Në thelb të mosmarrëveshjeve aktuale mbi energjinë është një konkurrencë e fortë për qiradhënien e burimeve, ndërmjet prodhuesve të energjisë, konsumatorëve dhe vendeve tranzite ku tek kjo e fundit përfshihet edhe Shqipëria.
Nga Erlet Shaqe
Gjatë viteve të fundit, dëshmojmë një përkeqësim të rëndë të marrëdhënieve energjetike, ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Europian (BE-së). Çështja mbi gazin është tepër e rëndësishme, e lidhur ngushtë me përpjekjet e vazhdueshme nga Rusia për të rikalibruar strategjinë e gazsjellësit Euroaziatik, si dhe orvatjet nga ana tjetër e BE-së për të krijuar rrugë të reja furnizimi. Rajoni i Detit Kaspik tashmë është shndërruar në pikën kyçe të këtyre diskutimeve të nxehta, në fazën e mosmarrëveshjeve serioze, ndërmjet Rusisë dhe BE-së. Ndërkohë që, Azerbajxhani dhe Turkmenistani konsiderohen si partnerë jetikë të mundshëm të konsumatorëve europianë të energjisë, Rusia angazhohet me politikat e saj më agresive, në mbrojtje të interesave të saj kombëtare në rajon. Rivaliteti i vazhdueshëm Rusi-BE, mbi projektet alternative të furnizimit me gaz, jo vetëm që e thellon boshllëkun e marrëdhënieve Bruksel-Moskë, por gjithashtu ka përcjellë ndikimin e saj, ndaj strategjive mbi energjinë të vendeve Kaspike, duke u përpjekur të mos shndërrohet në një fushëbetejë ndërmjet dy aktorëve kryesorë.
Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë, si dhe shqetësimet e ngritura, lidhur me sigurinë e furnizuesve të gazit rus drejt tregut europian, kanë përshkallëzuar tensionet ndërmjet Rusisë dhe BE-së, duke arritur nivelin e tyre më të lartë në këto vitet e fundit. Natyra bashkëkohore e marrëdhënieve BE-Rusi mbi energjinë, është rezultati i një kombinimi të ndërlikuar faktorësh gjeopolitikë dhe ekonomikë, të cilët janë të lidhur, ngushtësisht me përfitime të mëdha dhe sigurinë kombëtare. Në thelb të mosmarrëveshjeve aktuale mbi energjinë është një konkurrencë e fortë për qiradhënien e burimeve, ndërmjet prodhuesve të energjisë, konsumatorëve dhe vendeve tranzite ku tek kjo e fundit përfshihet edhe Shqipëria. Ndërlikimet gjeopolitike, aksesi ndaj tregut, modernizimi ekonomik dhe sovraniteti kombëtar, janë disa ndër çështjet kyçe, të cilat kanë ndikuar në politizimin e marrëdhënieve BE-Rusi. Në vijimësi të vënies së sanksioneve nga Perëndimi kundër Rusisë, marrëdhëniet mbi energjinë janë bërë edhe më të ngurta, duke mbyllur të gjitha rrugët e mundshme për të rifituar besimin e humbur nga të dyja palët.
Megjithëse, si Brukseli dhe Moska e kanë mbështetur zyrtarisht depolitizimin e çështjeve mbi energjinë, të dyja palët kanë këndvështrime të kundërta, sesi sektori duhet të organizohet në tërësi. BE-ja kërkon të integrojë Rusinë në sistemin e tregut, ndërkohë që Moska refuzon politikat e vlerave europiane, si dhe kundërshton regjimin ekzistues ndërkombëtar të tregtisë energjetike. Nxjerrja e sanksioneve kundër Rusisë ka rezultuar, si rrjedhojë në një sfidë për politikëbërësit europianë. Gjithsesi, qasjet e ndryshme dhe interesat kontradiktore e kanë vënë si Rusinë dhe BE-në përpara rrezikut të konfrontimit, e cila ka gjasa të përçojë një ndikim negativ, lidhur me sigurinë e sektorit energjetik për të dy palët.
Realitetet aktuale të Bllokimit të Energjisë BE-Rusi
BE-ja, duke qenë se është e përfshirë në liberalizimin e tregut energjetik, aktualisht është duke u përballur me një hendek serioz, ndërmjet zvogëlimit të burimeve vendase dhe kërkesës në rritje të energjisë. Megjithëse BE-ja përpiqet të promovojë tregtinë e lirë të energjisë përtej kufijve të saj, politikat europiane mbi energjetikën mbizotërohen nga interesat kombëtare, duke penguar krijimin e një qëndrimi të përbashkët dhe të orientuar strategjikisht ndaj BE-së, lidhur me organizimin e tregut energjetik.
Deri më tani, interesat brenda BE-së i kanë penguar Vendet Anëtare, për të formuluar një politikë kohezive dhe të integruar mbi energjinë. Nga ana tjetër, Rusia ka ndjekur një qasje të ndryshme, lidhur me globalizimin e tregut energjetik, duke kundërshtuar rolin vetëm të një eksportuesi të thjeshtë të energjisë. Politikat mbi energjinë të zhvilluara nga Rusia dominohen nga objektivat kyçe strategjik, lidhur me trendet e gjeopolitikës dhe ekonomisë globale, si dhe ndryshimet sociale dhe politike. Kremlini paraqet fuqimisht forcën e tij gjeopolitike, dhe shpesh përdor metoda të ashpra, me qëllim garantimin e interesave strategjike ruse. Megjithatë, mundësia e një rivaliteti vijon të jetë i lartë, për shkak se projektet kryesore mbi investimet dhe rrugët e tubacioneve gazsjellëse, kanë ndryshuar ndjeshëm pozicionet ekzistuese të pushtetit.
Qysh prej nisjes së krizës në Ukrainë, drejtuesit e Kremlinit, e kanë rishikuar dukshëm strategjinë mbi tubacionet e gazit të Rusisë. Ndërkohë që, Rusia dominon tregjet e energjisë europiane prej më se shumë vitesh, strategjia e energjisë ruse ka pasur ndikimin e saj mbi shumë shtete europiane dhe joeuropiane, në lidhje me kërkesën, furnizimin dhe tranzitin. Rrugë të reja alternative për gazin dhe naftën, janë gjithsesi jetike për Moskën. Në këtë kuadër, Rusia drejtohet nga Azia, aty ku bashkëpunimi energjetik me Kinën, dukshëm është intensifikuar gjatë viteve të fundit, duke sjellë sfida të reja për konsumatorët europian. Me qëllim rivendosjen e statusit të superfuqisë, Presidenti Vladimir Putin është i përqendruar në përdorimin e burimeve natyrale të pamata në vend. Vizioni i ri i Kremlinit, lidhur me tregun global të energjisë, është të rrisë vetëbesimin rus, nëpërmjet një sërë alternativash të mundshme në Euro-Azi.
Nga ana tjetër, BE-ja, është duke bërë çdo përpjekje, për të zvogëluar varësinë ndaj Rusisë, duke shumëfishuar burimet e furnizimit me gaz natyral. Megjithëse, disa alternativa janë duke u marrë aktualisht në konsideratë ndaj furnizuesit rus të gazit, ka shumë pak gjasa që BE-ja të zvogëlojë dukshëm importet e saj të energjisë nga Rusia, në një të ardhme të afërt. Vetë fakti, që Rusia zotëron furnizuesit më të mëdhenj të energjisë në aspektin global dhe tashmë ka një infrastrukturë domethënëse në vend, e shpjegon shumë qartë, pse disa prej kompanive më të mëdha të energjisë në Europë, ngurrojnë të zhvendosen tërësisht nga status quo-ja. Nuk është çudi, pse këta të fundit kanë interesa të larta financiare, për të mbajtur një furnizim të qëndrueshëm të gazit nga Rusia. Megjithatë, BE-ja po përpiqet që të zhvillojë projekte të reja alternative mbi energjinë. Furnizimi me gaz natyral për në tregun europian nga rajoni i Detit Kaspik dhe në një kohë tjetër zonat gazmbajtëse të Iranit, janë parë për një kohë të gjatë si qëllimi i BE-së, ndaj një përpjekje për të lehtësuar ndopak varësinë ruse.
Pjesët kryesore të Enigmës Kaspike
Vendet anëtare të BE-së e kanë njohur rëndësinë gjeopolitike të Gjirit Kaspik, duke konsideruar Azerbajxhanin dhe Turkmenistanin si një korridor strategjik, i cili lidh Europën Jugore me Kaukazin dhe Azinë Qendrore. Ndërkohë që jemi në dijeni, të potencialit të pasur që ofrohet nga burimet hidrokarbure të Kaspikut, BE-ja ka realizuar në të njëjtën kohë projekte me investime të reja, të cilat do të ndikojnë në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizuesve botërorë të energjisë në të ardhmen. Më se e vërtetë, tashmë që, Azerbajxhani dhe Turkmenistani janë shndërruar në palët kyçe të rajonit të Kaspikut dhe të dy vendet zënë një vend të veçantë në strategjinë e BE-së, lidhur me shumëllojshmërinë e furnizimit me gaz.
Brukseli ka rritur marrëdhëniet me Bakun dhe Ashgabatin, me qëllim aksesin ndaj depozitave të energjisë në Detin Kaspik dhe zvogëlimin e varësisë së Europës, ndaj importeve të energjisë ruse. Në vijimësi, BE-ja ka nisur bisedime të drejtpërdrejta mbi projekte ndërkombëtare, të cilat do të mundësojnë furnizimin e konsiderueshëm të energjisë nga Gjiri Kaspik drejt tregut europian. Gazsjellësi Trans-Anatolian (TANAP) dhe gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) si rezultat, do të japin Korridorin e Gazit Jugor kaq të dëshiruar, e ashtuquajtura si “Rruga e Re e Fildishtë”, për linjat e transportit të energjisë, ndërmjet gjirit Kaspik dhe BE-së. Sapo kjo lidhje jetësore, të fillojë zbatimin në dekadën e ardhshme, do të mundësojë ndaj BE-së importin e gazit natyral nga Azerbajxhani, Turkmenistani dhe mundësisht nga Irani. Përveç kësaj, Brukseli ka nisur një fushatë aktive propagande për projektin e tubacioneve të gazsjellësit Trans-Kaspik, e i riprezantuar kohët e fundit në axhendën e BE-së, për çështjet e energjisë. Tubacioni Trans-Kaspik, do të jetë pjesë e projektit TANAP, i cili është duke u ndërtuar nga Azerbajxhani dhe Turqia. Me shumë gjasa, tubacioni Trans-Kaspik, do të thellojë më tepër aksin lindje-perëndim të marrëdhënieve mbi energjinë, ndërmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Turkmenistanit, Turqisë dhe Vendeve Anëtare në BE.
Pavarësisht kësaj, energjia mbetet një ndër sfidat kryesore për Azerbajxhanin dhe Turkmenistanin, lidhur me politikat vendase dhe të jashtme, jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj vendeve të tjera, veçanërisht Rusisë. Rrjedhja e plotë e gazit Kaspik në Europë, parashikon një qëndrueshmëri në këto dy vende, veçanërisht e parë në planin afatmesëm. Proceset vendimmarrëse si në Baku dhe Ashgabat (Turkmenistan), shpesh lidhen me zgjidhjen e ekuacioneve rajonale të gjeopolitikës dhe gjeoekonomisë. Në realitet, rrugët e tubacioneve TANAP, TAP dhe Trans-Kaspik, janë projekte me risk zero. Disa prej çështjeve të mundshme, lidhur me këto projekte, përfshijnë risqet që kanë të bëjnë me furnizimin, ndërtimin, statusin ligjor të Detit Kaspik dhe çështjet mjedisore, të cilat tashmë janë diskutuar nga ana e Moskës dhe Teheranit.
Furnizimi me gaz natyror, duke rritur ndërvarësinë midis furnitorëve dhe konsumatorëve, e shndërron situatën politikisht më të ndjeshme. Eksporti i burimeve hidrokarbure nga Deti Kaspik ndaj Europës, si rezultat do të sfidohet ndaj faktorëve të veçantë, si për shembull interesat gjeopolitike të fqinjëve të fuqishëm, duke konkurruar projektet e tubacioneve të gazit, ndryshimet lidhur me rrugët e furnizimit dhe problemet teknike. Për shembull, pengesa kryesore e TAP-it nuk është shtyrja e datës së përurimit të këtij projekti me një vit më shumë, deri në 2021, por janë kushtet e reja, të cilat janë shtruar në tavolinë nga qeveria greke.
Direkt pas zgjedhjeve, kryeministri grek, Alexis Tsipras, nisi të fliste për politikat e tubacioneve të gazit. Më 3 shkurt 2015, Greqia deklaroi se do të mbështeste ndërtimin e tubacioneve të TAP-it, përgjatë gjithë territorit të saj, por përfitimet që do t’i sillte Athinës, mund të ishin të pamjaftueshme dhe nisën diskutimet për t’u rishikuar. Në vijim të njoftimit për fillimin e Turkish Stream, Greqia e gjen veten në një pozicion gjeografik strategjik, lidhur me garantimin e energjisë ndaj BE-së. Që atëherë, të dyja tubacionet e gazsjellësit (TAP dhe Turkish Stream) kanë nisur garën, se cila do të ishte e para për të kaluar nga Turqia në Greqi, duke përfituar avantazhet. Në të vërtetë, Tsipras është duke përdorur kartën e tij të fortë, ndaj sigurisë së energjisë në BE. Ai po përdor pozicionin gjeografik të Greqisë, për të vendosur një tarifë më të lartë për TAP-in, megjithëse marrëveshjet nga rinegociatat do të shkaktojnë hatërmbetje te qeveria e tij.
Në të njëjtën kohë, projekti i tubacionit të gazsjellësit Trans-Kaspik mund të jetë i zbatueshëm, vetëm nëse Azerbajxhani dhe Turkmenistani do të shfaqin dëshirën për të irrituar Moskën. Kjo varet nga aftësia e të dy vendeve, për t’i rezistuar presionit që mund të vijë nga çdo drejtim, veçanërisht nga Rusia dhe Irani, të cilët, në mënyrë të vazhdueshme, kanë ngritur për diskutim statusin e pazgjidhshëm të Detit Kaspik, me arsyetimin se ndërtimi i gazsjellësit do të dëmtojë mjedisin e Detit Kaspik.
Gjatë shqyrtimit të politikave shumëdimensionale mbi energjinë, Baku dhe Ashgabat kanë marrë gjithë masat ndaj një sfide me interes të ekuilibruar, duke shmangur në të gjitha mënyrat çdo lloj konflikti të drejtpërdrejtë me Moskën, në lidhje me materializimin e Korridorit të Gazit Jugor. Nisur edhe nga shqetësimet politike, as Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe as Presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdimuhamedov, nuk mund të ushtrojnë presion më të fortë, sesa ai i ushtruar nga BE-ja, në lidhje me rrugën e tubacionit gazsjellës Trans-Kaspik-TAP-TANAP. Të dy, Baku dhe Ashgabat, janë gati të nisin me implementimin e projektit, por nuk po shohin mbështetjen e mjaftueshme politike nga ana e BE-së dhe kanë dyshimet në lidhje me gatishmërinë e BE-së për të kundërshtuar Moskën, për zbatimin e këtyre nismave ndërkombëtare. Si rrjedhojë, efekti i presionit të madh të ushtruar nga Rusia, varet në mënyrë direkte nga rezistenca e frontit të bashkuar të BE-së.
Në mënyrë paradoksale, BE-ja po përpiqet të krijojë një union mbi energjinë, i cili ka për qëllim miratimin e sa më shumë marrëveshjeve transparente mbi gazin, me qëllim zbehjen e ndikimit rus. Pavarësisht angazhimeve të fuqishme për të arritur krijimin e një tregu të përbashkët energjie, BE-ja deri më tani nuk ka arritur të mundësojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse ndaj shumicës së interesave kombëtare konfliktuale të vendeve anëtare. Për më tepër, mungesa e një integrimi fleksibël, aq shumë të nevojshëm në tregun europian të energjisë, i ka dhënë Rusisë më tepër hapësirë për të manovruar ndaj politikave të tubacioneve gazsjellëse euroaziatike. Moska po përdor disa taktika të mençura, duke sugjeruar edhe dhënien e aksioneve ndaj kompanive europiane, të përfshira në investimet e projekteve të ndryshme. Rusia, gjithashtu, përdor pushtetin e saj politik për të dekurajuar disa prej shteteve bregdetare të rajonit të Kaspikut, për të mos mbështetur planet e BE-së për shumëfishimin e furnizuesve të gazit.
Nga ana tjetër, për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme, Azerbajxhani dhe Turkmenistani, nuk i përmbushin dot plotësisht kërkesat e BE-së, si dhe nuk ofrojnë alternativa të besueshme ndaj gazit rus, në një afat të shkurtër. Në planin afatgjatë, megjithëse rrugët e reja duke shmangur Rusinë janë duke u zhvilluar, kapacitetet e eksportit të këtyre dy vendeve bregdetare kaspike, janë të pamjaftueshme për t’u shndërruar në aktorë të fuqishëm loje, për garantimin e energjisë ndaj BE-së. Përveç kësaj, Korridori Jugor i Gazit mund të sjellë konkurrencë për të gjitha vendet e BE-së dhe të mpijë Rusinë si “armë energjetike”.
Në të njëjtën kohë, Rusia ende mund të kërkojë të shfrytëzojë avantazhet ndaj kostove të saj, duke mbajtur larg tregut europian konkurruesit. Moska mund të vazhdojë të shesë gazin me çmime të ulëta, ndërsa sfiduesit e rinj, si për shembull tubacioni i gazsjellësit nga Turkmenistani, duhet të ofrojnë një çmim më të lartë që të kenë përfitime. Asnjë prej vendeve, qoftë Azerbajxhani qoftë Turkmenistani, nuk do të kenë avantazhe të ngjashme, dhe si rrjedhojë projektet e gazsjellësit TANAP, TAP dhe Trans-Kaspik, nuk mund të zëvendësojnë aksionet e Rusisë në tregun e BE-së për gazin natyral. Duke marrë parasysh situatën aktuale financiare globale, shoqëruar me çmimet e ulëta të naftës dhe të gazit, është e vështirë të konsiderohet transformimi i rajonit të Detit Kaspik në një nyje tranziti për BE-në në të ardhmen.
Siguria e Energjisë së BE-së e mbërthyer midis Manovrës së re të Rusisë dhe Problemeve të Mbartura
Fusha e shahut shumëdimensionale, e gazit natyror të Rusisë, është lehtësisht e kuptueshme, teksa Moska ka shumë interesa ekonomike dhe gjeopolitike në gjirin e Detit të Zi dhe Kaspik. Ndërkohë që vendet e etura për energji të Europës Jugore dhe Lindore, po përpiqen që të promovojnë TANAP dhe TAP, me shpresën e përshpejtimit të integrimit të tyre në sistemin energjetik europian, Rusia vazhdon të transmetojë sinjale të ndryshme, lidhur me linja të ndryshme të transportit të gazit. Pavarësisht dozës së rëndë me sanksione nga Perëndimi, Moska ka çuar përpara qëllimin, për të ndërtuar një tubacion me Turqinë, duke pasur një kontroll potencial ndaj nyjës së gazit në kufirin turko-grek, për shitjet që do t’i bëhen Europës.
Rusia dhe Turqia janë partnerë strategjikë kyç për shumë vite. Që prej ardhjes në pushtet të Vladimir Putin dhe Rexhep Tayyip Erdogan përpara 15 vitesh, të dyja shtetet kanë krijuar një bashkëpunim të ngushtë, jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera, atë të tregtisë, turizmit, ndërtimit, prokurimit të armatimeve dhe investimeve të kapitalit. Iniciativa më e fundit e Rusisë, e njohur edhe si “Turkish Stream”, paraqet mundësinë e bllokimit të të gjitha burimeve alternative të gazit, që vijnë nga Turqia për në BE. Nëse Moska dhe Ankaraja miratojnë marrëveshjen e implementimit të këtij projekti, Turkish Stream paraqet ndërlikim serioz për disa prej Vendeve Anëtare të BE-së, në lidhje me shumëfishimin e furnizuesve të energjisë për në tregun europian. Në rast se, projekti implementohet në një afat të shkurtër, gjiganti rus i energjisë Gazprom, lehtësisht mund të ulë çmimet e gazit krahasuar me kostot e larta të gazit Kaspik në tregun turk dhe atë europian.
Turkish Stream është një strategji e menduar dhe e kalibruar më së miri, nga ana e Presidentit Putin, duke pasqyruar llogaritjet e reja gjeopolitike nga ana e Kremlinit si aksioneri më i madh në lojën Euroaziatike.
Ndërkaq, politika e Presidentit Putin, në lidhje me furnizimin e energjisë, në tregun europian duket e sigurt. Moska sfidon haptazi blerësit e së ardhmes të gazit nga Azerbajxhani, veçanërisht ndaj konsumatorëve, të cilët janë të lidhur direkt me projektin Turkish Stream. Në mungesë të një sfide europiane, më të bashkërenduar ndaj sigurisë së energjisë, koncepti i ri i Rusisë, lidhur me gazin ka për qëllim, të ndërtojnë fillimisht Turkish Stream dhe më pas, të presë për ndërtimin e infrastrukturës në Europë. Ka të gjitha gjasat, se kjo lëvizje, do t’i mundësojë Moskës fitoren dhe t’i sjellë shqetësime BE-së, lidhur me zgjidhjen e çështjeve aq të diskutueshme, të cilat mund të përcillen nga ana e konsumatorëve europianë.
Megjithatë, mbetet interesant fakti se, disa prej vendeve bregdetare Kaspike, janë në gjendje të përdorin shkathtësinë e tyre, lidhur me çështjen e eksportit të energjisë. Për shembull, gjatë viteve të fundit, autoritetet drejtuese në Baku kanë arritur të mbajnë një qëndrim diplomatik të ekuilibruar, pavarësisht interesave gjeopolitike konkurruese, në gjirin e Detit të Zi-Kaspik, duke qenë se Azerbajxhani ofron furnizimin me energji jo vetëm ndaj Turqisë dhe BE-së, por edhe ndaj Rusisë dhe Iranit. Azerbajxhani nuk e konsideron Turkish Stream, si një projekt rival për Korridorin e Gazit Jugor. Në fakt, kapaciteti i Turkish Stream mund të përdoret nga Azerbajxhani, duke përdorur mundësinë e transportimit, falë zgjerimit të tubacionit gazsjellës Rusi-Turqi, nëpër territorin e Europës, duke furnizuar me sasi shtesë të gazit natyror në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, Irani vendi i dytë në botë, që zotëron rezervat e gazit natyror pas Rusisë, do të rishikojë rrugët e ndryshme të eksportit për në Europë, tani që sanksionet ndërkombëtare janë duke u hequr. Teherani, gjithashtu, mund të shfrytëzojë tubacionin e Turkish Stream, nëpërmjet njërës prej rrugëve të mundshme, nga ku gazi i Iranit në të ardhmen, mund të përçohet pranë konsumatorit europian. Paralelisht, marrëveshja më e fundit mbi programin bërthamor të firmosur në korrik e quajtur P5+1, ka hapur mundësi të reja për zgjerimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Iranit dhe vendeve të tjera fqinje të Kaspikut. Në mënyrë të veçantë, Irani është duke kërkuar për rrugë të reja bashkëpunimi më të ngushtë me Azerbajxhanin, lidhur me eksportin e energjisë. Pasi t’i jenë hequr sanksionet deri në korrikun e 2016-s, Irani do të jetë në gjendje të përdorë tubacionin Baku-Tbilis-Ceyahan, me qëllim eksportin e naftës së vendit të tij dhe gjithashtu, do t’i bashkohet TANAP, për të transportuar gazin në Europë në të ardhmen.
Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh, përse Irani ka pak gjasa që të eksportojë gazin e vendit të tij në Europë në një afat të mesëm. Për shkak të situatës shqetësuese, mbi sigurinë në Turqi, ku infrastruktura mbi energjinë, përfshirë këtu edhe tubacionin e gazit Iran-Turqi, është sulmuar në mënyrë të vazhdueshme nga organizatat terroriste, transportimi i gazit nga Irani për në tregun europian do të ishte një zgjedhje jo e mirë për Teheranin. Pavarësisht se Irani gëzon burime të shumta të gazit dhe naftës, investime të konsiderueshme dhe një teknologji e re është e nevojshme, për të përpunuar rezervat e mëdha të energjisë në vend. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë me distancat e gjata dhe kostot e larta të tranzitit, Europa për momentin nuk është përparësia kyçe e Iranit, duke qenë se Irani është i përqendruar, kryesisht në eksportin e gazit natyror ndaj vendeve fqinje.
Në mënyrë të spikatur, pasiguritë lidhur me Turkish Stream dhe Korridorin e Gazit Jugor, mund të vendosin mbi fatin e rrugëve, që do të ndjekin tubacionet. Megjithatë, mbetet për t’u parë, nëse të dy projektet do të pësojnë fatin e South Stream dhe Nabuccos. Gjithsesi, një gjë është e qartë: gjithçka që ndodh sot me politikat e tubacioneve mbi gazsjellësit në Euro-Azi, varet nga kërkesa e BE-së për energji në të ardhmen dhe lëvizjet strategjike të Rusisë.