Rusia ka filluar fushatën e vaksinimit për popullatën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, ndërsa zhvilluesit administrojnë testimin klinik në shkallë të gjerë te civilët.
Sipas zhvilluesit të saj, një fushatë vaksinimi masive njëvjeçare do të fillonte sapo vaksina “Sputnik V” të hynte në qarkullimin civil.
“Grupi i parë i vaksinës Gam-COVID-Vac (Sputnik V)… kaloi të gjitha testet e nevojshme të cilësisë… dhe u lëshua në qarkullimin civil. Sasitë e para të vaksinës priten të dorëzohen në rajone në të ardhmen e afërt”, tha Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë Mikhail Murashko tha se dërgesat e para të “Sputnik V” do të ishin “të vogla për momentin”.
Më herët ministri ka deklaruar se grupi i parë që pritet të vaksinohen janë mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë.
Qendra shtetërore e kërkimit për epidemiologjinë dhe mikrobiologjinë ‘Gamaleya’ që zhvilloi Sputnik V ka vlerësuar se do të duhej të prodhonte 80 milionë doza për të arritur imunitetin masiv.
Deri më tani Rusia ka raportuar zyrtarisht më shumë se 1 milion të infektuar, ndërsa janë regjistruar gati 18 mijë vdekje.
Një hulumtim nga revista mjekësore “The Lancet” tregoi se “Sputnik V” krijon antitrupa kundër virusit dhe se nuk shkakton efekte serioze anësore tek pacientët, por vuri në dukje se duhen prova më të gjata për të vërtetuar efektivitetin e tij.
Më shumë se 20 vende kanë kërkuar mbi 1 miliard doza të vaksinës së Rusisë pavarësisht shqetësimeve për sigurinë të ngritura nga ekspertët e shëndetësisë./The Moscow Times