Në tremujorin e tretë të 2017-s, Rumania raportoi rritjen më të lartë të PBB-së ndër 28 shtetet e tjera anëtare të BE-së. Së bashku edhe me institucionet e specializuara rumune, edhe Zyra Europiane e Statistikave (Eurostat) e ka konfirmuar rritjen e ekonomisë së Rumanisë.
Sipas vlerësimeve të rishikuara të publikuara nga Eurostat, në tremujorin e tretë të vitit 2017, Rumania raportoi rritjen më të madhe të PBB-së, në 28 shtetet anëtare të BE-së, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,si dhe me tremujorin e dytë të këtij viti.
Rritja ekonomike është raportuar praktikisht në të gjithë hapësirën e komunitetit: PBB-ja e Eurozonës dhe e Bashkimit Europian është rritur me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 dhe asnjë shtet anëtar nuk ka shënuar ndonjë rënie. Rumania është në krye, me 8.6%, ndjekur nga Malta me 7.7% dhe Letonia me 6.2%. Gjithashtu po sipas Eurostat, Rumania ka nivelin e dytë më të ulët të taksave në BE pas Irlandës, ku të ardhurat e grumbulluara nga taksat zënë vetëm 26% të PBB-së.
Prandaj, të dhënat makroekonomike rrisin edhe më shumë optimizmin e Kryeministrit socialdemokrat, Mihai Tudose, i cili tha se për herë të parë, PBB-ja e Rumanisë do të tejkalonte vlerën 200 miliardë euro, gjë që do të lejonte rritjen e pagave dhe pensioneve që janë premtuar vazhdimisht nga koalicioni qeverisës i përbërë nga Partia Social Demokrate dhe Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve.
Por opozita e qendrës së djathtë, sindikatat dhe analistët ekonomikë nuk janë po aq optimistë. Ata argumentojnë se ekonomia e Rumanisë është si një “tigër” shumë i nxehur dhe se rritja rekord e raportuar bazohet mbi konsumin dhe importin.
Nga ana tjetër, udhëheqësit e sindikatave të mëdha organizuan disa protesta në Bukuresht, në vjeshtën e këtij viti.
Ata thonë se reforma fiskale e planifikuar nga qeveria do të çojë në ulje të pagave dhe madje edhe në humbje të vendeve të punës, për shkak të transferimit të pagesave të sigurimeve shoqërore nga punëdhënësit tek punonjësit.
Më parë, Presidenti Klaus Iohannis e kishte cilësuar projektin e qeverisë si një kaos të vërtetë fiskal, sipas të cilit paga mesatare do të rritej me vetëm 70 euro.
Në përgjigje të një argumentimi të tillë, Kryeministri Mihai Tudose dhe Kryetari i partisë së tij, kreu socialdemokrat, Liviu Dragnea, thanë se nuk e kishin kuptuar kundërshtimin ndaj masave të shpallura nga qeveria për vitin e ardhshëm, pasi si punonjësve ashtu dhe punëdhënësve do t’u jepej avantazh dhe do të kishin përfitime.
Ndërsa sipas disa komentuesve të tjerë, fakte edhe më konkrete në lidhje me perspektivat reale të ekonomisë rumune do të merren vesh pas miratimit të buxheteve shtetërore dhe të sigurimeve shoqërore për 2018. Bazuar në një normë ekonomike të vlerësuar prej 5.5% dhe me një normë mesatare vjetore inflacioni prej 3.1%, buxhetet duhet të miratohen nga Parlamenti më 21 dhjetor të këtij viti.