Pothuajse çdo ish-shtet i Bllokut Lindor ka kaluar situata të vështira gjatë dekadave të fundit. Por për Rumaninë, duket se këto situata nuk kanë mbaruar, shkruan REUTERS.
Përpjekjet e saj të muajve të fundit për të krijuar banka të reja, një sistem të ri energjetik dhe taksa mbi sistemin e telekomunikacioneve janë thjesht shembuj që tregojnë se ajo po përpiqet shumë që të sigurojë veten në radhë të parë se ka ende një ekonomi plotësisht funksionale.
Dy vjet më parë, rritja kapërceu pothuajse të gjithë shtetet e tjera homologe europiane, duke krijuar shpresa se më në fund, ajo po shfrytëzonte potencialin e popullsisë së saj prej 20 milionë banorësh, popullsia e dytë më e madhe në Europën Qendrore pas Polonisë. Por, rritja po aq shpejt sa ndodhi, aq shpejt edhe u venit, nga 7% në vitin 2017, ra në 4% një vit më parë.
Pritshmëritë se ofertuesi i indeksit të aksioneve MSCI mund të nxisë Rumaninë në statusin e tregjeve në zhvillim së bashku me kolegët e saj të tjerë si Polonia dhe Republika Çeke, gjatë këtij viti, gjë që do të mundësojë edhe tërheqjen e parave në tregjet e saj të vogla financiare, duket se po zbehen.
Tregu i Ofertës Publike Fillestare (IPO) është në stanjacion dhe vendosja e taksave të reja krijoi shqetësime tek
S&P, aq sa kjo e fundit kërcënoi se do të ndryshonte vlerësimin e Rumanisë në negativ.
Shumë po binden se politikëbërja është bërë e paparashikueshme dhe se kjo situatë konfuze e vërteton këtë gjë.
“Ndryshimet legjislative po ndodhin në mënyrë të shpeshtë dhe krejt papritur”, tha CEO i Franklin Templeton Rumania, Johan Meyer, i cili menaxhon fondin Fondul Proprietatea dhe që ka aksione në disa firma shtetërore.
Shpeshherë ndodh që vendimet nuk miratohen apo kthehen mbrapsht, por në këtë pikë, dëmi është bërë dhe është shumë e vështirë për ta ndryshuar situatën, thotë me tej z. Meyer.
Sipas ministrit rumun të Financave, Eugen Teodoroviç, ndërmarrja e masave të duhura do ta ndihmojë ekonominë, sidomos në drejtim të uljes së kostove të huamarrjes dhe të çmimeve të energjisë.
Një rrugë drejt askundit
Gjatë këtyre 12 viteve që ajo ka qenë pjesë e Bashkimit Europian, prodhimi kombëtar për banor në Rumani është dyfishuar, duke shkuar afërsisht në 60% të mesatares së Eurozonës.
Por pabarazitë e të ardhurave në këtë shtet janë ndër më të lartat e bllokut. Një e treta e popullsisë jeton në varfëri ekstreme dhe miliona banorë nuk përfitojnë nga kujdesi shëndetësor.
Popullsia e saj po pakësohet dhe po plaket, ndërkohë që lufta kundër korrupsionit kronik ka çuar në zhvillimin e protestave masive në rrugët e vendit.
Sipas një deklarate të Komisionit Europian, besimi i investitorëve po bie si pasojë e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme legjislative, vendimmarrjes së paparashikueshme, cilësisë së ulët institucionale dhe dobësimit të vazhdueshëm të luftës kundër korrupsionit. Por, ndërsa Rumania është rritur me 16 vende në Indeksin e Konkurrueshmërisë Botërore të Forumit Ekonomik Botëror që nga momenti që ajo u bë pjesë e BE-së, Bullgaria, e cila gjithashtu u bë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2007, e ka tejkaluar Rumaninë.
Në muajin e kaluar, një biznesmen nga Rumania verilindore shtroi brenda një dite vetëm një metër rrugë autostradë, duke mbuluar vetë të gjithë kostot, si një formë proteste ndaj infrastrukturës rrugore të shtetit.
Rumania ka vetëm 800 kilometra rrugë autostradë, më pak se gjysma e asaj që ka Hungaria, pavarësisht se ajo është më shumë se dyfishi i sipërfaqes së Hungarisë dhe ka pothuajse dy herë më shumë banorë se kjo e fundit.
Në tre vitet e fundit janë ndërtuar vetëm 75 kilometra rrugë autostradë, pavarësisht premtimeve të qeverisë për të ndërtuar më shumë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Rumanisë, Mugur Isaresku, sjell gjithnjë në vëmendje faktin e mungesës së ndërtimit të autostradave, për të theksuar se infrastruktura e dobët po pengon zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.
“Rumania do të jetë e gatshme të ecë me të njëjtin ritëm të shteteve europiane, vetëm atëherë kur ajo të ketë një autostradë që të shkojë përtej maleve Karpate”, tha në fund z. Isaresku.
Përmirësime të vogla
Dhënia e një sërë paketash ndihmëse nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për Rumaninë gjatë periudhës 2009-2015, bënë që kjo e fundit të zvogëlojë deficitin buxhetor dhe atë të llogarisë rrjedhëse, dy prej faktorëve kyç që kanë ndikuar në dobësimin e ekonomisë rumune. Borxhi i saj ndaj PBB-së është ulur dhe thuajse në të njëjtat nivele me ata të Republikës Çeke, rreth 38%. Por shifrat e mësipërme mund të rriten sërish si pasojë e shkurtimeve të taksave dhe rritjes së pagave dhe nivelit të pensioneve.
“Politikat e përqendruara në rritjen e nivelit të pagave dhe pensioneve të sektorit publik kanë zgjeruar pabarazitë dhe në njëfarë pike, rregullimi i tyre do të jetë i pashmangshëm”, tha kreu rumin i mbikëqyrësit fiskal, Ionut Dumitru. “Deficiti i llogarisë korrente është në një nivel që nuk mund të shpërfillet edhe për shumë kohë”, përfundoi ai.