Rumania ka një qeveri të re, pasi koalicioni qeverisës, i përbërë nga Partia Liberal Demokrate, Unioni Demokratik i Hungarezëve në Rumani dhe Unioni për Progres kanë nënshkruar emërimin e ish-shefit të inteligjencës së huaj,
Mihai Razvan Ungureanu, si Kryeministrin e ri të vendit. Presidenti Traian Basescu i ka besuar atij detyrën për të formuar një kabinet të ri, pasi paraardhësi i tij, Emil Boc, dha dorëheqjen si rrjedhojë e protestave antiqeveritare.
Prioritetet kryesore të qeverisë, siç u parashtruan nga Kryeministri i ri në Parlament, janë ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe organizimi i zgjedhjeve sipas programit. Mihai Razvan Ungureanu shpjegoi masat ekonomike
që qeveria e tij synon të ndërmarrë:
“Ne synojmë që të kryejmë debate publike dhe të nënshkruajmë Strategjinë e Konkurrueshmërisë Kombëtare të Rumanisë deri në vitin 2020, të thjeshtëzojmë dhe përmirësojmë legjislacionin për kuadrin administrativ,
për të reduktuar më tej barrën e taksave dhe ngarkesën ndaj operatorëve të biznesit, të vazhdojmë me programet për të lehtësuar aksesin në fonde për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.
Kabineti i ri gjithashtu synon të rrisë pagat dhe pensionet, por vetëm në atë masë që e lejon zhvillimi ekonomik dhe është i vendosur që të marrë masa për të krijuar vende të reja pune dhe për të nxitur rritjen ekonomike.
Prioritetet të tjera të programit qeverisës përfshijnë një rritje në investime, tërheqje më të mirë të fondeve europiane, si dhe uljen e diferencës së konkurrueshmërisë në raport me shtetet e tjera të BE-së.
Shumë nga këto masa ishin të përfshira tashmë në programin qeverisës të kabinetit të mëparshëm, të kryesuar nga Emil Boc.