Presidenti i qendrës së djathtë të Rumanisë, Klaus Iohannis, i kërkoi Kryeministres socialdemokrate, Viorica Dancila, të japë dorëheqjen, është sepse ajo nuk pranoi të ndiqte një takim në Pallatin Presidencial për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi politikën e jashtme dhe ekonominë midis Social Demokratëve në pushtet, Presidencës dhe Bankës Qendrore.
“Unë nuk kam më besim te znj. Dancila”, tha Presidenti. Kanë kaluar tre muaj kur ajo u zgjodh Kryeministre e vendit dhe konkluzioni i vetëm që kam nxjerrë është se ajo është e papërshtatshme për këtë post. Kjo gjë po e shndërron qeverinë në përgjegjësen e kësaj situate.
Kjo është arsyeja pse publikisht kërkoj dorëheqjen e saj, tha më tej z. Iohannis.
Znj. Dancila dhe z. Iohannis kishin planifikuar të takoheshin të premten e kaluar për të diskutuar një mosmarrëveshje midis socialdemokratëve dhe Bankës Qendrore, pasi anëtarët e partisë në pushtet dhe ministrat e kabinetit e sulmuan bankën për kritikat e saj ndaj politikave qeveritare.
Javën e kaluar, lideri i socialdemokratëve, Liviu Dragnea, bëri akuza shumë të rënda ndaj Bankës Qendrore dhe Presidencës së vendit për bashkëpunim në një strategji e cila do të diskreditonte politikat fiskale dhe ekonomike të kësaj qeverie, si dhe duke theksuar faktin se Banka është fajtori i vetëm për rritjen e fundit të inflacionit.
Z. Iohannis u tregua i gatshëm për të shërbyer si një ndërmjetësues në këtë konflikt, prandaj edhe zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore, z. Mugur Israescu. Kritikat e Presidentit të vendit vazhdojnë duke cituar marrjen pjesë në një takim në Izrael të z. Dragnea dhe znj. Dancila, mbi të cilën ai u shpreh se ishte organizuar në fshehtësi të plotë.
Ai tha se do t’i kërkonte znj. Dancila një shpjegim për përfshirjen e saj në politikën e jashtme, të cilën e quajti jokushtetuese.
Gjatë vizitës në Izrael, znj. Dancila dhe z. Dragnea u takuan me Kryeministrin izraelit, Banjamin Netanyahu dhe me Presidentin Reuven Rivlin, duke marrë përsipër diskutimin e përshpejtimit të procedurave për të lëvizur ambasadën rumune nga Tel Avivi në Jerusalem.
Në vijim të kritikave të ashpra të Presidentit ndaj Kryeministres rumune, u zbulua se kabineti qeveritar kishte miratuar në fshehtësi një memorandum të hartuar nga Ministria e Jashtme, për fillimin e zhvendosjes së Ambasadës së Rumanisë në Jerusalem, të cilin znj. Dancila pranoi që e kishte miratuar.
Megjithatë, Presidenti deklaroi se nuk ishte në dijeni të asnjë prej vendimeve të mësipërme dhe se vendimi nuk bazohej në “vlerësime të sakta dhe, mbi gjitha, të besueshme”. Sipas Kushtetutës së Rumanisë, Presidenti nuk mund ta shkarkojë Kryeministren e vendit. Qeveria mund të shkarkohet vetëm nëse Kryeministrja do të japë dorëheqje ose me anë të një votimi mosbesimi në Parlament.
Pas deklaratës së Presidentit Iohannis, dy partitë opozitare, ajo Liberale dhe Bashkimi “Shpëtoni Rumaninë”, thanë se do të paraqisnin në Parlament një kërkesë për votim mosbesimi. Gjithsesi, koalicioni qeverisës që përfshin socialdemokratët dhe Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve, ALDE, kanë shumicën në Parlament.