Elena M’lenga jeton në Uells që prej vitit 2008. Pikërisht këtu ajo ka shtëpinë dhe ka lindur vajzën e saj.
Ajo punon me kohë të plotë dhe paguan të gjitha taksat. Por 37-vjeçarja me origjinë nga Rumania, thotë se është përballur me një abuzim të përhershëm ksenofobik, të cilin ajo e kujton shpeshherë nga shprehja që i është thënë në mënyrë të vazhdueshme: “Nëse këtu nuk ndiheni të lumtur, atëherë kthehuni në atdheun tuaj”.
Maria Brock është studiuese (që ka kryer edhe doktoraturën) pjesë e Grupit të Kërkimeve të Europës Qendrore dhe Lindore në Universitetin Cardiff dhe thotë se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian ka prekur emigrantët përmes legjitimimit të ksenofobisë dhe të një kulture në rritje të pakënaqësisë së shfrenuar në mungesë të mundësive ekonomike. Si pasojë e kësaj kulture fajësohen emigrantët, veçanërisht ata nga Rumania dhe Bullgaria.
Por çfarë e shkakton një situatë të tillë? “Padituria e njerëzve për përvojat e të tjerëve dhe mungesa e vlerësimit të kontributit që emigrantët kanë dhënë për Mbretërinë e Bashkuar. Kohët e fundit, ka pasur edhe armiqësi, të cilat janë shprehur haptazi fare”, thekson më tej znj. Brock.
Rumunët përbëjnë grupin e dytë më të madh të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar, pas atij të polakëve. Zyra e Statistikave Kombëtare raporton se rumunët shënuan numrin më të madh të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2018, ndërsa sipas Eurostat, agjencisë së Komisionit Europian, popullsia e Rumanisë renditet në vendin e pestë, si popullsia me rënien më të shpejtë si pasojë e emigracionit, në mesin e vendeve anëtare të BE-së.
Rreth 3.4 milionë rumunë u larguan nga vendi i tyre midis viteve 2007 dhe 2015 për t’i shpëtuar varfërisë dhe korrupsionit, sipas një raporti të fundit të Emigracionit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara.
Por Marius-Kostandin Budai, ministri rumun i Punës, tha për ITV News se rreth një milion vende vakante pune ishin në pritje të të gjithë emigrantëve që vendosnin të ktheheshin nga Mbretëria e Bashkuar. Ndërkohë, qeveria në Bukuresht ka filluar një fushatë për të inkurajuar të gjithë punëtorët e larguar që të rikthehen në atdhe.
“Nëse do të ishte e mundur, ne do të dëshironim që të gjithë rumunët të ktheheshin në atdheun e tyre. Por fatkeqësisht, asnjë prej punëtorëve emigrantë rumunë, me të cilët ne folëm, nuk ishte në dijeni të fushatës që qeveria jonë ka filluar”, tha z. Budai.
“Nëse emigrantët po kthehen në atdhe, kjo me siguri nuk është për shkak të rritjes ekonomike, pasi nuk ka diçka të tillë”, tha Andrei.
Një prej arsyeve se përse ata po vendosin të kthehen, është ndoshta fakti që ata e kanë kuptuar gabim Brexit-in dhe mendojnë se do të dëbohen nga Britania. Emigrimi në Mbretërinë e Bashkuar është parë si një investim i madh financiar në të ardhmen personale, nga ana e shumë rumunëve. Por me një program politik të kufizuar ekonomik dhe një mjedis armiqësor në rritje për emigrantët, shumë kanë filluar ta marrin në kosideratë kthimin në atdheun e tyre si pasojë edhe e rritjes së dyshimeve që kanë në lidhje me kthimet e investimeve të tyre.