Roskomnadzor* i ka lënë Google afat 24 orë për të eliminuar videot, që sipas tij, lidhen me drogën, dhunën dhe ekstremizmin. Google, i cili zotëron YouTube, mund të gjobitet nga 800.000 deri në 4 milionë rubla (7.700 – 38.000 sterlina) nga shërbimi. Kompania teknologjike u kontaktua për të dhënë një koment.
Roskomnadzor i ka dërguar më shumë se 26.000 njoftime Google për të fshirë ato që autoriteti rus i cilëson “informacione të paligjshme”, thuhet në një deklaratë të publikuar në agjencinë shtetërore të lajmeve, TASS.
Në këtë deklaratë, Google akuzohet edhe për kufizimin e aksesit të mediave ruse në YouTube, mes të cilave RT dhe Sputnik, dhe se mbështet “veprimtari të paligjshme të protestës”.
Trafiku në internet
Nëse Google nuk vepron, autoriteti rus tha se mund të ngadalësojë shpejtësinë e internetit për përdoruesit në Rusi që do të përpiqen të hyjnë në motorin e kërkimit. Shteti rus e ka përdorur tashmë fuqinë e tij për të kufizuar aksesin në Twitter, pasi Roskomnadzor tha se nuk ia kishte dalë të eliminonte rreth 3000 publikime.
Ofruesit e shërbimit të internetit në Rusi mund të kufizojnë ose bllokojnë fluksin e të dhënave në faqet web, duke i bërë lidhjet më të ngadalta kur përdoruesit hyjnë në faqe të tilla.
YouTube
Google ka ngritur padi ndaj Roskomnadzor mbi kërkesat për eliminimin e përmbajtjeve, sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatë, të para nga Reuters. Çështja përfshin 12 video në YouTubë të cilat nxisin të rinjtë të marrin pjesë në protesta të paautorizuara në janar – në mbështetje të Alexei Navalny.
Navalny ka më shumë se 6.5 milionë të abonuar në YouTube dhe publikon rregullisht video në platformë duke shprehur kundërshtimin ndaj presidentit Vladimir Putin dhe qeverisë ruse. Një seancë gjyqësore është parashikuar të mbahet më 14 korrik.
*Shërbimi federal i mbikëqyrjes së komunikimeve, teknologjisë së informacionit dhe masmediave, ose Roskomnadzor, është organi ekzekutiv federal rus, përgjegjës për respektimin e ligjit në media dhe në telekomunikacione
Burimi: BBC