Rumania mund të marrë më shumë fonde të kohezionit ndërmjet periudhës 2021 dhe 2027, pas propozimeve të fundit të bëra nga Komisioni Europian. Buxheti i ardhshëm afatgjatë i BE-së mund të sigurojë që Rumania të marrë më shumë se 27 miliardë euro, që është rreth 8% më shumë se shumat e caktuara deri në këtë periudhë aktuale.
Politika e kohezionit të BE-së ka për qëllim zvogëlimin e pabarazive midis shteteve anëtare dhe midis rajoneve të ndryshme.
Propozimet e Komisionit Europian për periudhën 2021-2027 përbëhen nga më shumë fonde në fushën e kërkimit, sigurisë dhe ekonomisë dixhitale. “Ne propozojmë një politikë kohezioni për të gjitha rajonet që nuk duhet të lënë pas asnjë prej tyre”.
“Ne kemi rritur fleksibilitetin e kësaj politike për ta përshtatur atë me prioritetet e reja dhe për të rritur mbrojtjen e qytetarëve të BE-së”, u shpreh Komisionerja Europiane për Politikën Rajonale, Corina Cretu.
Ajo shpjegoi se normat janë thjeshtuar në avantazh të gjithkujt, nga ndërmarrjet e vogla te sipërmarrësit dhe nga shkollat e deri te spitalet, të cilat do të jenë në gjendje të tërheqin më lehtësisht fonde.
Komisionerja Cretu tha për radion Romania: “PBB-ja për frymë do të vazhdojë të jetë kriteri kryesor për alokimin e fondeve për vendet anëtare. Treguesit e rinj do të merren shumë në konsideratë, të tillë si për shembull shkalla e papunësisë, sidomos në mesin e të rinjve, një tregues që ka të bëjë me luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe një tjetër, që është një lloj shpërblimi për rajonet që dëshirojnë të pranojnë në vendin e tyre emigrantët”.
Në përputhje me këta tregues, Rumania është midis vendeve që do të përfitojnë më shumë fonde, krahas Bullgarisë dhe Greqisë – me 8% më shumë se në periudhën aktuale. “Ajo që është e rëndësishme është përdorimi i këtyre fondeve për projekte konkrete që përmirësojnë jetën e njerëzve në vend”, tha ajo në fund për radion Romania.