Kapitali i paligjshëm, mjeti i mprehtë më i fuqishëm i Kremlinit, qarkullon brenda dhe jashtë Ballkanit Perëndimor në një shkallë të madhe, për shkak të qeverisjes së dobët, korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar dhe shkallës së lartë të ekonomisë në hije, shkruajnë Ruslan Stefanov dhe Vanya Petrova për Euractiv.
Qëndresa heroike e Ukrainës ndaj luftës agresive të Rusisë ka qenë tronditja më e fundit në gjeopolitikën e Bashkimit Europian. Një vit pas pushtimit, Komisioni Europian ka përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Në fund të fundit, këto tre shtete janë vija e parë e mbrojtjes ndaj qëllimit përfundimtar të Kremlinit, të cilin ai e ka deklaruar haptazi: shkatërrimin e BE-së. Megjithatë, shumë veta mendojnë se të gjitha shtetet anëtare nuk do të arrijnë të bien dakord për realizimin e këtij premtimi.
Dhe prova e vërtetë do të ishte nëse BE-ja do të gjente një mënyrë për të ndërmarrë hapin e ardhshëm të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, deri në vitin 2029.
Anëtarësimi në BE ka joshur prej kohësh elitat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, për shumë vende në këtë rajon, ideja e një të ardhmeje të ndritur europiane, shpesh duket si një përrallë e pakonceptueshme.
Edhe pse Samiti BE-Ballkan Perëndimor dhjetorin e kaluar, sinjalizoi një shpresë të re, ngërçi prej dekadash mbetet i pathyer, duke çuar në zhgënjim dhe stanjacion. Kjo krijon një boshllëk për depërtimin e forcave të huaja keqdashëse, veçanërisht Rusisë, e cila e ka shfrytëzuar me dinakëri.
Ndërkohë që 51% e serbëve janë të gatshëm të votojnë kundër anëtarësimit në BE në një referendum dhe 40% ende vazhdojnë ta pëlqejnë Vladimir Putinin, pavarësisht mizorive në Ukrainë, ndarjet etnike në rajon, korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë së medias, si dhe lidhjet e forta historike me Rusinë, e bëjnë Serbinë një objektiv kryesor për luftën hibride të Moskës kundër BE-së dhe Perëndimit demokratik.
Rusia ka ushtruar ndikim negativ ekonomik në Europë, përmes kultivimit të një rrjeti të errët patronazhi në të gjithë rajonin, për të ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrjen në tregjet dhe institucionet kryesore.
Kapitali i paligjshëm, mjeti i mprehtë më i fuqishëm i Kremlinit, qarkullon brenda dhe jashtë Ballkanit Perëndimor në një shkallë të madhe, për shkak të qeverisjes së dobët, korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar dhe shkallës së lartë të ekonomisë në hije.
Madhësia e flukseve të paligjshme financiare vlerësohet se arrin në shifrën 1-1.5 trilionë dollarë në vit në nivel global, ndërsa në Ballkan arrin në rreth 6% të PBB-së së rajonit. Kjo është dy herë më e madhe se mesatarja në botë.
Një gjë e tillë dëmton sundimin e ligjit, pengon funksionimin e sistemeve të drejtësisë penale dhe rrezikon mjedisin e biznesit. Flukset e paligjshme shterojnë burimet publike, zvogëlojnë shtrirjen dhe cilësinë e shërbimeve publike dhe në këtë mënyrë, ulin besimin në institucionet shtetërore. Ato gjithashtu krijojnë rrjete të fuqishme ndikimi, duke u shërbyer interesave keqdashëse lokale ose të jashtme.
Si një problem që shtrihet përtej kufijve kombëtarë, frenimi i valës së flukseve të paligjshme financiare, kërkon koherencë brenda dhe ndërmjet kornizave normative kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe veprim të koordinuar brenda fushës së zgjerimit të BE-së.
Është e nevojshme një qasje e re e BE-së për sigurinë ekonomike, duke përfshirë hapjen e përshpejtuar të Autoritetit Europian Kundër Pastrimit të Parave dhe përmirësimin e zbatimit të sanksioneve, shqyrtimit të investimeve dhe sistemeve të konfiskimit të aseteve.
Sa më shpejt që të zhvillohen mjete të tilla për frenimin e flukseve të paligjshme financiare, aq më mirë. Kjo përfshin ndërhyrjen e agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, si Zyra e Prokurorisë Publike Europiane, Europolit, Frontex-it, etj.
Megjithëse jo të gjitha fondet që kalojnë përmes flukseve të paligjshme financiare kanë natyrë kriminale, kapitali i krijuar ligjërisht, pothuajse ligjërisht ose joformalisht, mund të transferohet përmes kanaleve të paligjshme dhe të mbahet në juridiksione të jashtme.
Kështu, autoritetet në Ballkan duhet të lejojnë që pastrimi i parave të hetohet si një krim më vete, dhe transparenca e pronësisë duhet të zbatohet për të parandaluar, për të zbuluar, për të ndjekur penalisht dhe për të sanksionuar krimet financiare.
Zbatimi i kërkesave të transparencës për pronësinë është jetike, siç është edhe verifikimi më i rreptë i sigurisë së investimeve nga palët e treta në kompanitë ose operacionet e Europës Juglindore.
Më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet sferës së kriptomonedhave, e cila përfshin kanale të reja për të lëvizur paratë në mënyrë të paligjshme brenda dhe jashtë rajonit, veçanërisht për shkak të niveleve më të ulëta të përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare, për sa i përket rrezikut nga asetet virtuale.
Janë bërë shumë përpjekje, por mund të bëhen edhe më shumë, në një nivel politik, teknik dhe administrativ, për të mbrojtur Ballkanin nga ndikimi i huaj keqdashës dhe për ta penguar Rusinë të dobësojë Europën demokratike.
Megjithatë, ashtu si në zgjerimet e mëparshme në rajon, gjithçka duhet të fillojë me një vizion politik dhe vendosmëri nga udhëheqësit e vendeve demokratike, për të përcaktuar një afat të qartë për anëtarësimin.
Europa do të përfitojë gjeopolitikisht nga zgjerimi në Ballkan, ndërkohë që popujt e rajonit do të fitojnë liri, paqe dhe zhvillim, me kusht që të dyja palët të mos helmohen nga zhurma e keqinformimit.