“POLENTA[1] nuk shpërthen” është shprehja me aforizëm, që rumunët përdorin për të përshkruar qëndrimin e ndrydhur që është tipik për vendin. Por ditët e fundit diçka ka ndryshuar, komenton “The Economist”.
Mijëra njerëz vërshuan në rrugët e Bukureshtit dhe 40 qyteteve të tjera, duke shprehur zemërimin mbi drejtuesit, që perceptohen se kanë qenë të paaftë për t’u përballuar me krizën ekonomike.
Qendra e Bukureshtit u godit nga dhuna e një shkalle që nuk ishte parë prej dekadash. Traian Băsescu, Presidenti i qendrës së djathtë, është objektivi kryesor i zemërimit të protestuesve.
“Largohu, qen i mjerë” përsëritnin ata pa pushim, teksa hidhnin gurë. Ujë dhe gaz lotsjellës u përdor për të shpërndarë turmën.
60 njerëz, përfshirë disa zyrtarë policie, u plagosën nga trazirat. Policia pranoi se oficerët e saj mund të kishin qenë të ashpër në disa raste. Emil Boc,
Kryeministri, e dënoi dhunën, por pranoi se masat e rrepta të qeverisë së tij i kishin zemëruar njerëzit.
Rezultati i menjëhershëm i trazirave ishte dorëheqja e Raed Arafat, një zyrtar popullor në Ministrinë e Shëndetësisë,
që u largua pas përplasjeve me z. Băsescu lidhur me një paketë të diskutueshme reformash për sistemin e kujdesit shëndetësor.
Z. Boc është zbutur tashmë që të rishikojë planet dhe i ka ofruar një degë ulliri z. Arafat dhe e ka mbajtur në postin e zëvendës ministrit të Shëndetësisë.
Doktori i lindur në Palestinë, i cili emigroi në Rumani në vitet 1980, ka ndihmuar për ngritjen e një sistemi profesional të shëndetësisë së urgjencës.
Ai nuk ishte dakord me propozimin e qeverisë për ta privatizuar atë, si pjesë e përpjekjeve për të shkurtuar shpenzimet publike. “Cilësia nuk arrin në mënyrë automatike me privatizimin.
Për pacientët, sistemi do të jetë më i dobët, tha ai, duke njoftuar dorëheqjen e tij. Një ditë më parë, z. Băsescu e kishte quajtur z. Arafat një gënjeshtar në televizion, duke shtuar se ai kishte pikëpamjet të majta.
Z. Băsescu është i njohur për metodat e tij jodiplomatike dhe të shpejta. Megjithatë, teksa protestat paqësore pro-Arafat u përhapën nëpër vend, presidenti i kërkoi qeverisë që të tërhiqte ligjin për kujdesin shëndetësor.
Ai ia vuri fajin manipulimit të medias dhe nuk ishte në gjendje të rezistojë, duke vënë në dukje me sarkazëm se “sistemi i emergjencës funksionon shumë mirë”.
Opozita Social Liberale (USL) ka bërë thirrje që zgjedhjet të mbahen përpara nëntorit, kur janë planifikuar, “në atë që duket të jetë një shtet që nuk qeveriset”.
Lideri i tyre, Victor Ponta, i ka ofruar z. Arafat një vend pune në qeverinë e ardhshme të USL. Por, z. Arafat thotë se ai nuk ka ambicie për të rihyrë në politikë.
Ai u ka bërë thirrje protestuesve që të kufizojnë dhunën dhe të mos bien pre e manipulimit nga politikanët.
Protestat
Protestuesit – që vërshuan me mijëra në Bukuresht, ndërsa numri i tyre ishte më i ulët në qytete të tjera – shprehën zemërimin lidhur me shkurtimet e fundit të pagave në sektorin publik,
rritjen e taksave dhe të akcizës dhe nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë.
Ndryshe nga qytete të tjera të Rumanisë, ku protestat ishin të qeta, në Bukuresht u shoqëruan me gurë e bomba molotovë.
Kryeministri Emil Boc i ftoi protestuesit të dialogojnë me koalicionin qeverisës, duke bërë apel për qetësi dhe arsyetim.
“Dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur të gjitha problemet në Rumani. Zgjidhja nuk është të hidhen tulla, zgjidhja është dialogu. Unë e di që rumunët kanë kaluar kohë të vështira.
Vitet e krizës na kanë shtyrë që të merrnin vendime dhe të ndërmerrnin masa që nuk ishin sipas preferencave tona, por të cilat për fat të keq ishin të nevojshme, për shkak se përndryshe nuk do t’i kishim kaluar këto kohë të vështira”.
Opozita është distancuar nga protestat e dhunshme dhe i ka nxitur rumunët që të protestonin paqësisht për të nxitur ndryshimet në Rumani.