Kryeministri rumun, Nicolae Ciuca, dhe ministri i Energjisë, Virgil Popesku, janë ndër zyrtarët që morën pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje midis prodhuesit shtetëror të naftës dhe gazit Romgaz dhe kompanisë amerikane ExxonMobil, duke nënvizuar distancimin strategjik nga Rusia që përfaqëson ky projekt.
Marrëveshja, e cila u njoftua vitin e kaluar, i ka dhënë kompanisë Romgaz kontrollin e plotë të filialit lokal të ExxonMobil – ExxonMobil Exploration & Production Romania, për një shumë prej mbi 1 miliard dollarësh.
Filiali zotëron 50% të aksioneve në projektin më të madh offshore të vendit në Detin e Zi.
Projekti i njohur me emrin Neptun Deep, pritet të bëhet një furnizues alternativ kryesor i gazit natyror për tregjet e brendshme dhe ato të eksportit, që në vitin 2026.
“Ky transaksion është një shprehje e angazhimit të qeverisë për të mbështetur investimet jetike në energji dhe kapitalizimin e gazit në Detin e Zi, për të mirën e rumunëve dhe ekonomisë së vendit”, tha Ciuca.
“Rumania ka bërë një hap të madh drejt garantimit të sigurisë dhe pavarësisë energjetike. Në kontekstin aktual gjeopolitik, ne nuk kemi kohë për të humbur. Do të bëjmë përpjekjet e nevojshme për të përshpejtuar fillimin e funksionimit”, tha ministri Popesku.
Pavarësisht prodhimit të fortë vendas të gazit, Rumania mbetet e varur nga furnizimet me gaz rus që vijnë në vend nëpërmjet tubacionit nënujor Turkstream, i cili kalon Detin e Zi, Turqi dhe Bullgari.
Sipas një partneri në firmën ligjore CMS Cameron McKenna SCA në Bukuresht, Loredana Mihailescu, vendi vazhdon të importojë mbi 15% të nevojave të tij për gaz nga Rusia.
Vazhdimi i këtyre furnizimeve është në rrezik pas vendimit të Gazprom për të ndalur shitjet në Bullgari.
Gjiganti rus i gazit e mori vendimin pasi autoritetet bullgare refuzuan të pranonin kërkesën që pagesat të bëheshin në rubla, nëpërmjet një banke ndërmjetëse.
“Rumania do të ketë tepricë gazi pas fillimit të projektit Neptun Deep, duke dyfishuar prodhimin e gazit përtej konsumit aktual të brendshëm dhe do të bëhet ofrues i sigurisë rajonale të energjisë”, tha Popesku.
Neptun Deep ka qëndruar prej vitesh në pritje pas ndryshimeve të pafavorshme legjislative që pritet të adresohen tani.
“Një ligj i ri mbi projektet offshore, i cili po debatohet në Parlamentin rumun, po përshpejton investimet jetike për të siguruar qasjen në burimet e gazit natyror”, tha Ciuca.
Duke folur javën e kaluar në Vjenë, shefi ekzekutiv i OMV, Alfred Stern, tha se Neptun Deep pritet të kërkojë investime me vlerë rreth 2 miliardë euro (2.1 miliardë dollarë).
Nëse Parlamenti rumun heq pengesat tatimore për projektet offshore këtë vit, Stern pret që OMV dhe Romgaz të jenë në gjendje të bien dakord për vendimin përfundimtar të investimit mbi projektin, brenda një viti.
Projekti pritet të hyjë në prodhim komercial katër vjet pas vendimit përfundimtar të investimit.