Ministria e Punëve të Rumanisë ka hartuar një plan për të rritur më shumë se dyfishi pensionet shtetërore gjatë katër viteve të ardhshme për 5.2 milionë pensionistët e vendit, tha ministrja, Olguta Vasilesku, për t’i dhënë fund të gjitha kritikave në drejtim të një premtimi që konsiderohej si jorealist.
Sipas znj. Vasilesku, buxheti për pensionet do të rritej me 140 miliardë lei (34.4 miliardë dollarë amerikanë) gjatë katër viteve të ardhshme, nga 61 miliardë lei që është aktualisht.
Ajo u tha gazetarëve se paratë e nevojshme për të përmbushur planin do të mundësoheshin pjesërisht nga një rritje prej 70% në të ardhurat nga kontributet e detyrueshme sociale të cilat parashikohen të arrijnë në 100 miliardë lei deri në vitin 2022
“Shpjegimi është i thjeshtë: ne vlerësojmë një rritje të buxhetit të sigurimeve shoqërore, që gjenerohet nga rritja e pagave, rritja e numrit të të punësuarve dhe mbledhja më e mirë që pasqyron një kthim të barrës tatimore”, tha znj. Vasilescu. Pensioni mesatar mujor shtetëror në Rumani është 1,100 lei (270 dollarë amerikanë).
Qëllimi i këtij plani është që t’i jepet fund të gjitha mospërputhjeve që kanë qenë të pranishme për vite të tëra në këtë sistem.
Megjithatë, kritikët e planit, duke përfshirë opozitën qendrore dhe disa ekonomistë kryesorë, thanë se nivelet e propozuara të shpenzimeve ishin shumë të larta.
“Pyes veten se si mund të mbështesin një rritje mesatare të shpenzimeve të pensioneve rreth 25% në vit, siç propozojnë … duke e bërë këtë për katër vjet”, tha kryeekonomisti në Raiffeisen Bank në Bukuresht, Ionut Dumitru. Niveli është shumë i lartë prandaj ai duket krejtësisht i paqëndrueshëm.
Qeveria socialdemokrate synon të arrijë gjatë këtij viti një deficit buxhetor të konsoliduar prej vetëm 3% të PBB-së, norma e caktuar edhe nga Bashkimi Europian. Por sipas ekonomistëve të anketuar nga Reuters, deficiti buxhetor i Rumanisë do të shkojë në 3.1% të PBB-së.