Rumania ka normën më të lartë të rritjes ekonomike në Bashkimin Europian, një situatë shumë më e mirë ose pothuajse e pakrahasueshme me atë të vitit 2016, deklaron Bukureshti.
Sipas zyrës së statistikave europiane, Eurostat, në tremujorin e tretë të vitit, Rumania pa rritjen më të madhe të PBB-së në krahasim me 28 vendet anëtare të BE-së, një rritje me 8.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ekonomia rumune u rrit me 2.6% në tremujorin e tretë të vitit krahasuar tremujorin e dytë, duke shënuar sërish një rekord në BE.
Sipas Kryeministrit Mihai Tudose, norma e rritjes është mbi të gjitha edhe e qëndrueshme. Ai u shpreh në një postim në një prej rrjeteve sociale se edhe pse Rumania aktualisht ka afërsisht të njëjtin numër të të punësuarve me vitin 2008, PBB-ja nominale është 71 miliardë euro më e lartë se ajo e 2008-s.
Megjithatë, ekspertët, nuk janë shumë të sigurt se ekonomia do të vazhdojë me këtë ritëm. Analisti Aurelian Dochia vë në dukje rreziqet që mund të ngadalësojnë rritjen ekonomike, siç janë rritja e inflacionit dhe normave të interesit. “Është pak e vështirë që ritmi i rritjes ekonomike të mbetet në këtë nivel në vitin 2018”, – shtoi ai.
Pa dyshim, disa nga aspektet që duken të padëmshme sot, mund të kenë ndryshime vitin e ardhshëm. Besoj se një nga elementet më alarmues lidhet me deficitin buxhetor. Duhet gjithashtu të mbajmë parasysh faktin se disa tregues, siç është norma e interesit, kanë filluar të rriten shumë shpejt dhe norma e inflacionit është mbi nivelet që edhe vetë Banka Kombëtare kishte parashikuar.
Kjo krijon trysni mbi kursin e këmbimit dhe për këtë, shumë njerëz janë të shqetësuar. Por kjo normë rritje, që tejkalon të gjitha pritshmëritë e parashikuara është e mirëpritur, sepse mban gjallë shpresën te rumunët se do të jenë në gjendje t’i kapërcejnë vështirësitë dhe hendeqet e mëdha që i ndajnë ata nga vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore, thotë Adrian Vasilescu, konsulent i strategjisë në Bankën Qendrore.
Ai thekson edhe kujdesin që duhet të ketë vendi ndaj nivelit të lartë të importeve: “Ata që kritikojnë rritjen ekonomike pretendojnë se mbështetet në konsumin, por është e sigurt që rritja bazohet gjithnjë te konsumi”. Problemi qëndron diku tjetër, që norma e rritjes ekonomike bazohet kryesisht në konsumin e mallrave të importuara. Ky është problemi në të cilin duhet të përqendrohemi, sepse nëse do të vazhdojmë të mbështetemi në konsumin e lartë të mallrave të importuara, përfitimet nuk do të jenë të shumta”.
Një normë e lartë e rritjes ekonomike është e vetmja mënyrë për të përmirësuar standardet e jetesës, tha ministri i Financave, Ionut Misa në fjalën e tij, duke shtuar se Rumania është një nga ekonomitë më dinamike të BE-së dhe se drejtimi i saj i zhvillimit vlerësohet nga investitorët dhe institucionet ndërkombëtare.