Rumania / Legjislacion për riatdhesimin e rezervave të arit

11/05/2019 10:03 PM 0 komente

Parlamenti i Rumanisë ka miratuar legjislacionin për riatdhesimin e rezervave të arit që ndodhen në shtete të huaja.

Sipas këtij ligji të ri, kërkohet kthimi i 91.5% rezervave të arit të Rumanisë, të mbajtura në shtete të huaja. Kjo sasi është ekuivalente me rreth 56 tonë metalesh të çmuara. Pjesa më e madhe e këtyre rezervave të arit mbahen aktualisht në Bankën e Anglisë. Pikërisht këto rezerva ari janë shndërruar edhe në mollën e sherrit midis Partisë Social Demokrate në pushtet (PSD) dhe zyrtarëve të lartë të Bankës Kombëtare të Rumanisë.

Lideri i partisë në pushtet, Liviu Dragnea, pretendon se mbajtja e rezervave të arit jashtë vendit nuk është më e nevojshme, sepse Rumania ka pasur një ekonomi të qëndrueshme, me një inflacion të moderuar, dhe prandaj nuk është më e nevojshme që shteti ynë t’i paguajë Bankës së Anglisë tarifa të larta për mbajtjen e rezervave rumune të arit. Duke u bazuar në situatën aktuale të Rumanisë, asnjë arsye nuk mund ta justifikojë mbajtjen e rezervave të arit jashtë vendit, kur ato mund të ruheshin fare mirë brenda tij.

Socialdemokratët marrin si shembull vende si Gjermania, Hungaria, Italia dhe Austria që i kanë riatdhesuar rezervat e tyre me metale të çmuara.
Megjithatë, kritikët dhe kundërshtarët e një lëvizjeje të tillë, shprehen se riatdhesimi i arit do të rrezikonte ekonominë e vendit, duke kufizuar aftësinë e qeverisë për të marrë hua nga tregjet e huaja.

“Rezerva është diçka të cilën ju e mbani të sigurt për ta përdorur në rrethana të jashtëzakonshme, në mënyrë që të rritet besueshmëria e vendit”, tha Mugur Isaresku, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, në një deklaratë për shtyp. Rezerva zvogëlon koston e huamarrjes, por sjell edhe përparësi të tjera. Ne, si Bankë Kombëtare nuk kemi ndër mend të humbasin arin e Rumanisë në makinat e lojërave të fatit.

Sipas ekspertëve të financave dhe politikanëve të opozitës, kjo është një lëvizje e rrezikshme, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike të Rumanisë. “Mbajtja e rezervave të arit jashtë shtetit shërben si një garanci për huadhënësit e huaj që Rumania do t’i paguajë borxhet e saj”, tha përpara mediave lokale Gheorghe Ialomiteanu, ish-ministri i Financave.

Iulian Fota, një ish-këshilltar i Presidentit për Sigurinë Kombëtare, tha për Euronews, se lëvizja për të riatdhesuar rezervat e arit është nxitur nga nacionalizmi i theksuar dhe ndjenja antiperëndimore që synon të reduktojë lidhjet me botën perëndimore. Përdoruesit e medias sociale nuk u kursyen në satirizimin e propozimit të Z. Dragnea në lidhje me riatdhesimin e rezervave të jashtme. Në rrjete të ndryshme sociale u shpërndanë foto ku atij i ishin vënë dhëmbë ari, bizhuteri të tepruara dhe madje në disa prej tyre, ishte shkruar se z. Dragnea, pasi të riatdhesonte rezervat e arit do t’i bënte vetes një skulpturë ari, duke spekuluar kështu mënyrat e mundshme në të cilat ai do ta përdorte arin pasi ta rikthente në vend.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of