Mijëra rumunë po protestojnë kundër reformave të gjithanshme ligjore dhe gjyqësore, pasi vendi po përballet me pasiguri të mëdha politike dhe kritika ndërkombëtare ndaj përpjekjeve thuajse të dështuara kundër korrupsionit.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara denoncuan ndryshimet e bëra gjatë muajit të kaluar, të cilat mund të shtrëngonin kontrollin politik mbi gjykatat e Rumanisë dhe t’i jepnin një shtysë qeverisë për të dekriminalizuar disa vepra korruptive. Kjo ka shkaktuar një situatë alarmante brenda dhe jashtë vendit.
Reformat drejtohen nga Liviu Dragnea, kreu i socialdemokratëve në pushtet (PSD), i cili nuk mund të kandidojë si Kryeministër për shkak të bindjes për manipulimin të votave, si dhe duke qenë se 27 milionë euro në pronësi të tij, u ngrinë që nga nëntori i vitit të kaluar, si pjesë e një hetimi të madh mashtrimi.
Megjithatë, tërheqja e z. Dragnea nga qeveria, ka shkaktuar prapa skenave një luftë për pushtet në radhët e PSD-së, e cila theksojmë se, edhe javën e kaluar rrëzoi për të dytën herë radhazi në shtatë muaj, një nga anëtarët e vet nga posti i Kryeministrit.
Organizatorët e protestës thanë se “masakra e drejtësisë” e udhëhequr nga koalicioni i PSD-së është më shumë sesa një sulm i thjeshtë kundër zbatimit të ligjit dhe luftës antikorrupsion. Ky është një sulm i qartë ndaj demokracisë në Rumani.
“Dy muajt e parë të këtij viti do të jenë vendimtarë për konsolidimin e demokracisë në Rumani”, deklaruan ata, duke i nxitur në këtë mënyrë qytetarët nga e gjithë Rumania që të bashkohen në një protestë të konsideruar si revolucioni i këtij brezi, nën titullin “Të gjitha rrugët të çojnë në Bukuresht”.
Dimrin e kaluar, qindra mijë rumunë dolën në protesta, të cilat konsiderohen si më të mëdhatë që nga koha e revolucionit antikomunist të vitit 1989.
Megjithatë, koalicioni qeverisës ia arriti që t’i përballojë këto protesta dhe konflikte të brendshme, dhe theksoi se ndryshimet e diskutueshme që ai pretendon, do ta bëjnë kodin ligjor dhe gjyqësorin e Rumanisë, më modern dhe efikas. Ditët e fundit, Mihai Tudose u largua nga posti i Kryeministrit, pas humbjes së mbështetjes e anëtarëve të lartë të PSD në konfliktin e tij të thelluar me z. Dragnea.
Qershorin e kaluar, u zhvillua një skenar tjetër i ngjashëm, i cili përfundoi me largimin e një tjetër kryeministri nga radhët e PSD-së, atë të z. Sorin Grindeanu.
Presidenti rumun, Klaus Iohannis, një kundërshtar i gjatë i PSD-së, emëroi në postin e Kryeministrit, znj. Viorica Dancila.
Një aleate e ngushtë i z. Dragnea, anëtarja e Parlamentit Europian do të ishte Kryeministrja e parë grua në Rumani, gjithmonë nëse deputetët do të votojnë në favor të saj gjatë këtij muaji.
“Vetëm një vit pas zgjedhjeve parlamentare, ne kemi dy qeveri të dështuara të PSD-së. Sigurisht që ne kemi nevojë për një qeveri të re, në mënyrë që t’i japin fund sa më parë të jetë e mundur edhe situatës së pasigurisë në vend”, u shpreh z. Iohannis për mediat lokale.
“Unë dëshiroj një procedurë sa më të shpejtë për emërimin e një qeverie të re, sepse kjo pasiguri politike nuk duhet të përkeqësohet dhe të shkojë deri në paqëndrueshmëri politike dhe ajo çka është më e rëndësishmja, është se dua të parandaloj pasojat negative ekonomike të kësaj krize që u shfaqën edhe një herë brenda PSD-së”, tha ai më tej.
Qeveria e re do të përballet me pakënaqësi të shumta dhe me rritjen e vëzhgimit nga ana e BE-së, si pasojë e shqetësimit se Rumania mund të ndjekë Hungarinë dhe Poloninë në një rrugë e cila mund të shkatërrojë sundimin e ligjit, kontrollet dhe balancat demokratike.
Agjencia e antikorrupsionit të Këshillit të Europës, Greco, shtoi edhe më tej kritikat në drejtim të mënyrës sesi Rumania qeverisej, duke thënë se ajo kishte zbatuar plotësisht vetëm 2 nga 13 rekomandimet e bëra një vit më parë.