Rumania është në gjendje të luajë rol më domethënës në industrinë e mbrojtjes të Europës, tha komisioneri i Tregut të Brendshëm Thierry Breton, gjatë një vizite në Bukuresht.
“Ne kemi identifikuar 15 kompani nga 11 shtete në Europë, që mund t’i përgjigjen kësaj kërkese për rritjen e kapacitetit për të prodhuar atë që nevojitet dhe Rumania është një nga këto shtete”, tha Breton për gazetarët.
Duke folur së bashku me kryeministrin e Rumanisë, Nicolae Ciucă, Breton përsëriti vendosmërinë e bllokut për të mbështetur qeverinë ukrainase dhe për të ofruar municione dhe kapacitete ushtarake, me kërkesë të saj, në një “luftë me rëndësi të jashtëzakonshme”, ndërsa Ciucă konfirmoi mbështetjen e Rumanisë për forcimin e aftësive mbrojtëse të bllokut.
Me ftesë të ministrit të Ekonomisë të Rumanisë, Florin Spataru, Breton vizitoi dy nga fabrikat e industrisë së mbrojtjes të vendit – Uzina Mekanike Plopeni dhe Fabrika e Produkteve Speciale Dragomiresti, që janë degë të firmës Romarm, kompania e mbrojtjes kombëtare të Rumanisë.
Ky njoftim vjen pasi grupi gjerman Rheinmetall njoftoi se në Rumani do të ndërtohet një qendër për të furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake.
Qendra, e vendosur në afërsi të kufirit me Ukrainën, do të ofrojë shërbime për tanket vetëlëvizës Leopard 2 dhe Challenger, automjetet luftarake të këmbësorisë Marder dhe kamionët ushtarakë.