Sistemi i pensioneve shtetërore të Rumanisë ka nevojë për një rishikim të plotë të përqendruar në kontributet dhe fondet private, në mënyrë të tillë që të bëhet më i qendrueshëm, tha Ministri i Financave, Florin Citu, në një intervistë të dhënë për Reuters. Shteti i Bashkimit Europian e ka rishikuar në vitin 2008 sistemin e tij të pensioneve të epokës komuniste, duke bërë të detyrueshëm që të gjithë rumunët që punojnë nën moshën 35 vjeç të kontribuojnë në skemat e pensioneve private, si edhe në pensionin e tyre shtetëror.
Qeveria liberale do të përballet me një rritje masive të pensioneve shtetërore, me rreth 40%, që nga shtatori i vitit 2020, të prezantuar nga paraardhësi i saj i majtë, që do të limitojë kufijtë e buxhetit të BE-së dhe do të rrezikojë ulje të kredisë nga agjencitë e vlerësimit.
“Vizioni ynë është për një sistem tërësisht të ri pensionesh”, u shpreh z. Citu. “Shpresoj të mos jemi shumë vonë, sepse çdo rishikim dhe çdo ristrukturim ka nevojë për disa vite deri sa të bëhet i efektshëm, gjithsesi edhe 2030 nuk është edhe aq larg”, vazhdoi ai më tej.
Shtatë fondet private të pensioneve të Rumanisë, tani administrojnë asete me vlerë nën 13 miliardë euro dhe janë njëkohësisht edhe investitorët më të mëdhenj institucionalë.
Qeveria e mëparshme Socialdemokrate, e cila u rrëzua në tetor, gjatë votimit të mosbesimit,
ishte përqendruar në rritjen e mëtejshme të pensioneve shtetërore aktuale. Ndërsa qeveria e z. Citu, e cila erdhi në pushtet në nëntor, do të anulojë kërkesat e qeverisë së mëparshme nëpërmjet një dekreti emergjence. Ministri Citu u shpreh se ai do të propozojë rritjen e kontributeve në 5% në 2021 dhe 6% në 2022. “Kontributet do të mbeten të pandryshuara vetëm vitin e ardhshëm, duke pasur parasysh gjendjen aktuale financiare”, tha ai. “Ne duam një sistem, që të bazohet në kontribute, një që i jep rëndësi më të madhe anës së menaxhimit privat, dhe që do të siguronte rendimente”, tha ai.
Rritja prej 40% e nivelit të pensioneve gjatë vitit të ardhshëm ka bërë që agjencia e vlerësimit Standard & Poor’s të japë një vlerësim negativ për Rumaninë. Përballë zhvillimit të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, qeveria e qendrës ka thënë se do të zbatojë legjislacionin ekzistues, por që do të rregullojë shpenzimet shtetërore dhe do të rrisë mbledhjen e taksave për të ndaluar defiçitet e larta.
Qeveria e Rumanisë pret që defiçiti të bjerë në 3.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vitin e ardhshëm dhe 3.3% në vitin 2021 nga rreth 4.4% i këtij viti, por gjithsesi do të mbetet mbi kufirin prej 3% të vendosur nga BE-ja deri në vitin 2022.
Sipas Komisionit Europian, nëse nuk do të merren masa shtesë nga ana e qeverisë rumune, ka mundësi që defiçiti i këtij shteti të arrijë në 6.1 për qind të PBB-së në 2021.
“Por vlerësimet e Komisionit Europian janë bërë përpara se qeveria jonë të vinte në pushtet. Unë do të përpiqem të siguroj Komisionin Europian dhe tregjet financiare që rruga që ne kemi marrë është ajo e konsolidimit fiskal. Unë dua t’u tregoj atyre se çfarëdo shifër që është mbi kufirin prej 3% do të shkojë drejt investimeve publike”, tha z.Citu.
Ai tha gjithashtu se do të propozojë që qeveria të shtyjë për të paktën një vit, përmes dekretit të emergjencës çdo ndryshim shtesë të bërë nga ligjvënësit në drejtim të shpenzimeve. Ministri Citu tha se nevojat bruto të financimit të vendit për vitin e ardhshëm do të ishin më të ulëta se ato prej 90 miliardë lei të vlerësuara gjatë këtij viti (21 miliardë dollarë amerikanë).